Matura Sshtetërore risjell në vëmendje çështjen e esesë, të vështirësive dhe vlerave që ajo ka, për përfundimin me sukses të provimeve. Maturantët, mësuesit, prindërit dhe të gjithë nxënësit e shkollave parauniversitare, po flasin pambarimisht për esenë. Shkas për t‘u ndalur më gjatë rreth esesë dhe rolit të saj në shkollën shqiptare, u bë një bisedë në gjimnazin "Qemal Stafa" të Tiranës. Nxënësit, në kulmin e shqetësimit dhe dëshpërimit, u shprehën se ndoshta është më mirë të kthehemi te hartimi, pra te mënyra tradicionale e provimit me shkrim në letërsi. Thelbi i kërkesës zbulon faktin se eseja, pavarësisht zhurmës që bëhet nëpër institucionet shkollore dhe jashtë tyre, ka mbetur në kufirin e fillesave të viteve më parë. Mësuesit, nxënësit, prindërit janë të shqetësuar me të drejtë, për faktin se eseja në provimin e letërsisë ka peshën kryesore. Deri këtu jemi thjesht në përjetimin e nevojës së momentit, kryesisht për të kapërcyer realizimin e provimit me shkrim të letërsisë. Shpesh, nga nxënësit dhe mësuesit, këmbëngulet në gjetjen dhe dhënien e një "recete" të plotë e përfundimtare të esesë, si dhe të mënyrës se si realizohet ajo. Pra, nga pjesa më e madhe e faktorëve, mjerisht edhe nga jo pak mësues, harrohet fakti se shkrimi i esesë është një proces i hapur, që ka të bëjë me formimin e shprehive të nxënësit, një proces që në arsimin shqiptar është në fillime. Në një kuptim edhe më të ngushtë, thelbi dhe shpërfaqja e esesë, padyshim e llojeve dhe tipareve të saj, është një çështje e hapur, që nuk i është dhënë përgjigje përfundimtare as në mjediset perëndimore, ku e përdorin si vlerë maturimi, dijesh dhe formimi profesional. Të kthehemi te "kërkesa" për të rimarrë hartimin në provimin me shkrim të letërsisë, që duket e thjeshtë në pamje të parë, por, në fakt, mendohet kështu vetëm se është një formë shprehje e njohur dhe e praktikuar nëpër vite, duke harruar se edhe hartimi ka vështirësitë e veta, sepse lidhet me natyrën specifike letrare. Nga ana tjetër, çështja ese, sidomos për maturantët, paraqitet e vështirë, sepse nuk njihet dhe nuk është praktikuar në shkollën shqiptare, jo vetëm në gjimnaz, por në të gjitha nivelet e shkollimit, si mënyrë shprehjeje. Shkolla shqiptare, përpara se të sqaronte dhe të modelonte esenë, me të gjitha llojet e veta, e ka dhënë si detyrë zbatuese, duke i tejkaluar kështu etapat e të nxënit. Vetëkuptohet se në këtë proces të formimit të shprehive ka vendin e vet gjithë niveli i shkollimit, por prioritet këtë akt dhe proces duhet ta ketë universiteti. Kemi hyrë në një rreth vicioz, sepse detyrën mbi esenë e japin mësuesit, shumica e të cilëve nuk e kanë ditur as vetë se ç‘është ajo dhe padituria e tyre, që lidhet pazgjidhshmërisht me shkollën e lartë, por edhe me vetëdijen personale, shërben si "dije" tashmë për të realizuar nxënësit esenë. Diçka lëvizi në drejtim të njohjes dhe praktikës së realizimit të saj me librin "Si të shkruajmë esenë", veçse më tepër në pikëpamje të strukturës, paragrafëve dhe pjesëve përbërëse, leksikut dhe formave kryesore të saj. Por, në konceptin e mësuesve dhe veçmas të nxënësve, pak gjëra u kthjelluan dhe u sqaruan aq sa të fillonte "siguria" e mostrembjes prej saj. Në fakt, për çdo mendje që nuk ka lidhje me esenë, pra e kam fjalën për nxënësit e të gjithë niveleve të arsimit parauniversitar, nuk është fort e volitshme që ta kuptosh procesin, duke ndeshur qysh në krye vetë "ngrehinën" e esesë, pa përthithur dhe pronëzuar konceptin, që shënon shumë më tepër se sa kaq. Eseja si