22 prilli është Dita Ndërkombëtare e Tokës, në të cilën i gjithë njerëzimi e ka vëmendjen te sjellja e tij mbi tokën. Dita ndërkombëtare lindi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është iniciuar nga senatori Gaylord Nelson në vitin 1969 dhe përkujtohet që nga 22 prilli 1970, kur 20 milionë amerikanë morën pjesë në një demonstratë mjedisore nga më spektakolaret, e cila u quajt "Dita e Planetit". Kjo ditë u rrit, nga një ngjarje vjetore në Shtetet e Bashkuara, në një ngjarje globale dhe tashmë kjo ditë përkujtohet në rreth 180 vende të botës.



Tokat janë ekosisteme dinamike, të cilat mbështesin jetën e gjallë. Gjithashtu toka është thelbësore për njeriun, sepse i shërben atij për sigurimin e të mirave nga burimet natyrore (ushqimin, fibrat dhe materialet e ndërtimit), për ndërtimin e rrugëve komunikuese dhe si mjet për riciklimin e mbetjeve ndotëse të cilat i prodhon çdo ditë. Megjithatë, është e udhës që ne të vlerësojmë cilësitë e tokës, funksionet dhe si mund ta menaxhojmë e administrojmë atë me qëllim që të ruajmë një mjedis të qëndrueshëm.



Po vendi ynë ku ndodhet në lidhje me këtë?! Tranzicioni i vështirë, ku ndryshimet social-ekonomike të viteve të fundit, lëvizjet demografike, shtimi i popullsisë në ultësirën perëndimore kanë ndikuar në menaxhimin e tokës, në ndryshimin e destinacionit dhe deri në braktisjen e saj. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë për pasojë një kompleks efektesh negative mbi tokën urbane e bujqësore.



Shqipëria si vend në zhvillim është shumë e dobët ekonomikisht dhe është e paaftë (në dallim nga vendet e zhvilluara si SHBA ose BE) të vendosë masa shtrënguese për ata që prodhojnë ndotje të tokës. Në këto situata, kostoja mjedisore e përdorimit të praktikave të njëjta prodhuese që nuk respektojnë mjedisin tokësor humbet para nevojës që shoqëria shqiptare ka për ushqim dhe nevoja të tjera jetësore. Kjo për faktin se shumë nga efektet shëndetësore të shkaktuara nga toka e kontaminuar kërkojnë mjaft vite për t‘u dukur alarmante. Si rrjedhojë është e vështirë për shqiptaret ta vlerësojnë kërcënimin nga ndotja e tokës krahasuar me nevojat imediate të jetës plot mungesa.



Në vendin tonë, humbja e tokës e përllogaritur nga Instituti Shëndetit Publik varion nga 20 ton/ha/vit deri në 40 ton/ha/vit. Kjo si rezultat i kontaminimit nga substanca kimike që derdhen ose lëshohen përmes industrisë së trashëguar, por edhe ato që ushtrojnë sot aktivitetin. Problematike paraqitet gjendja në kraterin e Gërdecit, ku edhe sot, një vit pas tragjedisë së rëndë, nuk është bërë asnjë studim i plotë në lidhje me shkallën e ndotjes së tokës nga elementë të ndryshëm si Merkuri, TNT, apo Ceriumi, që janë edhe substancat më të rrezikshme për jetën e njeriut, të çliruara nga shpërthimi i municioneve. Gjithashtu e rëndë është edhe gjendja në zonat si: Porto Romano, ku kemi ndotje masive të tokës me lindan dhe kromhekzavalent; në sodën e Vlorës kemi ndotje të rëndë nga merkuri; në Laç, Rubik dhe pranë fabrikave të pasurimit kemi ndotje me Cu, Cr, metale shoqërues. Gjithashtu në fushat naftëmbajtëse kemi ndotje të thellë e masive të tokës. Në segmentin Tiranë-Durrës, që ka përjetuar procesin më të shpejtë të urbanizimit, ka kontaminim të tokës për shkak të mungesës së infrastrukturës së ujërave të zeza. Banorët e këtyre zonave kanë probleme shëndetësore shpeshherë mjaft të rënda.



Kryesisht nivelet e ndotjes në tokat bujqësore në vendin tonë janë të ulëta, por megjithatë edhe pse larg zonave hot-spot, fenomeni i ndotjes reflektohet në zinxhirin ushqimor ashtu edhe në ndotjen e ujërave nëntokësorë. Janë gjetur nivele mjaft të larta të përmbajtjes së lëndëve toksike në produktet bujqësore veçanërisht në qumësht (lopët që ushqehen pranë zonave hot-spot).



Një formë tjetër e degradimit të tokës në Shqipëri është edhe erozioni. Sipas strategjisë së fundit ndërsektoriale të mjedisit, Shqipëria është një ndër vendet mesdhetare me shkallë të lartë të erozionit, i cili varion nga 21,4 ton/ha në 34,7 ton/ha në vit. Rastet e Synejt dhe Karavidhit të Kavajës, ku si rezultat i erozionit të tokës u shkatërruan një numër i konsiderueshëm banesash, janë një dëshmi e mosmenaxhimit të ndotjes së tokës.



Humbja e tokës në brigjet e lumenjve si pasojë edhe e shkatërrimit të veprave mbrojtëse, përbën një shqetësim të madh për komunitetet përreth dhe pushtetin lokal. Rreth 140 mijë hektarë tokë rrezikohen sot nga shkarjet. Si rezultat i dëmtimit të mbulesës bimore (prerjet dhe djegia e pyjeve) jemi dëshmitarë të shkarjeve masive të tokës, që rrezikojnë mjaft komuna dhe fshatra malore. Guroret janë bërë një shqetësim për ndotjen, duke qenë shembull i mizorisë së shfrytëzimit të tokës. Veçojmë ato të Krujës, të cilat ndodhen në një zonë me vlera historiko-turistike.



Si rezultat i kësaj situate dhe jo vetëm, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU) ndonëse ka si detyrë parësore mbrojtjen e mjedisit në përgjithësi dhe tokës në veçanti, është ende larg një institucioni qendror politikëbërës, menaxhues, monitorues dhe sanksionues për problemet që lidhen me tokën. Është për të ardhur keq që ministri i MMPAU, z. Lufter Xhuveli, ndonëse një ministër me kohëzgjatje më të madhe në detyrë, nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për mbrojtjen e tokës nga ndotja, përjashtuar disa gjobëvënieve sporadike dhe selektive. Vendi ynë ende nuk ka ndërtuar një ligj të posaçëm për mbrojtjen e tokës nga ndotja. Një ligj i tillë vepron në të gjitha vendet e BE-së, por te ne ka më shumë se dy vjet që qëndron në sirtarët e ministrisë.



Mbrojtja e tokës nga ambientalistët konceptohet si një definicion që mbështet në tre kolona - qëndrueshmëri në prodhimin biologjik, cilësi mjedisore dhe shëndeti i njeriut, kafshëve dhe i bimëve. Ndonëse shihet hera-herës si një definicion empiriko-fanatik, përsëri ai duhet të përqaset nga politikëbërësit, në mënyrë që ndotja e tokës të jetë e kontrolluar, e mirëmenaxhuar dhe brenda standardeve të BE-së. Kjo që brezat e ardhshëm të mos fokusohen dhe të mos kenë shqetësim të dorës së parë ndotjen e tokës, por zhvillimin. Për të arritur këtë, ne shqiptarët duhet të veprojmë dhe të sillemi me mjedisin tokësor në përputhje me ekuilibrat jetësorë, në mënyrë që e ardhmja jonë të jetë e sigurt dhe e shëndetshme.