Diferenca e brezave vetvetiu sjell edhe diferencën e ideve por nuk është kjo ajo që na ndan. Ajo që na ndryshon është siptoma e fajit, që njihet si produkt i brezit të ri. Adoleshenca është mosha më e prirur për të krijuar idetë e gabimeve, fajeve dhe deformimeve të së tashmes. Është niveli i prirur për të krijuar idenë e ndryshimit dhe për të pranuar sfidën. Adoleshenca nuk ka frikë për të pranuar se po gabon gjatë ndryshimit të vetes dhe të procesit.



Asnjë shoqëri nuk mund të realizojë instiktivisht përcjelljet dhe kapërcimet, qoftë këta edhe të papritura. Kjo për të frenuar paksa sfidat dhe ndikimet masive të rasteve regresuese. Por në të gjitha këta dukuri shfaqjeje, shoqëria duhet të kujdeset për të mos penalizuar dhe lënë mënjanë, por përkundrazi për të shërruar dhe trajtuar si sëmundje dhe pjesë të edukimit të vet. Natyrisht që këtë mund dhe duhet ta realizojë familja dhe shkolla.



Shumica e psikologëve janë të një mendjeje se adoleshenca fillon në kohën e pubertetit. Për meshkujt, puberteti arrihet afërsisht në moshën 13 vjeç; për femrat kjo rreth moshës 11 vjeç. Por psikologët nuk bien dakort për kohën kur mbaron adoleshenca dhe kur fillon mosha e rritur, por kjo kohë është zakonisht diku mes moshës 18 dhe 21 vjeç. Adoleshenca është në kuptimin e vërtetë të fjalës një tranzicion prej varësisë te pavarsia dhe përfundon kur individi arrin statusin e të rriturit.



Nëse në botë ka diçka më të vështirë se të jesh adoleshent, është të jesh prind adoleshenti. Kjo ndodh për vetë faktin se fjala “Adoleshencë” është e barabartë me “Vështirësi”. Themi kështu sepse gjatë kësaj moshe ndodhin transformimet kryesore në organizmin dhe gjendjen e brendshme të fëmijës. Këta transformime mund ti përmbledhim në Biologjike dhe Shpirtërorë. Kjo moshë shoqërohet me ndryshime të lehta shpirtërore. Fëmija tashmë fillon ti besoj më shumë vetvetes dhe kërkon që fjala e tij të mos neglizhohet si nga familjarët e tij ashtu edhe nga rrethi shoqëror. Një tjetër nuancë e kësaj moshe është tendenca e fëmijës për tu mbyllur në vetvete. Në këtë periudhë adoleshenti mundohet që problemeve që has tju gjej vetë zgjidhje. Për të e vetmja gjë që mund të jetë e drejtë, është mendimi dhe zgjidhja që ai afron. Brenda tij fillon të mos ekzistojë më rehatia e brendshme siç ndodhte më parë kur për çdo problem zgjidhja i vinte nga të rriturit. Me problemet që has në këtë mënyrë, fëmija fillon të ketë ndryshime edhe në oreks dhe në orarin e gjumit. Hallet e shumta të cilave në të shumtën e rasteve nuk arrin dot tju jap drejtimin e duhur, ndikojnë në çdo aspekt të jetës së tyre. Megjithëse të gjithë adoleshentët përjetojnë probleme, disa prej tyre vuajnë nga një stres ekstrem dhe kanë probleme të rënda. Një problem serioz, i cili po rritet dukshëm është vetvrasja që kryhet në këtë moshë. Çdo vit mbi 5000 adoleshentë kryejnë vetvrasje. Shumë të tjerë ë kryejnë diçka të tillë sepse ndihen të depresuar dhe të padobishëm. Abuzimi me drogat është një tjetër problem i rrezikshëm në adoleshencë. Edhe pse alkooli dhe marijuana janë drogat më të përdorura, kokaina dhe drogat e tjera po përdoren gjithashtu.



