TIRANE – Fillon ditën e sotme, procesi i pranimit të kandidatëve të rinj që do të ndjekin studimet pranë Shkollës së Policisë për “Patrullën e Përgjithshme”. 

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, procesi i regjistrimit për aplikim fillon sot më 21 maj 2008 dhe mbyllet më 25 qershor 2008. “Konkurrimi me shkrim do të bëhet në datën 10 korrik 2008 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në orën 08.00. Kuota e pranimit në Shkollën e Policisë do të jetë 150 persona”, thanë burimet zyrtare nga policia. Sipas saj, kriteret e domosdoshme për përzgjedhjen e një kandidati si punonjës i Policisë së Shtetit janë: të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë, të ketë zotësi të plotë për të vepruar, të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën, të ketë mbaruar shkollën e mesme, të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor, të mos jetë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë, të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. Burimet zyrtare thanë se, nuk ka të drejtë të aplikojë për t`u pranuar në polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga shërbimi civil. Zyra e shtypit e policisë deklaroi se, dokumentet e nevojshme për aplikimin, të cilat dorëzohen pranë Drejtorive të policisë në qarqet përkatëse janë: formulari i plotësuar i aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, fotokopje e pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi, kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme, dëshmi penaliteti, fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. “Trajnimi të cilit do t`i nënshtrohen aplikantët fitues do të përbëhet nga një trajnim policor bazë 20-javor pranë Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”. Gjatë trajnimit bazë policor aplikantët do të trajnohen për të përmbushur të gjitha detyrat e një punonjësi policie, duke përfshirë patrullimin parandalues, hetimin paraprak të krimeve, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, policimin në komunitet dhe zbatimin e strategjive bashkëkohore të zbatimit të ligjit”, thanë burimet zyrtare.