Hajro Limaj


Të mërkurën, në Ministrinë e Mbrojtjes u firmos kontrata mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe kompanisë britanike FB Heliservices Limited për stërvitjen e pilotëve të helikopterëve të forcave tona ajrore në Mbretërinë e Bashkuar. Kontrata u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë FB Heliservices Limited, James Goodbourn dhe ka qëllim trajnimin e 12 pilotëve e 4 operatorëve për operacionet Search and Rescue.


Kontrata kap një vlerë prej 3.3 milionë euro, e shtrirë në tre vite buxhetore, 2012-2014. Kjo kontratë është në vazhdim të kontratës tjetër të ministrit Imami, asaj të gushtit të 2011-s, për blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë me shumën 50 milionë euro me shoqërinë franceze Eurocopter. Pra, shqiptarët do të paguajnë 50 milionë euro për helikopterët dhe 3.3 milionë për trajnimin e pilotëve, gjithsej 53.3 milionë euro. Përveç kësaj, në kontratë është parashikuar edhe pajisja e helikopterëve me municione luftarake, çka kërkon një fond tjetër jo të vogël për tu paguar nga shqiptarët.


Për  kontratën e blerjes së helikopterëve të vitit 2011 u debatua shumë se përse duhej bërë ky shpenzim i madh, ndërkohë që ushtria jonë, edhe pse anëtare e NATO-s, nuk u ka kushtuar rëndësi pajisjeve ushtarake, duke kontribuuar në misione kryesisht me trupa ushtarake. Imami shpjegoi se helikopterët Kugar do ti shërbejnë rritjes së efikasitetit të forcave ajrore dhe në vitin 2014, Shqipëria do të ketë një flotë helikopterësh pa krahë për të përballuar emergjenca civile. Po a ka mundësi vendi ynë, me nivel kaq të ulët ekonomik, të konkurrojë me vendet e tjera për blerjen e pajisjeve të shtrenjta, aq më tepër kur kriza ekonomike e ka rrethuar vendin nga të katër anët.


Po për stërvitjen e trajnimin e pilotëve, a u zhvillua tender ndërkombëtar dhe cilat shtete morën pjesë? Është tepër e çuditshme, pilotët shqiptarë kryesisht janë arsimuar në Akademinë 4-vjeçare të Forcave Ushtarake Ajrore të Turqisë në Stamboll. Janë me dhjetëra të tillë. A ka hyrë në bisedime ministri Imami me këtë shtet aleat që 12 pilotët të stërviten pikërisht në këtë vend, ashtu siç kanë studiuar e studiojnë studentët tanë të aviacionit me bursa të shtetit turk. Besoj se jo, sepse po të ishte biseduar, Turqia ose do ti përgatiste falas, ose do të kërkonte vetëm përballimin e shpenzimeve të karburantit.


Në këtë ministri, kriza është reale dhe në të gjitha drejtimet: strukturore, organizative, ligjore dhe me një mungesë të plotë transparence. Për këto probleme, kryeministri Berisha, Kuvendi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit  duhet të ushtrojnë kontroll të gjithanshëm mbi veprimtarinë e saj. Kur shumica e popullit luftojnë për mbijetesë, ministri harxhon nga taksat e qytetarëve të varfër miliarda lekë për ushtrinë, në një kohë kur shpenzimet ushtarake janë ulur edhe në vendet e zhvilluara e jo më ato të varfrat si Shqipëria.