Autori i Lajmit: Denisa Kona




Eshtë një ankesë që ne mjekët e dëgjojmë shpesh. Çdo njeri ka gaz në traktin tretës dhe e eleminon atë nëpërmjet kalimit të tij nëpër rektum, që është pjesa e fundit e zorrës së trashë. Shumë njerëz mendojnë se kanë më tepër gazra, ndërkohë që realisht mund të kenë sasi normale. Shumica e njerëzve prodhojnë rreth 1-3 pint gaz (që është e barabartë me 0,568 litër) dhe kanë një eleminim gazesh rreth 14 herë në ditë. Përbërësit e gazit janë dioksidi i karbonit, oksigjeni, nitrogjeni, hidrogjeni dhe disa herë, metani. Era e keqe e gazrave vjen nga prania e baktereve në intestinin e madh të cilat çlirojne sulfur. Prania e gazit është një fenomen i shpeshtë, por ndodh që ajo mund të shkaktojë një gjendje të parehatshme dhe shpeshherë, shqetësuese. Shpjegimi i shkaqeve, i rrugëve për të reduktuar simptomat dhe trajtimi i kësaj gjendjeje mund të ndihmojë shumë njerëz për të gjetur përmirësim.



-Nga se shkaktohen gazrat?



Gazi në traktin tretës vjen nga dy burime: ajri i gëlltitur, shkatërrimi normal i ushqimeve të patretura nga baktere të padëmshme që janë të pranishme në kolon (zorrën e trashë). Ajri i gëlltitur -ose aerofagia është shkaku më i shpeshtë i gazit në stomak. Çdo njeri gëlltit sasi të vogla gazi, kur ha dhe pi. Po kështu, ngrënia e shpejtë, mbajtja e çamçakizave, cigarja, protezat mund të ndikojnë që disa njerëz të gëlltisin më shumë ajër. Gromësirë është mënyra më e shpeshtë e eleminimit të ajrit të gëlltitur, e cila përmban nitrogen, oksigjen dhe dioksid karboni. Gazi që mbetet, lëviz nëpër zorrën e trashë për t’u çliruar nëpërmjet rektumit. Stomaku gjithashtu çliron dioksid karboni nga veprimi i acidit të stomakut me përbërjen bikarbonate por, shumica e këtij gazi absorbohet në gjak dhe nuk kalon nëpër zorrë.



-Shkatërrimi i ushqimeve të patretura a është një shkaktar i gazeve?



Trupi ynë nuk tret dhe nuk absorbon ose nuk thith disa karbohidrate si sheqer, niseshte dhe fibra për shkak të mungesës së disa enzimave. Këto ushqime të patretura kalojnë nga zorra e hollë në zorrën e trashë, ku baktere të padëmshme dhe normale shkatërrojnë ushqimin, prodhojnë H, CO2 dhe metan në rreth 1/3 e njerëzve. Më pas, këto gaze dalin nëpërmjet rektumit. Kërkimet nuk kanë treguar pse disa njerëz prodhojnë metan e disa jo. Ushqimet që prodhojnë gaz në një person, mund të mos prodhojnë në një person tjetër. Disa baktere të shpeshta në zorrën e trashë mund të shkatërrojnë H që prodhohet nga baktere të tjera. Balanca midis dy tipeve të baktereve mund të shpjegojë përse disa njerëz kanë më shumë gaz se të tjerët.



-Cilat ushqime shkaktojnë gaz dhe pse?



Shumica e ushqimeve që përmbajnë karbohidrate mund të shkaktojnë gazra. Në kontrast me këtë, yndyrnat dhe proteinat shkaktojnë më pak gaz. Sheqerërat që shkaktojnë gaz janë rafinoza, fruktoza dhe sorbitoli.



Rafinoza:Bathët përmbajnë sasi të mëdha të këtij lloj sheqeri. Sasi të vogla janë gjetur edhe në lakër, në brokul, asparagus, në perime të tjera dhe në të gjitha drithërat.



