Sapo ka përfunduar faza e parë e sistemit të ri të adresave në kryeqytet. Tirana, aktualisht, numëron një mijë rrugë, ndër të cilat 840 janë emërtuar së fundmi. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës e konsiderojnë adresarin e ri si një synim afatgjatë për të garantuar një sistem modern adresash, të ngjashëm me atë që ekziston edhe në vendet e tjera evropiane.

Përfaqësues zyrtarë të pushtetit vendor kryeqytetas konfirmojnë faktin se "adresat, përveç emrit të rrugës do të kenë edhe një numër rendor, që do të personifikojë çdo godinë".



Aktualisht, ka përfunduar puna për emërtimin e të gjitha rrugëve dhe shesheve në qytetin e Tiranës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të këtij projekti. Së shpejti, këto emërtime do të jenë të hedhura edhe në sistemin GIS, në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, ku çdo qytetar do të ketë mundësi të vizitojë faqen dhe të marrë informacionin e duhur.

"Bashkia e kryeqytetit është duke vijuar punën për realizimin e projektit të Adresarit të qytetit, i cili do të krijojë një standard të ngjashëm me ato të qyteteve europiane", shprehen përfaqësuesit bashkiakë.



Ndërkohë që, ka filluar puna edhe për formatimin e fazës së dytë të projektit. Kjo fazë lidhet me numërtimin e godinave. Ky është parashikuar të jetë edhe hapi i fundit drejt krijimit të Adresarit të Tiranës, ku çdo godinë do të ketë për referencë një emër rruge (në të cilën ndodhet), si dhe një numër të godinës dhe shkallës. Projekti zhvillohet në bashkëpunim edhe me njësitë bashkiake të Tiranës.

Me përfundimin e Adresarit, projekti do të shtrihet edhe në regjistrat e gjendjes civile, të cilat do të përshtaten me adresat e reja.