Autori i Lajmit: Lili Saraci






Për legalizimin e pronës apo për kthimin e saj tek ish-pronari do të këtë bashkëpunim mes tre institucioneve për mënyrën se si do të veprohet kur trualli është në proces legalizimi nga agjencia e ALUIZNI-t apo në proces vlerësimi për tia kthyer ish-pronarit nga agjencia e AKKP-së, apo kur pasuria e paluajtshme është në proces regjistrimi në ZVRPP. Kështu, në mbledhjen e djeshme të qeverisë është marrë vendimi i përcaktimit të rregullave për bashkërendimin e punës së ALUIZNI-t me zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe agjencinë e kthimit dhe kompensimit të pronave, për procedurat e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit e të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave, qeveria vendosi dje përcaktimin e disa rregullave bashkëpunimi mes agjencisë së ALUIZNI-t dhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në mënyrë që këto dy institucione të bashkëpunojnë më njëra-tjetrën. Kështu, Agjencia e Legalizimit, (ALUIZNI) bën verifikimin në terren të njësive të ndërtuara menjëherë pas paraqitjes së kërkesës dhe pas kryerjes së parapagesës së tarifës nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar. Gjithashtu, ALUIZNI, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i verifikimit në terren i njësisë ndërtimore, kërkon nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) informacion për gjendjen juridike të zonës së stimuluar, të shoqëruar me kopjen e dokumentacionit që disponohet (kartelë apo regjistër hipotekor, hartë treguese të pasurisë, dokumentacioni ligjor i regjistrimit të pasurive dhe i transaksioneve të mundshme). Por nëse ZVRPP-ja konfirmon se zona e stimuluar është pronë shtetërore, ALUIZNI bashkërendon punën edhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) për të evidentuar, kur është e mundur, nëse ka: vendime të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronës, pranë bashkive ose këshillave të qarkut ose të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, për njohje, kthim ose kompensim të pronës: kërkesa në proces shqyrtimi, të depozituara nga subjekte të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar. Gjithashtu, kërkesa për marrjen e informacionit i dërgohet AKKP-së, pas përfundimit të afatit të parashikuar në ligj, për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara apo personat e stimuluar. Institucionet e përmendura në pikat 2 e 3, të këtij vendimi, e dërgojnë informacionin e kërkuar, pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës. ALUIZNI, pas verifikimeve të mësipërme, harton relacionin shpjegues sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”. Ndër të tjera ngarkohen Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.





Sarandë

Qeveria miratoi listën e pronave të paluajtshëm shtetërore



Po ditën e djeshme, në mbledhjen e qeverisë është bërë miratimi i listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për nënprefektin e Sarandës e administratën e tij dhe për drejtorinë e përgjithshme të emergjencave civile. Kështu në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për nënprefektin e Sarandës e administratën e tij dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile (Drejtoria e PMNZSH-së), sipas formularit bashkëlidhur. Në këtë vendim thuhet se nuk lejohet tjetërsimi ose ndërrimi i destinacionit të pronave, të përcaktuara në këtë vendim, apo dhënia në përdorim të tretëve. Ngarkohen ministri i Brendshëm, nënprefekti i Sarandës dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.











Taksë për 13 mijë individë që kanë ndërtuar mbi tokë shtetërore



Të gjithë qytetarët që kanë ndërtuar mbi truall shtetëror dhe kanë regjistruar pronësinë e ndërtesës, por jo të tokës tani u jepet mundësia që ta privatizojnë atë me kushte lehtësuese. Në të kundërt, ata do të jenë të detyruar të paguajnë një taksë që llogaritet në 10 për qind të vlerës së truallit të tyre në vit. Komisioni parlamentar i ligjeve ka miratuar nen për nen në mbledhjen e djeshme projektligjin e Ministrisë së Financave për taksën mbi truallin shtetëror të zënë. Janë rreth 13 mijë individë që kanë ndërtuar mbi tokë shtetërore dhe, sipas ligjit në fuqi, duhet të paguajnë qira, një fakt ky që nuk ka ndodhur, duke rënduar buxhetin e shtetit, për këtë arsye, dikasteri i financave ka paraqitur draftin në fjalë. Ekspertët e ministrisë kanë shpjeguar se personat që kanë ndërtuar mbi tokë shtetërore janë kryesisht biznese. Këto të fundit ndodhen tashmë përballë dy rrugëve, ose të privatizojnë truallin që kanë zënë, ose ti paguajnë shtetit çdo vit taksën 10 për qind. Projektligji për taksën mbi tokën shtetërore, niveli i taksës 10 % e vlerës së tokës në vit, ndërsa përfituesit 13 mijë individë. Për sa i përket tokës së zënë, ajo është zënë kryesisht nga biznese dhe alternativë e draftit është përcaktuar si privatizim me kushte lehtësuese. Pra, kush përdor tokën shtetërore, duhet ta blejë atë ose duhet të paguajë taksën vjetore prej 10 për qind të vlerës së truallit. Në të kundërt, do të zbatohen sanksione.



Ky lajm është publikuar: 22/04/2010