Emanuela Sako

Atë e gjen gjithmonë mes njerëzve në nevojë duke treguar përkujdesje dhe një vullnet të veçantë për t’u gjendur në çdo moment pranë tyre. Madje nuk ka kursyer as vitet e rinisë dhe detyrat si familjare për të qëndruar pranë tyre. Dr. Prof. Adelina Mazreku, mjeke Onkologe për 47 vjet, e cila jetën e saj e ka kaluar dyerve të spitaleve gjatë ditës dhe natës për t’u kujdesur për pacientët që vijnë në çdo kohë në gjendje të rëndë për jetën. Adelina lindi më 20 maj 1940, në Tiranë dhe ka marrë mësimin përkatës po në kryeqytet. Sot Adelina është 68 vjeçe, por vitet nuk ia kanë shuar pasionin për mjekësinë dhe entuziazmin për jetën. Edhe pse në këtë moshë ajo punon në dy klinika private, në Klinikën Mjekësore “R. D. C” dhe në Klinikën Mjekësore Ambulatore “Pro life”. Përveç punës ajo ka pasur dhe një familje për të mbajtur, ku bashkëshorti i saj ka qenë një shtysë në punën e saj. Ndërsa kujton se shpeshherë nuk i është gjendur pranë vajzës për t’i lexuar përrallat e bukura apo për ta shoqëruar në këndin e lojrave në momentet kur prania e saj është dashur më shumë. Madje ajo rrëfen se nuk është shumë shtëpiake, nuk di të gatuajë dhe nuk gjendet gjithmonë për nevoja të ndryshme që ka familja. Por ka qenë bashkëshorti dhe nëna e saj që janë përkujdesur për mjaft detyra familjare. Tashmë ndodhet mes nostalgjisë për vitet që kanë kaluar dhe mallin për vajzën e saj të vetme, Eljonën, që jeton në Lituani bashkë me nipin 1-vjeçar, nga martesa me bashkëshortin Lituanez. Gjatë karrierës së saj është takuar me mjaft njerëz të njohur në botë. Një prej tyre është dhe Nënë Tereza, figura e së cilës ka lënë mjaft mbresa në jetën e Adelinës. Ajo kujton se Nënë Tereza është një figurë e paarritshme, që karakterizohej nga një imazh sa hyjnor dhe tokësor. Adelina kujton se ajo ishte si të gjithë të tjerët, një trup i vogël dhe i përkulur nga mosha, por ajo që shprehte me fjalë dhe ndiente në shpirt ishte hyjnore. Në shpirtin e saj nuk kishte urrejtje, nuk kishte hakmmarrje, as kur pa varret e motrës dhe nënës që iu mohuan gjatë jetës.





Ju jeni një mjeke e njohur dhe e suksesshme në karrierën tuaj. Si e keni nisur këtë profesionin që kërkon përgatitje të madhe profesionale dhe kembengulje, pasi çdo ditë në dorën tuaj varen jetë njerëzish?



Çdo profesion fillon me arsimimin përkatës, por ai nuk mund të përfundojë me të, veçanërisht në mjekësi. Në çdo profesion për të qenë i suksesshëm duhet përgatitje e vazhdueshme, këmbëngulje përgjegjësi e mbi të gjitha pasion për objektin e punës. Ajo çka e bën më të veçantë profesionin e mjekut është pikërisht objekti i saj, mbrojtja e jetës së njeriut, asaj krijese që duhet të jetë sa më e shëndetshme që të mund të ushtrojë me sukses gjithë profesionet e tjera.



Cila ka qenë dëshira juaj në moshë të re për t’iu përkushtuar një pasioni apo një karriere të gjatë?

Gjimnazin e Tiranës e mbarova kur isha vetëm 16 vjeçe. Pra, shumë e re për të zgjedhur në mënyrë të ndërgjegjshme profesionin e jetës sime. Në ëndrrat e rinisë së hershme e shihja veten herë një studiuese të shkencave ekzakte, herë të tjera një psikologe ose juriste që do të mbronte njerëzit nga keqbërësit, apo një pedagoge që transmeton dijet. Por jo një mjeke. Atëherë, unë ende nuk e dija se të qenurit mjeke mund të realizoje të gjitha këto endrra njëherësh: të mbroja njerëzit nga keqbërësit e pamëshirshëm, nga sëmundja duke u lehtësuar atyre jo vetëm dhimbje të trupit por edhe ankthin e shpirtit, të mund të zbuloja të përbashkëtat e çdo rasti të veçantë duke studjuar veçoritë e sëmundshmërisë si edhe t’iu transmetoja pasardhësve të mi përvojën time dhe të paraardhësve.



