Laureta Rryçi



Agjencia e Trajtimit të Kredive duket se ka gjetur një alternativë të re për të rimarrë paratë huamarrësve të vjetër. Burime nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës bëjnë të ditur

se gjatë ditëve të fundit janë regjistruar në kryesekretari shumë padi ku kërkohet sekuestrimi i apartamenteve të qytetarëve që janë në borxh me këtë agjenci. Të njëjtat burime sqaruan se këto dosje i kanë kaluar fazat e para dhe pritet që të nisë shqyrtimi shumë shpejt. Në kërkesë-paditë e depozituara vihet re se personat që kanë përfituar kredi gjatë viteve të para të ’90-s aktualisht disponojnë apartamente mbi 100 metra katrorë. Pas këtyre padive qytetarët që janë në borxh me ATK-në rrezikojnë të humbasin shtëpinë e tyre. Burimet shpjeguan se pas vendimit të Gjykatës do të jetë Zyra e Përmbarimit në Tiranë që do t’i ekzekutojë këto vendime. Burime pranë Agjencisë së Trajtimit të Kredive shpjeguan dje për gazetën “Albania” se kjo situatë është edhe në rrethe, dhe këto ditë ka nisur depozitimi i padive në gjykatat që kanë juridiksionin e vendbanimit të huamarrësve. Ndërkohë, specialistët e ATK-së kanë nisur vetë të bëjnë verifikimet shtëpi më shtëpi të huamarrësve. Në këtë mënyrë ata japin adresa të sakta në dosjet që dorëzojnë në Gjykatë.

Favorizimet

Pas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave, drejtuesit e Agjencisë thanë me vendosmëri se të gjithë debitorët që do t’u shmangen detyrimeve do të përballen me kërkesat për sekuestrim të pasurive të paluajtshme. Kjo deklaratë po vihet në praktikë ditët e fundit jo vetëm nga zyra e Agjencisë së Trajtimit të Kredive në Tiranë, por edhe nga filialet që janë nëpër rrethe. Sipas punonjësve të ATK-së, nga puna e bërë në degët në qarqe, në çdo rreth numërohen me qindra debitorë që aktualisht janë emigrantë. Në të kundërt, këta individë do të përballen me sanksionet e reja të vendosura nga ligji i ri për trajtimin e kredive të vjetra, si dhe do të përballen me sekuestrime të pronave të patundshme nga ana e Përmbarimit.

Gjatë periudhës së pushimeve verore u konstatua se nuk ishin të pakët edhe emigrantët që kanë nisur shlyerjen e kredive, por kryesisht për kreditë në shuma të vogla, duke përfituar edhe nga lehtësirat që parashikohen në ligj. Sipas burimeve pranë ATK-së, askush të mos mendojë se kreditë e tërhequra do të falen.

Agjencia

Agjencia e Trajtimit të Kredive u krijua me një ligj të posaçëm në vitin 2002, kur u vendos që të përllogaritej dhe të rikthehej borxhi që shumë subjekte u kishin bankave. Sipas të dhënave rezulton se dosjet më të vështira janë ato të krijuara rreth viteve '92-‘96, kur masa e kredive të dhëna dhe menaxhimi i aseteve ka qenë thuajse tërësisht jashtë kontrollit. Ky problem është ende një plagë e rëndë financiare e pambyllur. Sipas ligjit të ri, ATK-ja ka kompetenca të plota për të vepruar me të gjithë të drejtat në sekuestrime kapitale pronash të patundshme, llogarish bankare etj., deri në shlyerje të masës së detyrimit ndaj shtetit. Në Shqipëri, gjatë viteve 1992-1996, u dhanë 313 mijë kredi. Këto kredi janë dhënë me "urdhër dore" prej deputetëve, kryetarëve të partive të rretheve, apo dhe funksionarëve të pushtetit lokal, duke mos respektuar asnjë rregull financiar bankar. Vetëm brenda vitit 1992 u dhanë 2.3 milionë dollarë kredi në qytet dhe 1.9 milion dollarë kredi në fshat. Atëherë nisi boshatisja e bankave dhe mbushja e firmave piramidale. Lekët që dolën nga bankat e shtetit, si Banka e Kursimeve, Banka e Shtetit, Banka Tregtare, Banka Bujqësore etj., u depozituan në piramidat financiare, të krijuara po nga njerëzit e pushtetit dhe të politikës. Këto kredi janë dhënë në mënyrën më të paligjshme dhe më absurde edhe për një komunitet pa banka. Sipas pasqyrës së ATK-së për këtë periudhë, kredia më e vogël e dhënë ka qenë 3.5 milionë lekë të vjetër.



Box



Vendimi i qeverisë që u fali borxhlinjve kamatëvonesat



Qeveria, me anë të një vendimi të posaçëm të nxjerrë para pak kohësh, ka vendosur faljen e interesave, gjobave dhe kamatëvonesave për të gjithë debitorët që kanë marrë kredi në ish-bankat shtetërore. Kjo është bërë me kusht që këto subjekte të bëjnë pranë ATK-së shlyerjen e principalit (bazës) së kredisë të marrë në vite. Por edhe pse qeveria vendosi bërjen e këtyre lëshimeve jo të vogla, përsëri ata që kanë bërë shlyerjen e kredive janë vetëm një pjesë e vogël. Sipas ATK-së, më problematikë janë emigrantët, të cilët jo vetëm që nuk interesohen për shlyerjen e kredive, por dhe në një pjesë të madhe të tyre nuk kanë adresa për t’u kontaktuar. Mjaft prej tyre, ndërsa ishin larguar nga vendi, nuk kishin lënë asnjë lloj adrese, shpeshherë në pamundësi për ta bërë këtë gjë, ose me synimin për t’iu shmangur detyrimeve që kishin me ATK-në. Tashmë duket se ky problem ka hyrë në rrugën e zgjidhjes, pasi punonjës të ATK-së kanë filluar të kontaktojnë me emigrantët e ardhur nga Greqia apo shtete të tjera gjatë pushimeve verore. Burime pranë kësaj agjencie bëjnë të ditur se përpjekjet për të kontaktuar me ta kanë qenë të mira. Në lidhje me këtë çështje burime pranë ATK-së theksojnë se këto përpjekje kanë sjellë rezultate të kënaqshme, pasi jo vetëm që kanë mundur të kontaktojnë me emigrantët e ardhur, por në të njëjtën kohë edhe të krijojnë një lidhje për të pasur një komunikim të vazhdueshëm dhe të ndërsjellë.



Shtëpitë

Falja për personat që kanë blerë shtëpi bëhet me kusht që të shlyhet menjëherë, të paktën 40 për qind e principalit të transferuar apo e shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shume se 3 vjet.



Kërkesa

Debitori ka të drejtë të kërkojë ristrukturimin e detyrimit, sipas lehtësive të parashikuara në vendimin e qeverisë, vetëm një herë. Në rast se debitori nuk u përmbahet kushteve të marrëveshjes së lidhur, kërkohet likuidimi në rrugë ligjore i detyrimit të kontabilizuar në Agjencinë e Trajtimit të Kredive.











11 Nentor 2009