Kryeministri Berisha dhe ministri Beja kanë paralajmëruar prej disa kohësh akreditimin e të gjitha universiteteve publike e private në vend nga një agjenci e huaj, në mënyrë që të krijohet besueshmëria në sistemin tonë në arsimin e lartë. Por, deri më sot Agjencia Publike e Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë ka akredituar 4 nga universitetet private dhe të gjitha universitetet publike. Ndërkohë, një sërë degësh në universitet publike nuk kanë kaluar në vlerësimin e AAAL-së.


Akreditimi i universiteteve private


Në vendin tonë ekzistojnë në total 23 institucione private të arsimit të lartë. Por, prej tyre, vetëm katër kanë kaluar në sitën e Agjencisë së Akreditimit, ndërkohë që disa të tjera kanë nisur zyrtarisht procedurat e akreditimit. Sakaq, shumica e universiteteve private nuk kanë hyrë në këtë proces, një pjesë e të cilave sepse nuk kanë dhënë diplomat e para.


Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Akreditimit, universitete private të akredituara janë Universiteti i “Nju Jorkut-Tiranë”, Shkolla e Lartë Universitare “Luarasi”, Universiteti "Zoja e Këshillit të Mirë" dhe Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi".


Ndërkohë, dy universitete të tjera janë në proces akreditimi. Bëhet fjalë për universitetet “Kristal” dhe “Ufo Dental”. Brenda këtij muaji do të nisë akreditimi i Universitetit “Aldent” dhe “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, ndërkohë në nëntor do të nisë procedura për Universitetin “Justiniani i Parë”. Në fund të këtij procesi do të nis akreditimi për Universitetin “Marin Barleti” dhe Universitetin Evropian të Tiranës në janar të vitit 2009.


Në këtë mënyrë, në sistemin universitar privat në vendin tonë katër universitete kanë “vulën e cilësisë”, dy të tjera janë në proces dhe për 5 universitete do të nisë procesi shumë shpejt. Kështu, të paakredituara dhe jashtë këtij procesi kanë mbetur në total 12 nga 23 universitete private.


Akreditimi i degëve në publik


Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë së Akreditimit, universitetet publike, ndonëse janë të akredituara, kanë një mori disiplinash të paakrediturara. Kështu, në Universitetin e Tiranës është akredituar vetëm disiplina e Infermierisë, në Universitetin Bujqësor dhe Politeknik nuk janë akredituar disiplinat përkatëse.


Ndërkohë në universitetet e Korçës, Shkodrës, Gjirokastrës, Elbasanit dhe Vlorës janë akredituar disiplinat e Gjuhëve të Huaja, Shkencave Natyrore, Ekonomi dhe Menaxhim, Shkencat e Edukimit dhe Infermieri. Në Universitetin e Korçës është akredituar edhe disiplina e Shkencave Bujqësore dhe Teknologjike. Sakaq, e akredituar është edhe disiplina e vetme e Akademisë së Policisë, ajo e Shkencave Policore.


Universitetet e tjera publike nuk kanë disiplina të akredituara, sipas të dhënave të AAAL-së. Ndërkohë, në katër universitetet private të akredituara janë akredituar të gjitha disiplinat e studimit me përjashtim të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë.





Universitetet private të akredituara


“NjuJork-Tirana”


“Luarasi”


“Marubi”


“Zoja e Këshillit të Mirë“





Në proces akreditimi


“Kristal”


“Ufo Dental”





Procesi do të nisë brenda janarit 2009


“Aldent”


“Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”


“Justianiani i Parë”


“Universiteti Evropian i Tiranës”


“Marin Barleti”