Autori i Lajmit: Denisa Kona




Është një porosi e mjekësisë: Dil shëtitje në natyrë, në ajër të pastër, për të oksigjenuar trurin etj. Duket sikur njerëzit alergjikë, natyra i ka privuar pikërisht nga ky përfitim i madh. Atëherë kur ajo është në shpërthim ( lulëzim), ata duhet ti fshihen asaj. Mjekja alergologe, Mira Xhixha e pohon këtë fakt: “Po, e kanë këtë lloj disfavori, por vetëm në kohën e polenizimit nuk duhet të dalin. Kjo është një periudhë një apo dy javore dhe ne jemi tamam në këtë kohë. Prandaj, shmanguni pikërisht tani!”. Ja edhe intervista e saj e dobishme për njerëzit që preken nga alergjitë e stinës dhe astmatikët nga polenet.



-Doktoreshë, njihet një lloj alergjie që lidhet me pranverën. Kur e ka intensitetin e saj kjo formë e reagimit të organizmit ndaj disa alergenëve natyrorë?

Jemi në kohën e alergjive, sapo ka filluar intensiteti i tyre që është në fillimin e muajit prill, maj dhe qershor. Janë tri muaj që shfaqen me simptoma të veçanta karakteristike të alergjive.

-Alergjitë e stinës prekin persona që janë alergjikë apo mund të prekin këdo?

Ato prekiun çdo person që është alergjik.

-A mund të shfaqet në këtë stinë alergjia për herë të parë tek një person që nuk ka pasur më parë shenja alergjie?

Kohët e fundit është rritur numri i rasteve të reja, për shumë arsye që lidhen me ambientin e jashtëm. Po shtohen personat që nuk kanë qenë më parë alergjikë apo nuk kanë pasur të afërm alergjikë, sidomos prindër, tek të cilët po shfaqet alergjia për herë të parë.

-Për herë të parë do të thotë; në cilat mosha?

Për herë të parë alergjiga e sezonit është karakterisrtike pas moshës 5 vjeç. Më e prekur është mosha aktive 20, 30 deri në 50 vjeç. Por mund të shfaqet edhe mbi moshën 50 vjeç përshembull edhe tek një 60-vjeçar mund të ketë një fillim alergjie.

-Si shprehet?

Janë shenja shumë karakteristike duke nisur me rrugët e frymëmarrjes: Rrufa alergjike dhe astma bronkiale janë dy simptomat kryesuese të alergjisë. Simptomat tipike të rrufës janë të teshtitura të forta, kullim hundësh me sekrecione të ujshme dhe të bollshme, bllokim i frymëmarrjes nga hunda, kollë, lotim dhe kruajtje sysh, dhe të gjitha këto përbëjnë atë që ne e quajmë rrufë. Por nuk do të thotë, që një person ti ketë të gjitha këto shenja për të qenë me alergji stinore. Mund të ketë edhe vetëm dy apo tri shenja.

Shenjat janë zakonisht prezente në rrugët e poshtme të frymëmarrjes në një person që ka rrufë dhe nuk ka astmë.

-Këto shenja vazhdojnë gjatë gjithë kohës që është sezoni alergjik apo kanë një periudhë zhvillimi?

Gjatë tri muajve, nëse ka polene në hapësirë vazhdojnë këto shqetësime. Po aq e përshtatshme për të bërë shpërthimin e shenjave të alergjisë është temperatura mbi 20 gradë, rrezatimi diellor dhe lëvizje të lehta të ajrit që janë të pranishme.

-Pra, duhet të mbajnë syze këta persona?

Personat që kanë alergji stinore nga sytë duhet të mbajnë edhe syze. Sepse evitohet disi kontakti i poleneve direkt me konjiktivën. Alergjikët duhet të evitojnë qëndrimin me kohë të zgjatur në mjedise të jashtme të hapura gjatë orëve të mesditës më shumë.

-A ka lule, pemë apo bimë që janë më tipiket për provokimin e alergjive?

