Reportazh

Gjashtë vjet pas përfundimit, ende asnjë fluturim. Shpresohet që vepra të zgjerohet nga amerikanët

Aeroporti i Kukësit, për momentin është një vepër pa përfitues, ndonëse flitet për zgjerim të pistës së fluturimeve apo përfshirje të interesave të të huajve. Në projekt ishte parashikuar të fluturonin 100 mijë pasagjerë në vit dhe të punësoheshin më shumë se 100 persona. Por deri më sot, asgjë nga këto nuk ka ndodhur.


Fusha e rrethuar

Gjashtë vite pas përfundimit, aeroporti i Kukësit i ngjan një “pashallëku” të rrethuar me tela, ku rojet lejojnë vetëm kundrimin nga larg. Me gjithë problemet që pati gjatë ndërtimit, kryesisht me pronarët protestues, të cilët e bllokuan disa herë gjatë realizimit, te banorët e Kukësit ngjalli shpresën e bukur të afrimit me Europën. Por tani pas kaq vitesh, në aeroport ka vetëm një drejtor të emëruar dhe asgjë tjetër, ndërsa ruhet nga një grup rojash private të kontraktuar. Natyrshëm lind pyetja: Kur do të vihet në punë ky aeroport? Rojat tregojnë se as që janë të interesuar për këtë. “Ne paguhemi për ruajtjen e tij dhe kështu siç është bosh, nuk na bën përshtypje, për ne njësoj është”, tha një roje, duke shtuar se duhej të merrnim leje për të fotografuar nga larg, pasi nga brenda as që bëhej fjalë.


Një vepër pa përfitues

Vitet kalojnë dhe aeroporti ende nuk po vihet në punë, as për të fluturuar drejt Europës, siç patën ëndërruar të rinjtë kuksianë, e as për t’u punësuar në të. Menjëherë pas ndërtimit, në zonën e aeroportit u afruan biznese ambicioze, por kur panë se nga kjo fushë nuk mund të bëhen fluturime, u larguan. Fshati Shtiqën, ku shtrihet pjesa më e madhe e aeroportit, është përfituesi i vetëm deri tani. Dhjetëra familje kanë përfituar shpronësimin e tokës, një pjesë e të cilave në sasi jo të paktë dhe me çmim të arsyeshëm. Kanë ngritur ndonjë biznes të vogël në qytet apo kanë ndërtuar shtëpi të reja. Përveç kësaj, më shumë se 10 kryefamiljarë punojnë si roje private.


Shpresa

Thashethemnaja sipas të cilës aeroporti do të zgjerohet dhe se një pjesë e mirë e fshatit, në mos krejt fshati, do të zhvendoset prej aty, përbën një ëndërr të bukur për banorët e fshatit Shtiqën. Ndoshta si realitet i ardhshëm, ndoshta si kompensim i mungesës së ndikimit që pritej të kishte aeroporti. “Kjo është një vepër pa përfitues, veç në na marrtë amerikani, atëherë, po, le të ikim prej këtu”, tha ai, duke sqaruar se kohët e fundit qarkullonin fjalë sikur aeroporti do të zgjerohej për t’u bërë me dy pista. Edhe një tjetër banor pohoi se kishte dëgjuar nga njerëzit që amerikanët do ta zgjeronin aeroportin dhe kjo gjë sipas tij, nuk ishte e thjeshtë. “Po flitet se kjo fushë do të zgjerohet sa dyfishi dhe atëherë ne i bie që të lëmë fshatin, ndoshta i duhet Amerikës kjo zonë”, tha një banor nga Shtiqni. Ndërkaq, një djalë i ri me emrin Ruzhdi, i cili punonte në lokalin e vetëm në rrugën e aeroportit, të cilin e kishin bërë vëllezërit tij me kontributin e shumë viteve emigracion, tha se në vendin ku punonte mund të ngriheshin konstruksione të NATO-s dhe se ai pasi të shpronësohej, do të ikte në bregdet. “Të gjithë këtë malin e Gjallicës pas nesh do ta marrë amerikani, ne nuk kemi ku të shtyhemi më, a i ke parë helikopterët që kanë fotografuar zonën?”, tha ai në mënyrë retorike, duke shtuar se vetëm ky hap do të ishte për banorët një shpëtim. “Këtu nuk mund të fluturojë aeroplan ndërkombëtar edhe 16 vite deri sa të përmbushet koncesioni i Rinasit”, tha Ruzhdiu, duke përmendur kontratën e koncesionit të aeroportit “Nënë Tereza” të bërë 6 vjet më parë, sipas së cilës, për 20 vite do të ketë vetëm ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri.


Thashethemet

Kur i pyesim banorët se nga e dinë ata që këtu do të bëhen punime ushtarake për NATO-n dhe se fshati do të shpërngulet, ata të thonë thjesht, kështu thuhet. “Po flitet, radio-populli po flet sikur ky do të shërbejë për interesa ushtarake”, tha një mësues i zonës, duke folur për aeroportin. Në të vërtetë burime gjysmë zyrtare flasin për mundësinë e zgjerimit të pistës, madje, siç thuhet, fusha do të zgjatet dhe do të ndërtohet edhe një pistë tjetër. Mirëpo asgjë nga këto nuk mundëm të konfirmojmë zyrtarisht. Banorët sidoqoftë vazhdojnë të besojnë.








#