Tani mund ta besojmë historinë e gjuhës shqipe në lidhje me ilirishten, duke e vendosur atë në aspektin indoevropian, në kuadër të grupit veriperëndimor. Kjo deklaratë e bërë dje nga albanologu amerikan, Eric Hamp, në kuadër të konferencës së organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, është shoqëruar për herë të parë dhe me etimologjinë e disa fjalëve krahasuese. Etimologjia e fjalës thika - gjendet tek fjala e latinishtes siko, po ashtu fjala thupra - e krahasuar me fjalën latine sibina.


Realisht ky ka qenë lajmi më i fundit edhe për vetë shkencën tonë gjuhësore, ku studiuesit shqiptarë të sotëm janë gjendur përballë kësaj befasie, duke e vendosur padyshim në ato fenomene që me plot gojën mund të quhen risi, edhe në këtë rast për shkencën tonë gjuhësore. Duhet shënuar se për profesor Hamp është një nënvizim i veçantë, se ka në natyrën e punës së tij - mendimin që është vazhdimisht në zhvillim.


Albanologu 88-vjeçar, që ka kryer studimet e Harvardit, duke mbrojtur disertacionin e tij për të folmen e arbëreshëve të Vakaricës, që mbetet edhe sot studimi më i gjerë përshkrues fonetik, qysh prej ’54-ës, merr pjesë në këtë konferencë, duke prezantuar veprën e tij më të fundit “Studime krahasuese për shqipen”, botuar nga Akademia e Shkencave në Prishtinë. Ky botim voluminoz qysh prej ditës së djeshme ka hyrë në Bibliotekën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, redaktuar dhe përgatitur nga studiuesi Rexhep Ismajli, njëkohësisht dhe përkthyesi i veprës së bashku me emra të tjerë akademikësh, pjesëmarrës në përkthim. Ndërsa vetë Hamp i munduar nga pleqëria, por jo nga fenomeni i një albanologu që për gjysmë shekulli nuk rresht së nxjerri nga ilirishtja fjalë krahasuese që e çojnë në bllokun e gjuhëve të vjetra ilire, ku hyn dhe mesapishtja. Kjo është teza e tij, që siç duket bashkë me jetën e këtij albanisti amerikan, do të mbyllë edhe kapitullin e debateve mbi shqipen. Ndërsa ai po i afrohet gjithnjë e më shumë rrënjës, duke zbuluar përditë fjalë si befasia që na dha dje Hamp, ku studiuesi Rexhep Ismajli tregon dimensionin e një etimologu të klasit ekstra në botë.





Zoti Ismajli, ju jeni redaktor dhe përgatitës i botimit të sjellë në shqip i albanologut amerikan Eric Hamp. Si do ta shikonit rikthimin e tij edhe një herë në çështjet e gjuhës shqipe, tashmë e besuar si një kapitull i mbyllur në lidhjen e saj me ilirishten e vjetër?





Profesor Eric Hamp edhe një herë sot iu kthye çështjes së gjuhës shqipe, natyrisht nga pozita e një indoevropianisti duke e vendosur atë në aspektin indoevropian, në kuadër të grupit veriperëndimor të gjuhëve indoevropiane, në aspektin ballkanik pastaj, pak më vonë, janë faza më të vona këto, në lidhje me ilirishten dhe me bllokun e gjuhëve të vjetra ilire ku hyn dhe mesapishtja.





Ai përmendi disa fjalë krahasuese që shpjegojnë rrënjën dhe na bën të besojmë se shqipja ka rrjedhje natyrale nga ilirishtja, si i komentoni këto?





Ai përmendi disa fjalë si sibina e krahason këtë me sybina të latinishtes, me thupër të shqipes dhe kishte ndonjë fjalë tjetër të ngjashme. Ai është etimolog i klasit ekstra në botë, dhe natyrisht dhe kjo na gëzon që ne shohim se etimologji të tilla që ndonjëherë mund të jenë përmendur në albanologji, sot marrin dhe vlerësimin e tij.





A mund t’i besojmë si të vërteta shkencore ato që deklaroi në konferencë, përderisa nuk janë shkruar ende, dhe ai na i deklaroi vetëm dje me gojë?





Ai e tha. Por prof. Hampi nuk thotë çdo gjë, thotë vetëm ato që mendon tamam.





A e ka deklaruar më parë se ky takim, këto që na tha sot për shqipen, kam parasysh këtu një mjedis linguistikësh, jashtë rrethit shqiptar?





Për fjalët konkrete, etimologjinë që u përmendën si fjala sybina, nuk e kam dëgjuar, më parë dhe nuk di t’i ketë deklaruar më parë. Por për prejardhjen e gjuhës shqipe ka shkruar shumë artikuj dhe ka bërë shumë studime të tjera.





Përse konsiderohet risi kjo deklaratë?





Po kjo është një risi për shkencën tonë gjuhësore. Dhe risia e këtij fakti është se më parë Hamp, sidomos pas viteve ’66, fliste dhe pati një dilemë të madhe se kishte parë një libër me ilirishten. Sepse në këto 40 vite ka pasur një tendencë për ilirishten, të mendohej si një emërtim, vetëm si e tillë, që nuk shpreh një gjuhë tamam. Natyrisht profesor Hamp ka kontribute të jashtëzakonshme për studimin e raportit të shqipes me mesapishten dhe tani po e rikthen dhe rikonfirmon të gjithë këtë duke e lidhur me ilirishten. Pak më herët, para një viti ose dy ai pati shkruar diku se tani mendon edhe më shumë që shqipja me mesapishten kanë lidhje të tyre shumë të afërta. Mesapishtja ka shkuar më herët në Gadishullin Ballkanik, domethënë paraardhësja e shqipes është ilirishtja, ajo që ka pasur lidhje direkte me mesapishten. Pak komplekse kjo punë, por është shumë e rëndësishme kjo në zhvillimin e shkencave albanistike, në raport me qëndrimet që kanë qenë në diskutimet evropiane.





Janë pohime që i bëni dhe ju që i mbështesni, deklarohen, por a do të kemi botim shkencor në lidhje me gjithë këto teza?





Në lidhje me këto teza ka mjaft botime, ka plot gjëra që janë shkruar deri më tani. Disa prej tyre janë përkthyer në librin që është botuar nga Akademia e Shkencave të Kosovës, dhe që është në konkurrim për veprat themelore albanologjike, të tjera janë të shpërndara në revista shkencore shumë të rralla. Dhe pikërisht ky është një handikap për albanologjinë që nuk kanë mundësi Bibliotekat tona, që jo gjithmonë janë shumë të sakta për t’i mbledhur gjithë këto. Hamp është vërtet autoritet në të gjithë botën, boton gjithandej, janë revista që nuk gjenden lehtë.





Ka linguistë të tjerë evropianë, që e mbështesin tezën e profesorit Hamp?





Për prejardhjen e shqipes nga ilirishtja ka shumë. Ka një histori prej shekullit XVIII nga Johan Lehman Tunman dhe pastaj në botën e sotme, pas Çabejt kemi Cimochowski dhe autoritete të tjera, të gjithë këta që janë marrë me albanologjinë në një farë mënyre janë në këto rrjedha të të menduarit. Profesor Hamp ka këtë avantazh se depërton shumë më thellë në interpretimet paraindoevropiane dhe të gjitha këto lidhje i bën bashkë.