Më tipiket janë barishtet, grami, loliumi, varieteti i egër i këtyre bimëve, familja botanike gramore ku futen me mijëra lloje dhe këto gjenden jo vetëm atje ku ka gjelbërim masiv, pyll, lëndinë, park, por edhe atje ku nuk ka. Diku shfaqet një rrënjë bari që ka çelur një lule, por që nxjerr polen në hapësirë. Kaq mjafton për të shpërthyer alergjinë.

-A mos do të thotë, se personat alergjikë reagojnë keq edhe ndaj luleve që kultivohen në shtëpi, oborre dhe apartamente dhe duhet ti largojnë këto?

Jo, lulet që kultivohen nuk janë shkaktarë alergjish. Lulet e kultivuara zbukuruese kanë polen të rëndë, që bie në tokë, nuk ngrihet në ajër dhe nuk përhapet, kështu që nuk bëhet shkak i alergjisë. Por mund të bëhet shkak i alergjisë tek personat që merren me lulet, që u rrinë shumë afër, që u shërbejnë, qofshin profesionistë të serrave të luleve apo amatorë të tyre në familje. Por nuk është alergji në masë kjo.

-Personat që janë alergjikë ndaj luleve, polenit, a mund ta kalojnë sezonin pa mjekim? Pra, a është gjithnjë i domosdoshëm mjekimi?

Mjekimi është i domosdoshëm sepse gjatë këtij sezoni nuk ka shqetësime te lehta. Mund të jenë raste shumë të rralla që të jenë shqetësimet të lehta dhe ta kalojnë pa mjekim.

-Refuzimi apo mosinteresimi për të mjekuar shqetësimet alergjike stinore, çfarë sjell me vete?

Mund të sjellë komplikacione si, rëndim të alergjisë që nga një rrufë kalon në astmë bronkiale, pra, alergji e rrugëve të sipërme kthehet në alergji të rrugëve të poshtme në bronke, mund të sjellë edhe komplikacione lokale. Hundët e bllokuara komplikojnë për sinuzit apo kollë të thatë si shenja të bronshitit, frymëmarrja natën bëhet me anë të tonsileve, që shoqërohet me rritje të bajameve, me kavitete dentare. Tek fëmijët e vegjël mund të shfaqen otitet (inflamacion në vesh) si shenjë komplikacioni, mund të shoqërohet me dhimbje koke, një gjendje stresante, anksioze, shfaqen vështirësi për të mësuar. Këto shqetësime janë të mundimshme dhe sidomos për një fëmijë, që nuk përqëndrohet dot në orën e mësimit. Nëse e lë gjendjen pa mjekim, personi kalon në gjendje kronike, nga një gjendje që është lehtësisht e trajtueshme. Alergjia kalon në një gjendje që kërkon mjekim të zgjatur dhe nuk jep rezultatin e duhur siç e presim. Ndërsa të trajtuara që në fillimin, pavarësisht se mund të jepet një dozë shumë e lehtë medikamentesh, kjo do të thotë shërim për pacientin.

-Shpesh, njerëzit kur shohin dikë që teshtin dhe ka sekrecione nga hundët, sprapsen sepse mendojnë që personi është me grip. A i ka shenjat qartësisht të dallushme rrufa alergjike nga rrufa e gripit?

Janë të qarta. Alergjia duhet ditur se nuk ngjitet. Alergjia fillimisht nuk prek gjendjen e përgjithshme të organizmit, ndërsa gripi ka një gjendje të shprehur me këputje që ditën e parë, një grip mund të zgjasë 4-5 ditë, më shumë se dy javë nuk zgjat, ndërsa alergjia zgjat tri muaj; 3-4 ditët e para një grip ka hundë të thata, kurse alergjia ka më shumë sekrecione dhe të teshtitura. Mund të ketë edhe dhimbje koke, që alergjia nuk e ka në fillesat e saj. Sekrecionet e hundës në rastin e gripit, nga të holla bëhen të trasha, bëhen viskoze, ndërsa tek alergjikët janë gjithnjë të ujshme. Këto shenja mund të ngatërrohen vetëm 2-3 ditët e para, por janë tërësisht të dallueshme më vonë.