Laktoza: Është një sheqer natyral që ndodhet në qumësht dhe produktet e tij si djath, akullore, ushqime të përpunuara si buka, cerealet, sallatat e regjura(turshi). Shumë njerëz kanë nivele të ulta të enzimës laktaze e cila është e nevojshme për digjestionin e laktozës. Gjithashtu me kalimin e moshës, nivelet e enzimave bien. Si rezultat njerëzit mund të provojnë eksperienca në rritje të sasisë së gazrave pës ngrënies së ushqimeve që përmbajnë laktozë.



Fruktoza: Është e pranishme në qepët, dardhat, hurmat, gruri etj. Fruktoza mund të përdoret edhe si ëmbëlsues në disa pije të lehta dhe lëngje frutash.



Sorbitoli: Gjendet në mollë, dardhë, pjeshkë dhe kumbulla. Gjithashtu, përdoret si ëmbëlsues në disa ushqime dietetike dhe çamçakiza pa sheqer.



Amidoni ose niseshtja: Ndodhet në patatet, misër, grurë, makarona. Orizi është i vetmi që nuk shkakton gaz.



Fibrat : Ndodhen në shumë ushqime; Mund të jenë të tretshme dhe të patretshme. Fibrat e tretshme shpërbëhen lehtë në ujë, zbuten dhe kthehen në një lëndë si xhel në intestin .Të gjetura në tërshërë, në krunde, bizele, bathë dhe në shumicën e frutave, fibrat e tretshme nuk shpërbëhen derisa arrijnë intestinin e madh, ku digjestioni i tyre shkakton gaz. (Kujtojmë lexuesit se stomaku dhe zorrët quhen pjesë e sistemit intestinal). Nga ana tjetër, fibrat e patretshme kalojnë të pandryshueshme nëpër zorrë dhe prodhojnë më pak gaz. Krundet e grurit dhe disa perime përmbajnë këtë lloj fibre.





Problemet që shkakton prania e gazit në organizëm



Simptomat më të shpeshta janë gromësirat, fryrje dhe dhimje barku, diskomfort. Megjithatë, jo të gjithë njerëzit i provojnë këto simptoma, pasi faktorët përcaktues lidhen me atë se sa gaz prodhon trupi, sa acide yndyrore absorbohen dhe nga sensitiviteti i personit ndaj gazit të pranishëm në zorrë.



Gromësirat : Kur janë rastësore gjatë ose pas ushqimit, janë normale dhe çlirohen kur stomaku është i mbushur me ushqim. Disa herë ndodh që një person me gromësira kronike mund të ketë çrregullime gastro-intestinale të sipërme si sëmundja e ulcerës peptike, refluksi gastro-ezofageal, gastriti. Dy sindroma të rralla kronike janë të shoqëruara me gromësira: Meganblase dhe Gasbloat syndrom. Sindroma Meganblase shkakton gromësira kronike dhe karakterizohet nga një sasi e madhe e ajrit të gëlltitur dhe një fryrje e madhe barku pas vakteve të rënda. Rezultati i ngopjes dhe i vështirësisë në frymëmarrje mund të imitojë një atak kardiak. Sindroma Gasbloat shfaqet pas kirurgjisë për korigjimin e refluksit gastro-ezofageal. Kirurgjia krijon një rrugë valvul midis ezofagut dhe stendit që lejon ushqimet dhe gazet të hyjnë në stomak, por shpesh pengon gromësirat normale dhe aftësinë për të vjellë.

Flatulenca është një ankesë tjetër, që lidhet me praninë e shumtë të gazit. Kjo mund të vijë edhe nga malabsorbimi i karbohidrateve ose e mbirritjes bakteriale në kolon. Njerëz të cilët ankojnë fryrje abdominale shpesh kanë sasi normale të gazit. Mjeket mendojnë se fryrja është rezultat i çrregullimit të motilitetit intestinal (i lëvizshmërisë së zorrëve) siç është Sindromi i Zorrës së Irrituar. Çrregullimet e motilitetit karakterizohen nga lëvizje dhe kontraksione të muskulaturës së zorrëve. Këto çrregullime mund të japin një sensacion fals fryrjeje për shkak të rritjes së ndjeshmërisë ndaj gazit.

