Janë sipërmarrës, menaxherë, komisionerë. Fitojnë shuma të mëdha parash dhe pëlqejnë të jetojnë në luks, mes makinave, bizhuterive të shtrenjta dhe fushave të golfit. Pas fundit të aparteidit, janë zezakët ata që po korrin më shumë sukses. Përbëjnë një të tretën e fuqisë blerëse të vendit dhe janë fytyra e re e Afrikës Jugore





Është një ditë e shtunë me diell në Afrikën e Jugut. "Johanesburg Country Club", është një prej institucioneve më të rëndësishme të Afrikës së Jugut. Moss Gondwe po pi një filxhan çaj mbi tarracën e barit dhe vështron drejt 600 hektarëve tokë që do të bëhen fusha golfi. Heshtjen e thyejnë vetëm disa cicërima zogjsh shtegtarë.



Në 102 vjet jetë, ky klub ka qenë simboli i fuqisë dhe prestigjit të pakicës së të bardhëve. Me fundin e aparteidit, gjërat ndryshuan, jo menjëherë, por dalëngadalë. "Në të kaluarën shteti kishte ligje dhe ne duhet t‘i respektonim", shpjegon Michael Edy, drejtori i qarkut. Pas vitit 1994, klubi u hapi portat e tij edhe zezakëve afrikanojugorë. Sot, një e katërta e pjesëtarëve të klubit janë zezakë, përfaqësues të elitës me ngjyrë, numri i të cilëve vazhdon të rritet dita-ditës. "Për sa i përket përbërjes demografike të vendit, nuk jemi barazuar ende. Gjithsesi, ngjyra e lëkurës nuk është më pengesë për t‘u bërë pjesëtar i këtij klubi", thotë Edy.



Moss Gondwe është bërë kapiteni i parë me ngjyrë i skuadrës së golfit. "Jam rritur në një familje të urtë, në geton e Sovetos", shpjegon 50-vjeçari, ndërkohë që bën shaka me një sipërmarrës të bardhë. Po përgatiten për sfidën e madhe. "Ime më ishte analfabete, im atë kishte studiuar deri në klasë të katërt, ndërsa unë luaj golf". Ndryshimi në përbërjen e "Johanesburg Country Club" pasqyron rritjen e madhe të elitës me ngjyrë në Afrikën Jugore. Në vitin 1991, vetëm 9 për qind e familjeve të pasura të qytetit ishin me ngjyrë. Më 1996-ën, dy vjet pas përfundimit të regjimit racist, përqindja ishte trefishuar. Ndryshimi vazhdoi për vite me radhë gjatë mijëvjeçarit. Sipas analistëve ekonomikë, shifrat tregojnë një prej metamorfozave më të mëdha sociale qëkur Nelson Mandela u zgjodh Presidenti i parë me ngjyrë i vendit, 15 vjet më parë. Ristrukturimi nuk është limituar edhe në përmirësimin e fushave të ndryshme të shoqërisë. Përkrah kastës së super të pasurve, është zhvilluar një shtresë e mesme me ngjyrë, shumë e fuqishme, që psikologët e kanë pagëzuar me emrin "Diamanti i zi".



"Në fund, Afrika e Jugut është e të gjithëve", thotë duke buzëqeshur një zezak, i cili po parkon "Lamborgini"-n në garazh dhe që instinktivisht i hedh një vështrim orës me diamante. Në Johanesburg, pasanikët e rinj kanë shumë para dhe përpiqen ta tregojnë këtë me çdo gjest. "Shpenzoj shumë. I ndërroj çdo muaj makinat", shpjegon me pak fjalë djaloshi, që në pak vite ka ndërtuar një "perandori" me shitblerjen e mobilieve. "Nuk është dëshirë për të treguar luks. Janë thjesht veprime terapeutike. Kam një sërë përgjegjësish. Ndihem mirë me pasurinë që kam".



Ish-presidenti afrikan, Thabo Mbeki, i lidhur me pakicën e pasanikëve, e kishte përshëndetur shfaqjen e kësaj "shtrese shoqërore kapitaliste me ngjyrë", duke e përshkruar ekspansionin si një prej sukseseve të qeverisë së tij. "Tani duhen përmirësuar kushtet e jetesës së popullsisë zezake", kishte shtuar ai. Karriera e tij politike kishte përfunduar më herët. Suksesi i elitës e ka shtuar më shumë mundimin e njerëzve me ngjyrë, që pavarësisht fundit të aparteidit, nuk kanë arritur t‘ia dalin mbanë dhe kanë mbetur në të njëjtat geto. "Të gjithë kemi luftuar për liri", tregon Joyce Mathela, e cila punon në një supermarket të vogël dhe jeton në geton e Kliptown. "Ata që kanë bërë para, sillen si të bardhët, madje edhe kur vijnë të takojnë prindërit këtu në qytezë". Kriza ekonomike ka prekur edhe Afrikën e Jugut. Në këtë vend janë rritur edhe më shumë vështirësitë për pjesën më të madhe të zezakëve. Papunësia dhe kriminaliteti janë problemet e ditës. Pothuajse e gjithë popullsia me ngjyrë është e tensionuar. "Disa njerëz të bardhë ndihmojnë shoqërinë afrikanojugore të pas aparteidit", thekson një shkrimtare që merret me fenomenin. "Por pjesa më e madhe e kësaj elite është vetëm individualiste".



Afrika e Jugut po përgatitet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të zhvillohen në fund të muajit prill dhe ka gjasa që triumfues të jetë Jacob Zuma.



"Jemi një shembull", shpjegon një financier, i cili po viziton ekspozitën e veturave luksoze më të famshme në Johanesburg: "Brezat e vjetër ishin mësuar të shihnin vetëm gangsterët zezakë të udhëtonin me këto makina. Ne kemi treguar se me kulturë dhe punë mund të fitohen shumë para".



Moss Gondwe sheh topin e golfit ndërsa futet në gropë dhe thotë: "Njerëzit janë të ndryshëm, disa dëshirojnë të duken, e disa të tjerë jo, por diçka është e vërtetë: nuk i kemi harruar familjet tona që jetojnë në geto. I ndihmojmë, investojmë, mbledhim para". Por duhet të kalojnë edhe disa breza që Afrika e Jugut të ndryshojë vërtet, më pas kushtet e jetesës do të përmirësohen, të paktën për pjesën më të madhe të zezakëve. Sot, të rinjtë zezakë dhe të bardhët rriten së bashku dhe pas pak kohësh nuk do t‘i kushtojnë më rëndësi ngjyrës së lëkurës.