24/05/2011  Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave për 3-mujorin e parë fitimi total është 4 miliardë lekë


10 nga 16 bankat e nivelit të dytë në vendin tonë raportojnë se e kanë mbyllur pjesën e parë të vitit me fitim. Rezultatet financiare pozitive të këtij viti janë kryesisht të dhëna që konfirmojnë një qëndrueshmëri të sistemit bankar në vendin tonë, e ndjekur nga rritja e depozitave apo edhe rigjallërimi i kredidhënies për ekonominë. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave përgjithësisht të gjitha bankat që kanë raportuar, 12 nga 16 banka në total, duken një performancë e mirë për buxhetet e tyre në këtë fillim viti. Vetëm 2 nga bankat që kanë publikuar të dhënat, Banka e Kreditit të Shqipërisë dhe Banka Ndërkombëtare Tregtare, banka që zënë një peshë tejet modeste ndaj totalit të sistemit bankar. Nuk kanë pasur përfitim për këtë periudhë.


Rezultatet


Bankat e mëdha kanë ruajtur pozicionet e tyre dhe kanë arritur rezultate më të mira. Raiffeisen Bank vazhdon të jetë banka me fitimet më të larta dhe për tremujorin e parë fitoi më shumë se 1.9 miliard lekë. Intesa SanPaolo për këtë periudhë ka kaluar BKT dhe ka raportuar një fitim prej 820 milionë lekësh, ndërkohë që banka me kapital turk arriti vlerën e 549 milionë lekëve fitim. Credins Bank duket se ka kaluar në renditje pasi tani më është e katërta për nga fitimi i siguruar, duke lënë pas Tirana Bank. Credins ka arritur një fitim prej 326 milionë lekësh, ndërsa Tirana Bank rreth 289 milionë. Për t’u shënuar përmirësimi i rezultatit për disa prej bankave që dy vitet e fundit nuk kanë shfaqur një performancë të mirë, si NBG Bank, ProCredit Bank dhe Veneto Banka. Të treja këto banka e kanë mbyllur tremujorin me fitim në disa dhjetëra milionë lekë. Ndërkohë, Alpha Bank, Banka Emporiki, Societe Generale Albania dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë nuk kanë bërë publike asnjë të dhënë lidhur me ecurinë e aktivitetit të tyre gjatë këtij tremujori të parë. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, kjo reflekton edhe frenimin e rritjes së normës së kredive me probleme. Ky tregues, ndonëse qëndron në nivele relativisht të larta, në muajt e fundit nuk ka njohur më rritje në përmasa shqetësuese. Në muajin mars ky tregues arriti në 14,7 për qind dhe u rrit vetëm me 0,1 për qind në krahasim me shkurtin e 2011-ës, kur ky tregues ishte 14,6 për qind. Performanca përgjithësisht e mirë e sistemit bankar gjatë tre muajve të parë të vitit dëshmon për një numër në rritje të bankave që po stabilizojnë rezultatet e tyre.


Investimi i parë në teknologjinë EKO


ProCredit Bank inauguron qendrën e re të biznesit


Hapet zyrtarisht Qendra e re e Biznesit të ProCredit Bank, si ndërtesa e parë në Shqipëri me një teknologji të përparuar bashkëkohore të gjelbër. Prej pak muajsh nën rikonstruksion, kjo qendër biznesi sjell një risi, jo vetëm në sistemin bankar, por edhe si iniciativa e parë të këtyre përmasave dhe një shembull praktik i ndërtesave të gjelbërta. Vëmendja ndaj ambientit dhe eficiencës së energjisë ka kohë që është artikuluar nga ProCredit Bank. Banka që nga viti 2009 u ofroi klientëve të saj kredi për përdorimin eficient të energjisë për shtëpitë dhe bizneset, e shoqëruar me ekspertizën teknike të nevojshme. Përdorimi joeficent i energjisë është një nga shkaqet që rrisin ndotjen e mjedisit dhe çdo aksion në drejtim të eficiencës energjetike është kontribut në mbrojtje të mjedisit dhe uljes së kostove që lidhen me të. Violeta Haxhillazi, anëtare e Bordit Drejtues të ProCredit Bank, njëkohësisht udhëheqëse e projektit tha se: “Ulja e kostos së energjisë nuk është motivimi i vetëm i ProCredit Bank për këtë investim, pasi ai në radhë të parë synon të përmirësojë komoditetin për klientët dhe punonjësit e saj. Mbi të gjitha ky projekt promovon një përqasje më të përgjegjshme në zhvillimin urban në Tiranë. Projekti i Gjelbër në Laprakë ofroi mundësinë për t’i zbatuar këto teknologji në gamën më të gjerë të sistemeve dhe pajisjeve teknike të ofruara aktualisht në Shqipëri dhe në rajon”. Me këtë investim, ProCredit Bank konfirmon angazhimin ndaj një përqasjeje që respekton mjedisin dhe përmirëson jetesën e individëve. Gjatë këtij viti e më tej, Banka do të monitorojë pajisjet dhe do të përcaktojë përfitimet e arritura mjedisore dhe ekonomike, për të përzgjedhur më pas teknologjitë që do të përdoren për rinovimin e degëve aktuale apo degëve të reja të ProCredit Bank Shqipëri.


Tabelë


Bankat Fitimi 3-mujori i I-rë


Alpha Bank – Albania -


Banka Kombëtare Tregtare 549,079,578


Credins Bank 326,062,945


Credit Bank of Albania (74,656,646)


Emporiki Bank – Albania -


First Investment Bank– Albania 4,382,796


International Commercial Bank (9,645,007)


Intesa SanPaolo Bank Albania 820,139,696


National Bank of Greece – Albania 74,578,000


ProCredit Bank 61,332,571


Raiffeisen Bank – Albania 1,939,592,056


Societe Generale Albania -


Tirana Bank 288,771,158


Union Bank 27,062,266


United Bank of Albania -


Veneto Banka 33,948,620


Totali 4,040,648,034