koncept, për të qenë i kuptueshëm për ata që shkojnë në shkollë për dije, është një mënyrë shprehjeje, me shkrim, që shtrihet në çdo nivel të shkollimit perëndimor. Pra, edhe ca më në thellësi të problemit, eseja është shprehje e formimit dhe e kulturës së individit dhe komunitetit, për të gjithë realitetin natyror e shoqëror. Eseja, tek e fundit është mënyrë shprehjeje si edhe hartimi, por që ndryshe ngas ai kërkon mendimin e pavarur rreth një problemi, është mënyrë shprehjeje siç është ajo e shkencës së historiografisë, por tanimë duke i parë dhe interpretuar faktet dhe figurat historike nga një këndshikim personal, pra duke e "shpjeguar" botën që na rrethon, më tepër me idenë dhe mendimin personal. Bërja "gogol" e esesë nga ana e nxënësve dhe prindërve, me të drejtë dhe pa të drejtë, lidhet edhe me sqarimin e paplotë se ç‘është eseja, si mënyrë shprehjeje në të gjitha nivelet e përfaqësimit. Mbetet pezull dhe pa një përgjigje përfundimtare se a është art eseja? Në fakt, edhe eseja shprehet dhe materializohet me mjetet e letërsisë, pra edhe me leksikun e figurshëm. Kjo ngjet në esetë letrare, por edhe një pjesë e prozës dhe e shqyrtimeve letrare, gjithnjë e më tepër po sendërtohet në formën e esesë. Por, eseja gjithëpërfshirëse nuk ka vetëm mjetin, pra gjuhën që e merr hua nga letërsia. Esenca e saj ka të bëjë ca më shumë me frymën dhe atmosferën që ajo mëton të paraqesë, çka e rrëshqet te një vështrim më specifik se sa "syri" magjik i letrares, pra me një tis mirëfilli filozofik. Aq më tepër që zanafilla e kësaj mënyre shprehjeje është filozofike, sepse fillimet i gjejmë qysh me Epikurin, Ciceronin në Antikitet, për të ardhur deri në Rilindjen Evropiane me Montenjin dhe Bekonin, si dhe kohët moderne me Niçen. Idetë dhe mendimet e tyre këta filozofë të shquar i derdhën në formën eseistike. Ky fakt vihet në dyshim kur mendon se përveç esesë filozofike kemi edhe ese shkencore, pavarësisht fushës. Kuptohet që "shkencorja" në ese është në varësi të përfundimeve autoriale, më tepër se sa nga "dara" e verifikimit të pastër shkencor. Pra, eseja nga mjetet është art, kuptohet art i fjalës, por për nga fryma që përcjell është edhe filozofi, e gjithashtu për rrokjen e një mendimi logjik është në mënyrën e vet, edhe verifikim shkencor. Pa menduar se u sqaruam, por me shpresën se po ndikojmë sado pak në largimin e frikës dhe ankthit të drejtë të maturantëve, eseja, e çfarëdo forme dhe niveli qoftë, lidhet me dy momente: me njohjen e problemit të shprehur në formën e esesë, që ka të bëjë me kulturën; me "kurajon" për ta shpallur botërisht mendimin personal. Në pamje të parë krijohet përshtypja e thjeshtëzimit, por jemi në një situatë të sugjerimit të daljes nga "kriza" e besimit se munden dhe duhet t‘i nënshtrohen realizimit të esesë, qoftë edhe për faktin e thjeshtë që nëse maturantët e sivjetshëm dhe të viteve të tjera duan të studiojnë jashtë shtetit, eseja është kërkesë parësore dhe mënyrë e testimit të formimit të personalitetit. Po ashtu, pas mbarimit të shkollës së lartë, në çfarëdo shkolle që dëshirojnë për të hyrë në nivelet e marrjes së titujve, eseja është modeli kryesor përfaqësues. Këto dhe shkaqe të tjera, e zbehin idenë e kthimit te hartimi, që do të thotë lënie në mes e reformës arsimore, që do të thotë thellim i distancës me botën e qytetëruar si mënyrë e komunikimit, që do të thotë humbje kohe për të mësuar atë që të duhet për gjithë jetën, si të shprehesh qartë, saktë dhe bukur, çka ngulitet më mirë dhe më lehtë pikërisht në moshën e maturantëve.