Problemet Kryesore:



• Adoleshenca sjell tronditjen e lidhjes prind-fëmijë



Ashtu siç e theksuam edhe më sipër, adoleshenca shënon moshën e kërkesës për pavarsi të fëmijës. Këtu fillon edhe problemi i nënvlerësimit të vlerës së prindit. Mosmarrëveshja me problemin, trajtimi i tij sikur të mos ketë ndodhur, fshehja për hirë të frikës, shkaktojnë problem social të braktisjes së fshehtë. Në këtë mënyrë adoleshenti bëhet i ftohtë, indiferent dhe agresiv kur i kujton detyra dhe angazhime të tjera që nuk kanë të bëjnë me dëshirën e tij.



• Kërkesat rinore në planin emocional, intelektual dhe tendenca për afirmim



Fëmijët e kësaj moshe, përsa i përket anës emocionale, ndiejnë një ndryshim rrënjësor. Në të shumtën e rasteve fillojnë të vihen re seriozisht ndjenjat përkundrejt sekseve të ndryshme. Fëmija tashmë fillon, ose më saktë kërkon që mendimi i tij të dëgjohet dhe të merret parasysh. Ai kërkon që të afirmohet sa më mirë në çdo problem që mund të ndodh në familje apo në mjedisin që e rrethon.



• Ndjenja e të rriturit, kërkesa për tu dukur i tillë dhe dëshira për të përdorur inteligjencën.



Në të shumtën e rasteve prindërit nuk marrin kurrësesi parasysh mendimin e fëmijës së tyre për ata që ndodhin brenda familjes. Kjo i shtyn akoma më shumë fëmijët që të mundohen për tu dukur më të rritur dhe të bindin prindërit e tyre se janë në gjendje të përballen me jetën. Ata përpiqen me çdo mënyrë që tu tregojnë të rriturve që fjala e tyre është me e drejta dhe se ata janë rritur.



• Shkëputja shipirtërore nga familja:



Ky është një nga faktorët më negativ që shoqëron moshën e adoleshencës. Fëmijët e kësaj moshe në të shumtën e rasteve nuk arrijnë dot të gjejnë mbështetjen e duhur familjare ose të paktën ushqehen me një mendim të tillë. Kjo sjell që ata ti largohen familjes dhe të mbështeten më shumë në mendimet e veta dhe në shoqëri. Adoleshenti kërkon udhë “të shkurtra” për tu rritur, ose për të treguar veten të madh.



Prindi; i pazëvendësueshëm:



“- 6 vjeç : Babai di çdo gjë…



- 10 vjeç : Babai di shumë gjëra



- 14 vjeç : Babai nuk di edhe aq shumë



- 17 vjeç : Babai nuk di asgjë



- 30 vjeç : Sikur ta pyesja babanë s`do bëja keq



- 40 vjeç : Babai di shumë gjëra



- 50 vjeç : Babai di çdo gjë



- 60 vjeç : Ah ta kisha babanë e ta pyesja…



Në momentin kur fëmija çdogjë e merr nga prindi, atëherë ky i fundit është i pazëvendësueshëm për të. Me kalimin e kohës kur ai i afrohet moshës 10 vjeçare dhe fillon të hapet dhe përballet më ambientin e jashtëm, atëherë nis edhe faza kur fillon të vë re ndonjë gabim tek prindi. Në këtë moment rëndësia e prindit për të fillon të bie. Në moshën 14 vjeçare kur është edhe hyrja e plotë në adoleshencë, fëmija tashmë ndihet ndryshe, apo siç thotë populli “Për të ç'fluturon hahet”. Mosha kulminante e adoleshencës dhe që përbën edhe atë më të rëndësishmen për vendimarrjen në formimin e plotë të mendimit për tu përgatitur për jetën, është kur fëmija arrin 17 vjeç. Në këtë moshë ai duket sikur nuk e ndien aspak më nevojën e prindit për vetë faktin se edhe përplajset më të mëdha prind-fëmijë ndodhin në këtë moshë.



Mosha 30 vjeçare përbën edhe përballjen e plotë të individit me jetën. Në këtë moshë një pjesë e mire e njerëzve ka arritur të bëhet prind dhe fillon të ndiej dhe kuptoj akoma më mirë rolin e prindit ndaj fëmijës. Këtu lind edhe pyetja e individit “Sikur ta pyesja babanë s'do të bëja keq”. Me kalimin e kohës kur tashmë individi ka krijuar familjen e tij ndien akoma më shumë rëndësinë e konsulencës që prindi i ka ofruar më parë.

(vijon)