Sa kohë keni që i kushtoheni këtij profesioni dhe cilat janë etapat e jetës në lidhje me profesionin?



Specialiteti im është Onkologjia Kirurgjikale. Jam diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë së Tiranës, në korrik të vitit 1961. Atëherë, sapo kisha mbushur 21 vjeç dhe që nga ai moment filloi rrugëtimi im në mjekësi. Një rrugë të cilën ende po e vazhdoj. Pas përfundimit të studimeve, fillova punë si kuirurge në Spitalin Nr. 2 të Tiranës në klinikën e IV që krahas kirurgjisë së përgjthshme kishte dhe profilizim onkologjik. Kur onkologjia fitoi “mëvetësinë” në 1969, duke u ndarë si klinikë e veçantë, une vazhdova punën në atë klinikë duke u përpjekur të zgjeroj apo thelloj dijet e mia teorike-praktike në këtë fushë të mjekësisë. Krahas aktivitetit diagnostiko-kurativ si kirurge, onkologe, aktivitet nga i cili nuk jam ndarë asnjë çast, kam kryer edhe veprimtari organizuese e drejtuese të shërbimit onkologjik në shkallë vendi. Këtë gjë e arrita duke qenë fillimisht Shefe e Klinikës së Onkologjisë, më pas Drejtoreshë e Institutit Onkologjik dhe pas bashkimit të gjithë spitaleve nacionale në Qendren Spitalore Universitare, kam drejtuar Shërbimin e Onkologjisë të kësaj qendre deri në tetor të 2003-shit. Krahas aktivitetit mjekues kam zhvilluar edhe aktivitetin pedagogjik, duke qenë fillimisht pedagoge në Katedrën e Kirurgjisë Speciale dhe me krijimin e Katedrës së Onkologjisë Klinike në vitin 1992 jam bërë drejtuese e saj. Për aktivitetin tim pedagogjiko-studimor kam fituar gradën shkencore Prof. Dr. i Shkencave Mjekësore dhe për aktivitetin tim profesional në tërësi jam vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.



A keni patur disfata ne kete profesion apo nese jeni zhgenjyer?

Profesioni i mjekut, si shumë kolegëve të mi dhe mua, më ka rrëmbyer vitet më të shumta dhe më produktive të jetës. Por ato na i ka shpërblyer me sadisfaksionin e pakrahasueshëm që të jep shpëtimi i jetës njerëzore dhe rrallë ai të godet edhe me dhimbjen e hidhur të humbjes së një jete, kur sëmundja triumfon mbi ne. Atëherë ne ndjehemi të zhgënjyer nga mjekësia e nga vetja.



Gjatë karrierës suaj shumëvjeçare si mjeke, ju ka rastisur të keni reagime të ashpra nga pacientët apo të afërmit e tyre në raste të veçanta?

Raportet pacient– mjek janë raporte komplekse. Ato nuk janë thjesht raporte profesionale, por janë edhe emocionale. Nuk është e lehtë që pacienti të përballet me një sëmundje serioze, por po aq e vështirë është edhe për mjekun që duhet ta njoftojë për sëmundjen dhe të gjitha etapat e mjekimit, që shpesh shoqerohen edhe me efekte anësore të pakëndshme. Reagimi fillestar ndaj sëmundjes s’është i njëjtë te të gjithë, pasi shumica e të sëmurëve tregohen të arsyeshëm dhe mjekun e konsiderojnë si aleatin e tyre në luftën kundër sëmundjes. Por ka edhe të sëmurë që në reagimin e parë “rebelohen”, pasi nuk duan të pranojnë as sëmundjen e as mjekimin dhe në këtë rast edhe mjekun e shohin si “armikun” e tyre. Me këta pacientë duhet më shumë durim për t’i bindur, çka në shumicën e rasteve arrihet. Ndonjëherë, raportet me familjarët mund të konsiderohen si më të vshtirat, në ato raste fatkeqe kur sëmundja fiton mbi të sëmurin e mjekun. Reagimi ndaj dhimbjes së humbjes së njeriut të dashur është i fortë, por i ndryshëm në njerëz të ndryshëm. Shumica e familjarëve kërkojnë të ndajnë dhimbjen me mjekun që është përpjekur të zgjasë jetën e të sëmurit. Në disa raste më ka ndodhur që të marr telefonata nga familjarë, të cilët më njoftojnë për fatkeqësinë që u ka ndodhur, duke më falenderuar për atë çka jam përjekur të bëjë për t’i shpëtuar jetën. Por ka edhe familjarë që në ato momente të vështira duan ta shkarkojnë dhimbjen te mjeku. Shpesh kujtoj me dhimbje telefonatën e një adoleshenteje që sa kishte humbur gjënë më të shtrenjtë në jetë, nënën e saj. Ajo midis klithmave më thoshte:“ vdeksh, vdeksh” dhe ky mallkim me shkaktoi dhimbje më shumë se çdo falenderim mbasi ndieja dhe e kuptoja se sa shumë dhimbje ndjente ajo zemër e brishtë, e plagosur kaq padrejtësisht. U përpoqa t’i flasë me zërin e nënës, ta qetësoja, ta ngushelloja, e midis ngashërimeve dëgjova zërin e saj të mekur më pëshpëriste “ me fal! Dhe… faleminderit për gjithçka ke bërë për mamane time!”.