Sindromi i fleksurës spenike: Është një çrregullim kronik i cili shkaktohet nga grumbullimi i tepërt i gazit në kthesën e kolonit. Simptomat përfshijnë fryrjen, spazmat muskulare, diskomfortin e sipërm abdominal. Sindromi i fleksurës spenike shpesh shoqërohet me Sindromin e zorrës së irrituar. Rrallë, sëmundje që shkaktojnë obstruksion si Sëmundja Crohn ose Cancer i kolonit mund të shkaktojnë fryrje abdominale. Në përgjithësi, në njerëzit që kanë bërë shumë operacione, aderencat ose herniet e brendshme mund të provokojnë fryrje ose dhimbje abdominale. Së fundi, ngrënia e ushqimeve të bollshme me yndyrë mund të vonoje boshatisjen e stomakut duke shkaktuar fryrje dhe diskomfort, por jo domosdoshmërisht shumë gaz.



Dhimbja abdominale: Disa njerëz kanë dhimbje, kur gazi është i pranishëm në zorrë. Kur gazi është grumbulluar në anën e majtë të colonit (zorrës së trashë) dhimbja mund të ngatërrohet me sëmundje kardiake; në qoftëse gazi grumbullohet në anën e djathtë, atëherë dhimbja është e njëjtë me atë të apendicitit ose të gurit.



Për shkak se simptomat e grumbullimit të gazit mund të shkaktojne çrregullime serioze, e rëndësishme është përjashtimi i këtyre çrregullimeve. Zakonisht, mjeku duhet të fillojë me një pasqyrë ose kronikë të zakoneve dietetike dhe të simptomave. Mund të kërkohet mbajtja e një ditari ushqimesh dhe pijeve të konsumuara për një periudhë kohore. Në qoftë se mund të suspektohet deficiencë e laktozës, mjeku mund të sugjerojë eleminimin e qumështit dhe të produkteve të tij për një periudhë kohe. Për të përcaktuar nëse dikush prodhon më shumë gaz në colon ose ka një sensitivitet të pazakontë ndaj sasisë normale të gazit, mjeku duhet të kërkojë numrin e herëve të kalimit të gazit gjatë ditës, duke e përfshirë këtë informacion në ditar. Kronika e kujdesshme e dietës dhe sasia e gazit të kaluar mund të ndihmojë në lidhjen e simptomave me ushqime specifike dhe të përcaktojë ashpërsinë e problemeve. Në qoftëse pacienti ankon për fryrje abdominale, mjeku duhet të ekzaminojë barkun për likid (ujë) për të përjashtuar ascitin dhe për shenja të inflamacionit për të përjashtuar sëmundjet inflamatore të kolonit. Duhet marrë në konsideratë edhe posibiliteti për kancer koloni për persona mbi 50 vjeç, me një histori familjare për kancer kolorektal, sidomos kur ai nuk ka bërë ndonjë ekzaminim të kolonit siç është kolonoskopia. Ky është një ekzaminim i përshtatshëm për persona me humbje të pashpjeguar të peshës, me diarre, konstipacion ose me gjak okult në feçe. Në rastin e gromësirave kronike, mjeku duhet të shikojë për shenja të ajrit të tepërt të gëlltitur. Për të përjashtuar sëmundje të tjera është i nevojshëm ekzaminimi radiologjik i aparatit gastro- intestinal.



Mënyrat më të shpeshta për të reduktuar diskomfortin (parehatinë) që shkakton gazi, janë ndryshimet në dietë, marrja e medikamenteve dhe reduktimi i sasisë së ajrit të gëlltitur.



Ky lajm është publikuar: 25/03/2010