-Po alergjitë e tjera për shkak të alergjisë së stinës, a rëndohen? Apo përgjithësisht mbeten të ndara?

Po rëndohen, për shkak të ndryshimit të temperaturës, alergjia acarrohet ndaj pluhurave. Nëse individi ka alergji ndaj poleneve, rritet përgjigjja alergjike e organizmit. Sistemi ynë imunitar i përgjigjet në një mënyrë të ekzagjeruar këtyre ngacmueseve të jashtëm, duke i presupozuar armiq dhe i lufton. Lufta synon që të shmanget ekspozimi, mirëpo ekspozimi është i pamundur

-Sa të prekur janë nga alergjitë e stinës, njerëzit që jetojnë në fshat, pra në gjirin e natyrës plot polene?

Njerëzit që jetojnë në fshat preken më pak nga alergjitë e stinës. Përqëndrimi i poleneve në ajër në fshat është vërtet më i lartë, por alergjia është më e paktë sesa në qytet dhe kjo shpjegohet kryesisht me faktorët e ndotjes së ajrit në qytete. Pra, efekti i ndotjes rrit dhe rëndon sëmundjet alergjike dhe qyteti edhe pse ka më pak përqendrim të polenit në ajër, ka më shumë rinite alergjike.

-Shërohet alergjia?

Alergjia kurohet si shumë sëmundje, por që të themi se shërohet siç shërohen gripi, një plagë apo një bronkopneumoni, alergjia nuk shërohet. Ajo mjekohet gjatë gjithë kohës. Por ajo kontrollohet mjaft mirë sidomos me vaksinë.

-Kur bëhet vaksina e alergjisë dhe çfarë rezultati jep ajo?

Para se të nisë sezoni alergjik ose kur sapo ka nisur. Vaksina bën të mundur lehtësimin e gjendjes dhe parandalimin e astmës bronkiale.

-Alergjitë kanë ndonjë lidhje të konsiderueshme më sëmundje të tjera?

Nuk është shumë e lidhur, por megjithatë ne vëmë re tek moshat e vjetra, se nëse një person ka probleme të zemrës, edhe një shpërthim alergjie jep një gjendje më të rënduar.

-Po rastet e astmës a rëndohen tani prej alergjive?

Tani është astma nga polenet. Nëse personat që janë me astmë, kanë edhe alergji ndaj poleneve, natyrisht që rëndohen. Por ka edhe astmë alergjike nga pluhurat e shtëpisë, që nëse nuk është e trajtuar si duhet, mund të shërbejë si periudhë rënduese. Polenet mund të shërbejnë si faktorë rëndues.

-Po alergjitë e lëkurës nga bimët, a janë alergji stinore?

Po, alergjia e stinës, përveç shenjave të rrugëve të frymëmarrjes shfaqet edhe me shenja në lëkurë por në një përqindje më të vogël të rasteve. Më shumë e prekur është lëkura e zbuluar, lëkuara e fytyrës, pjesët e trupit të ekspozuara nga dekoltetë. Mund të kene kruarje, puçra. Kontakti me bimë edhe në natyrë, në piknike mund të japë dermatite. Ka raste që ëdhe kur preket bari, mund të japë skuqje apo flluska në duar. Kjo është alergji e veçantë dhe e kemi konstatuar në fshat kryesisht, tek njerëzit që punojnë me barërat. Por është e rrallë. Më të rëndësishme janë rrufa dhe astma, si dy shenja kryesore të alergjisë nga pranvera.

-Medikamentet që përdoren për alergjitë janë të lehta apo ka edhe nga ato me efekte anësore serioze?