Pyetje 5 Sa ju ka ndihmuar familja juaj në karrierën tuaj?

Jam rritur në një familje të vogël, ku unë isha fëmija i vetëm. Mamaja ime ishte arsimtare, ndërsa babai im publicist sportive. Fatmirësisht nuk më llastuan por më edukuan me seriozitetin, këmbënguljen dhe përgjegjësinë ndaj punës. Kur mbarova Fakultetin e Mjekësisë më emëruan pedagoge në Katedrën e Fispathologjisë, por unë dëshiroja të punoja në një sektor më të vështirë, që ishte Onkologjia. Ndihmën e parë ma dha babai im, që për herë të parë në jetën e tij bëri të vetmen ndërhyrje, duke i kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë një “favor” paradoksal, t’i ndërronin fëmijës së tij të vete një vend pune më komod me një tjetër specialitet që do të më ofronte jo vetëm mua netë të shumta pa gjume, por edhe atij duke pritur me ankth kthimin tim në shtëpi.





Ju ështe dashur që ndonjeherë të “ sakrifikoni” familjen për punën dhe cili është reagimi i familjarëve në këto raste?

Më pas, përkrah meje u shfaq bashkëshorti im, i cili jo vetëm që s’kërkoi nga unë “shtëpiaken” e mirë, por më nxiste të ecja në profesion. Ishte ai që më çonte në spital në mes të natës, me atë motoçikletën e vjetër, sa herë që ndonjë i sëmurë ndërlikohej dhe më priste në infermieri deri në agim. Ndërkohë që për mua e kolegët e mi koha kalonte pa u kuptuar në sallën e operimit. E, kjo skenë e përsëritur disa herë i dha të drejtën tim shoqi t’i përgjigjej me humor pyetjes së një shoku se si po e kalonte jetën bashkëshortore. Kësaj pyetje, ai i është përgjigjur: ”për mrekulli! Jam duke vazhduar Fakultetin e Mjekësisë nateën”. Më vonë familjes sime i’u shtua vajza ime e vetme, Ejona, çka shtoi edhe detyrimet e nënës dhe bashkshortit tim për rritjen dhe edukimin e saj, duke zëvendësuar mungesat e mia gjatë mjek-rojeve të shpeshta dhe angazhimeve të shumta profesionale.

Sa kohë i kushtoni familjes dhe detyrimeve tuaja si grua, nënë dhe një familjare e mirë?

