Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Adoleshentët e “pasur” bien më së shumti pre e përdorimit të drogave. Ndërsa zonat më të rrezikuara në kryeqytet nga përdorimi i lëndëve narkotike janë ajo e Bërrylit, Vasil Shantos dhe pranë Shkollës së Bashkuar. Pikërisht në këto zona janë përqendruar dhe operacionet e seksionit të luftës kundër drogës. Sipas raporteve të publikuara nga qendrat që trajtojnë toksikomanët, shifra e përdoruesve të drogës është rritur krahasuar me një vit më parë. Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur shifrat, ku thuhet se është në rritje numri i përdoruesve të drogës dhe vdekshmëria prej saj. Mosha mesatare e përdoruesve të drogës është 14-27 vjeç, që janë dhe përdoruesit më të mëdhenj. Por nuk përjashtohen dhe moshat e tjera më të mëdha, që janë në një numër më të vogël se të rinjtë. Ndërsa studimet e ndryshme sociologjike të raportuara nga Aleanca Gjinore për Zhvillim tregojnë se përdoruesit e drogës rriten në kushte të mira familjare si për sa i përket nivelit arsimor të prindërve, ashtu edhe për nga niveli i jetesës. Tendenca e përhapjes së drogës tek familjet me nivel të mirë jetese ose tek familjet intelektuale shpjegohet me faktin se ata bëjnë përpjekje që fëmijëve të tyre t u krijojnë kushte sa më optimale, si për t u ushqyer, veshur, po ashtu edhe për plotësimin e nevojave materiale e shpirtërore, si dhe mund të shpjegohet me disa prirje liberale të tyre.

Drogat

Nga studimet e bëra droga më e përdorur dhe më e përhapur rezulton të jetë kanabis sativa. Pas saj, një numër më i vogël përdor heroinë dhe kokainë, që janë droga të forta dhe të shtrenjta. Problematika kryesore shfaqet tek adoleshentët, të cilët janë viktimat e para të drogave. Ndërkaq në vend, një sërë shoqatash, organizatash dhe institucionesh shtetërore punojnë dhe ofrojnë asistencë për të droguarit. Një përqindje e mirë e të trajtuarve i rezistojnë rikthimit në përdorimin e drogës, ndërkaq një pjesë tjetër i rikthehet asaj sapo largohet nga qendra e intoksikimit. Përdorimi i drogave në vend, në shumë raste bëhet edhe në ambiente të hapura, ndërsa nuk mungojnë rastet kur banorë të pallateve në Tiranë, gjejnë shiringat e përdorura nga narkomanët pas marrjes së dozës. Gjithashtu, në kryeqytet janë bërë dhe operacionet më të mëdha të personave që janë ndaluar nga forcat policore për shitje, përdorim të lëndëve narkotike të ndryshme, që nga ato më të lehtat deri tek ato më të rëndat dhe më të shtrenjtat.

Konsumi

Mësohet se 96 për qind e përdoruesve të drogës janë nën 40 vjeç. Sipas statistikave të studimeve të bëra nga institucionet shtetërore, në përdorimin e drogës dominon mosha 19-30 vjeç. Përdorimi i lëndëve narkotike nga të rinjtë zë 60 për qind të të gjithë personave. Nga të dhënat e anketës vihet re gjithashtu se përdorimi i drogës ka një përqindje të lartë, 61.8 % me shokë në kafene, 44.1 % me shokë në rrugë dhe 26.5 % me nxënës shkolle, 20.6 % e pinë vetë dhe 8.8 % me të huaj. Këto të dhëna janë një sinjal paralajmërues se në vendin tonë ka filluar të përdoret droga në grup.



Faktorët që çojnë minorenët drejt drogës

Në nisjen e drogës nga të rinjtë ndikojnë shumë edhe problemet familjare e sidomos divorcet e prindërve. Nga 601 të anketuar, vetëm 19 % e tyre kanë pohuar se prindërit e tyre janë divorcuar. Nga ata që janë me prindër të divorcuar 42.1 % jetojnë me nënën, kurse 10.3 % me babanë. Nga intervistat e bëra del se përqindja e të rinjve që vijnë nga familje të divorcuara po rritet. Psikologët theksojnë se prishjet martesore dhe veçanërisht ndarjet e prindërve rrisin propabilitetin e përdorimit të drogës nga rinia, për arsye se bie interesimi i prindërve për mbështetje aktive ndaj fëmijëve. Kështu, nëse i krahasojmë të dhënat vetëm për arsimin e lartë të prindërve, te të anketuarit del se arsimi i lartë i nënës është 40%, i babait 51 %, ndërsa për të droguarit këto shifra janë përkatësisht 62% dhe 74%. Rreth 23.5 % e të anketuarve pohojnë se kanë nivel jetese shumë të mirë, 52 % i mirë dhe 22 % disi i mirë. Vetëm 1 % e të anketurave pohojnë se kanë një nivel të keq jetese.



Shkollat

Sipas statistikave nga Aleanca Gjinore për Zhvillim, del se në shkollën e mesme janë 12,1 % e të anketuarve që përdorin drogë, kurse në shkollat e larta gati 5 %. Ajo që bie në sy nga anketat e zhvilluara në shkolla është fakti se në shkollat e mesme kemi 11 % të femrave që pinë drogë. Kjo tregon për prirjen në rritje të përdorimit të drogës që në moshën e adoleshencës, por dhe rritjes së shkallës së varësisë ndaj drogës.

Rezultatet në mësime

Tek të rinjtë e shkollave vihet re se gati 12.5 % e meshkujve që vijnë nga rrethet janë përdorues të drogës. Lidhur me rezultatet në shkollë del se 24 % e përdoruesve të drogës kanë rezultate shumë të mira në shkollë, 35.3 % të mira dhe 14 % disi të mira.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2009