Jo, nuk ka nga ato me efekte anësore serioze. Kanë qenë vite përpara, kanë pasur efekte shumë anësore dhe shumë serioze, pasi nuk kishin dalë ende pompat. Nuk bëhej shpërndarja e medikametit direkt në mushkri siç bëhet tani nga pompat.

-Këtu e keni fjalën për astmën bronkiale?

Po. Këto janë medikamente lokale, që përdoren drejtpërdrejt me anë të rrugës së frymës dhe janë prodhuar të tilla që shmangin efektet anësore që do të jepnin ato, nëse do të merreshin me rrugë muskulare apo venoze. Këto kështu janë marrë para viteve 80. Me medikamentet e reja, efektet anësore që kanë qenë shumë zerioze dhe kërcënuese, janë zhdukur.

-Pse njerëzit kanë fobi nga pompat e astmës?

Njerëzit kanë njëlloj fobie ndaj tyre, pasi duket sikur pacienti është i varur prej pompave, sikur janë të përshtatura për format e rënda të sëmundjes. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Pompat janë medikamente që përdoren që në stadin e parë, qëkur prezantohet fëmija apo personi me astmë bronkiale. Këto pompa hapin rrugët e frymëmarrjes dhe mjekojnë problemet që kanë bronket nga brenda. Efekti është i drejtpërdrejt dhe i zgjatur në kohë. Pra, këto kanë edhe efekte parandaluese, jo vetëm kuruese.

-Çfarë përbërësish kanë këto pompa?

Pompat janë me efekt bronkodilatator, zgjerues të bronkeve, lehtësues të frymëmarrjes dhe me efekt profilaktik, kurues të inflamacionit, edemës (pezmatimit) të bronkeve. Kanë edhe efekt asimptomatik. Përdoren për një kohë të gjatë.

-A janë të rimbursueshme?

Po, në përgjithësi janë të rimbursueshme dhe nëse një person është i siguruar, i përfiton ato falas. Po kështu, edhe ilaçet e alergjive janë të lehta, nuk kanë efekte serioze anësore, edhe sikur të përdoren për një kohë të gjatë.





Këshilla



Që fëmijët e prindërve alergjikë të mos bëhen alergjikë

Që fëmijët e prindërve alergjikë të preken sa më vonë nga alergjitë, sa më lehtë dhe mundësisht të mos preken fare, mjekja alergologe Mira Xhixha jep një varg porosish. “Gjithë prindërit që janë diagnostikuar dhe e dinë që janë alergjikë, aq më shumë kur janë të dy alergjikë, është mirë të bëjnë një konsultë me mjekun alergolog qëkur fëmija është në bark të nënës. Për të marrë këshilla dhe rekomandime të vlefshme për rritjen e këtij fëmije, në mënyrë që ai të ketë sa më pak mundësi për të shfaqur alergji ose sa më larg në kohë, ne japim një sërë masësh, që kanë të bëjnë që me periudhën e jetën brendauterine. Kjo nis me ekspozimin e nënës ndaj mjedisit të jashtëm. Sa më pak e ekspozuar nëna ndaj duhanit, sa më shumë ushqime natyrale dhe sa më pak të konservuara të marrë, sa më shumë të jetë e ekspozuar në ajër të pastër dhe jo të ndotur, dhe sa më pak ndaj ajrit me kondicioner, aq më rezistent do të jetë fëmija i saj ndaj alergjive”.







Këshilla për astmatikët



Në këtë sezon, personat astmatikë të jenë sa më të trajtuar, ta kenë astmën sa më të stabilizuar, kjo do të thotë që të jenë në kontakt me mjekun specialist përmes kontrolleve të rregullta, në mënyrë që mjekimi të jetë i përshtatshëm për formën e astmës që ata kanë. Kjo do të bëjë që të mos rëndohen nga faktorët që shfaqen në ndryshimin e ajrit. Ndërsa një astmë e mjekuar nuk do ta pengojë pacientin për të kryer punën e tij, sportin, apo qoftë edhe një punë të rëndë fizike.















Ky lajm është publikuar: 12/04/2010