Çdo njeri ka jetën e tij shoqërore dhe jetën e tij private dhe shpesh, netëve pa gjumë, pyes veten si i kam kryer detyrimet e mia; a kam ditur të vendos raport të drejtë midis këtyre dy jetëve? Për atë ç’kemi bërë më mirë na gjykojnë të tjerët, ndërsa për atë ç’ka s’kemi bërë më mirë mund të gjykojmë ne vetë. Nuk kam qenë një amvisë e mirë. Kur isha vajzë, rregullimi i dhomës së gjumit, llustrosja e këpucëve të babait dhe hekurosja e këmishave të tij ishin të vetmet punë që mund të bëja. Por edhe ato rrallë i bëja, aq sa mamaja ime me humor iu thoshte shoqeve të saj “Adelinën është vështirë sa ta detyrosh të bëjë një punë se po e bëri e bën të përsosur”. Edhe pas martesës unë bashkëjetoja me nënën time dhe ishte ajo që vazhdoi të kryente punët e shtëpisë. Shpesh dënoj veten për kohën e pakët që i kam kushtuar vajzës sime në fëmijërinë e hershme. Në përrallat pa të cilat atë se zinte gjumi dhe në lodrat që ajo i donte aq shumë. Shpesh rolin tim e kryente im shoq kur unë i mungoja shtëpisë. Edhe gjatë muajit të pushimit një pjesë të kohës ia merrja familjes për të kryer detyrat e punës. Gjatë vitit, e ndarë ndërmjet aktivitetit mjekues, pedagogjik e drejtues ku mund të gjeja kohë më të lirë se pushimet verore për të shkruar dizertacionin, tekstin për studentë apo për të hartuar “Programin kombëtar të luftës kundër kancerit”. Dikur, koha e kufizuar më kishte penguar për të qenë në vazhdimësi pranë vajzës sime kur ishte e vogël, ndërsa tani largësia e pamate më mohon të drejtën për të qenë sa më pranë nipit tim të vogël shqiptaro – lituanez. Por takimet tona sezonale mbushin me gëzimin e pritjes ditët e mia. Jorisi i vogël që sa ka mbushur një vjeç, fatmirësisht di t’i përgjigjet kërkesës sime në shqip “eja te nëna”, me një vrapim drejt meje që përfundon me një përqafim.





Na tregoni si e filloni dhe mbaroni një ditë të zakonshme?

Unë tani punoj me part- time në dy klinika duke patur një full – day me punë. Çdo paradite nga e hëna deri të shtunën e filloj punën rreth orës 9.00 me viziten e te semureve te operuar nje dite me pare, per te vazhduar me operacionet e ditës. Në shumicën e rasteve operacionet mund të zgjasin deri në orën 14.00 – 15.00, ndërsa çdo të hënë, të merkurrë, të enjte dhe të shtunë mbasditeve kryej vizitat e të sëmurëve, të cilat më marrin rreth 4 orë kohë. Orët e lira janë të pakta dhe një pjesë e tyre kalojnë me lexim literature profesionale e artistike, me ndjekjen e ndonjë emisioni televiziv, ndonjëherë me përgatitjen e ndonjë referimi për aktivitete shkencore. Në këto aktivitete më ftojnë të djelave dhe jo përherë drekoj në ndonjë lokal pranë detit, që si gjithnjë më jep më shumë nostalgji sesa qetësi. Ditët më të lumtura janë pushimet që programoj për të kaluar me vajzën, dhëndrin e nipin tim që jetojnë në Lituani. Largësia më bën që të numëroj nga dita e parë e takimit për të llogaritur edhe sa ditë mbeten për të qenë së bashku. Dhe që ditën e parë të largimit të tyre filloj të numëroj dhe sa muaj duhet të pres për tu ritakuar dhe kështu më duket se ditët rrjedhin më shpejt, pa menduar se ato janë ditët e jetës sime që s’kthehen më.



Ju keni pasur mjaft takime me personazhe të njohur të botës, siç është takimi me Nënë Terezën. Si e njohët ju atë dhe cilat ishin fjalët e saj?

Për mua do të mbetet i paharrueshëm momenti kur e pashë për herë të parë. Në ato çaste unë përjetoja emocionin e njeriut të zakonshëm që pret të takojë të jashtëzakonshmen Nënë Tereza. Por thjeshtësia në sjelljen e saj, ëmbëlsia e vështrimit dhe ngrohtësia e zërit të saj më bënë të kuptoja se ajo ishte një qënie sa qiellore po aq edhe tokësore. Nënë Tereza fliste pak, por për të flet shumë gjithë vepra e saj. Mësimi më i vlefshëm i Nënë Terezes është:“t’i kundërvësh egoizmit- sakrificën, mosmarreveshjes –mirkuptimin , urrejtjes –dashurinë. Sa e mirë do të ishte bota po të ndiqnim shembullin e saj. Ato ditë që kam qëndruar me Nënë Terezën nuk më ka rënë rasti që të flisja shumë sepse ajo fliste shumë pak. Kishte një trup të imët dhe një fytyrë që shprehte vetëm dashuri. Ajo që më ka ngelur në mendje është se Nënë Tereza kishte rreth 80 shtëpi apo qendra ku qëndronin Motrat dhe në një orë të caktuar në të gjithë botën në këto shtëpi kishte një lutje në shqip. Në të gjitha këto vende pavarësisht kombësisë të gjithë faleshin shqip.



