Mungesa e sinjalistikës rrugore është burimi kryesor i aksidenteve të ndodhura në qytetin e Elbasanit, ndaj edhe ne kërkojmë ndërhyrje nga institucionet. Kështu është shprehur Bib Gjomarkaj, drejtor i Rajonit Qëndror gjatë mbledhjes që prefekti i qarkut Elbasan, Arben Kamami zhvilloi me strukturat e emergjencave. Në fjalen e tij Gjomarkaj ka bërë me dije dhe shifra alarmante për sa i përket aksidenteve në këtë qark, të cilat janë rreth 200 të tilla, shoqëruar me mbi 30 persona të vdekur e mjaft të tjerë të plagosur.



Sipas Gjomarkaj nuk është policia rrugore ajo që mban përgjegjësi për mungesën e sinjalistikës, madje ka shtuar edhe më tej duke u shprehur se në të tilla kushte duhet të jenë vetë efektivet e qarkullimit të cilët duhet të protestojnë.


Qarku i Elbasanit ka një mungesë të theksuar jo vetëm përsa i përket sinjalistikës rrugore por edhe mirëmbajtjes se tyre sidomos në stinën e dimrit, ku më problematike ngelet aksi Elbasan-Librazhd apo udhëtimi drejt Qafë Krabës ku në vend të kripës dhe skorjes, në këto akse po hidhet zhavor, e cila kthehet automatikisht në faktor kryesor për burim aksidenti.