Fliste shqip Nënë Tereza dhe a keni komunikuar në shqip gjatë qëndrimit në Tiranë?

Ajo fliste pak shqip, por jo se kishte harruar gjuhën, por sepse nuk mund të fliste dot pas gjithë atyre viteve që nuk kishte komunikuar me njeri në këtë gjuhë. Më kujtohet se ka pasur disa raste që ka folur në shqip, por e kishte të vështirë t’i vinin në mendje të gjitha fjalët. Pas largimit të saj, ajo më dërgon një letër përshëndetjeje që ishte shkruar në gjuhën shqipë. Kjo do të thotë se ajo nuk e kishte harruar shqipen dhe pse ishte larguar 17 vjeçe nga vendi i saj dhe kthehej pas shumë vitesh.



Ju keni pasur njohje me familjen e saj. Cilat kanë qenë kontaktet me familjen e Nënë Terezës dhe si i keni njohur?

Kur e kam njohur familjen e Nënë Terezës kam qenë mjaft e re. Mbaj mend që nëna dhe motra e saj ishin vendosur në një shtëpi në Tiranës. Nëna e saj vishej me veshjen tradicionale verirore, ndërsa motra e Nënë Terezës ishte një rrobaqepëse shumë e zonja. Unë jam njohur me to nëpërmjet disa njerëzve të afërt të mi dhe më pas kam qepur disa rroba te motra e saj. Ato kanë qenë dy gra të mrekullueshme dhe të respektueshme nga të gjithë. Pavarësisht se kishim dëgjuar që familja e tyre diçka kishte që përflitej, por kurrë nuk e dinim se familja e tyre kishte nxjerrë një emër të madh që e njihte gjithë bota. Madje motra e Nënë Terezës ka dhënë edicione lajmesh, që në atë kohë në Radio Tirana, pasi ishte e vetmja që dinte të fliste dhe transmetonte lajmet në gjuhën Serbo-Kroate. Ato ishin dy gra me karakter të fortë dhe që ishin të privuara nga disa gjëra të jetës, siç ishte takimi me Nënë Terezën që sa ishte gjallë nuk mundën ta takonin. Kjo e plotëson dhe figurën e Nënë Terezës, që në momentin që erdhi në vendin tonë vizitoi varret e dy njerëzve më të afërt të saj. Por për çudi në sytë e saj nuk gjeje urrejtje, që kishte kaluar gjithë jetën pa i parë nënën dhe motrën, për shkak të regjimit që nuk e lejonte. Në sytë e saj kishte vetëm qetësi dhe paqe, që rrallëherë e shikon tek njerëzit e zakonshëm.





Si i shihni problemet që ka shëndetësia shqiptare sot dhe cili është problemi më kryesor që ka sjellë këtë situatë kaotike?



Fatmirësisht mjekësisë shqiptare nuk i mungojnë as specialistët me përvojë dhe as përkushtimi i tyre në punë. Ndonjë dru i shtrembër tek-tuk nuk mund ta zbehë hijëshinë e pyllit të mështeknave. Që mjekësia të jetë e suksshme, asaj i duhet një strategji kombëtare që të vendosë prioritetet për priudha të caktuara kohore duke përcaktuar objektivat dhe gjetur mjetet për t’i arritur ato. Sigurisht që çdo staf politikbërës në mjekësi ka vizionin dhe përgjegjësinë e tij, ai mund ta modifikojë dhe përmirësojë strategjinë, por jo ta ndryshojë rrënjësisht atë sa herë ndryshon stafi. Mjekësia shqiptare po përjeton mangësitë e menaxhimit dhe vënia e theksit në përgatitjen e specialiteteve në këtë fushë është një hap shpresëdhënës. Resurset financiare të kufizuara janë një pengesë tjetër për një mjekësi bashkëkohore. Futja e sistemit të kujdesit shëndetësor është një hap tjetër i rëndësishëm për sigurimin e fondeve të nevojshme. Standardi i shërbimit shëndetësor kushtëzohet nga faktorë objektiv, por i pazëvendësueshëm është faktori subjektiv, pasioni për dije dhe humanizmi i personelit mjekësor. Askush s’duhet të harrojë se mjekësia s’është thjesht një profesion, por mbi të gjitha një mision.







11 Tetor 2008