Përveç bashkëshortëve mund të aplikohet edhe për familjarët e tjerë. Si bëhet kërkesa për vizë dhe sigurimi i numrit të saj nga autoritetet amerikane


Jonida Tashi



Autoritetet amerikane publikojnë procedurat që duhet të ndiqen për të kryer bashkim familjar në këtë vend. Nëse dëshironi të merrni bashkëshortin/en tuaj të huaj në SHBA, por ndërkohë jetoni jashtë SHBA-ve, ju duhet të paraqisni një kërkesë për vizë (formulari I-130), pranë zyrës tuaj vendore të Shërbimeve mbi Shtetësinë dhe Imigrimin-SHBA, apo drejtpërdrejt në Ambasadën e SHBA-ve, ku qëndron bashkëshorti/ja juaj i/e huaj. Paraprakisht ju duhet që më parë të konsultoni, nëse Ambasada e SHBA-ve pranon kërkesa për viza imigratore.

Kërkesa

Me t’u miratuar kërkesa për vizë, bashkëshorti/ja i/e lindur jashtë do të marrë një paketë nga Qendra Kombëtare e Vizave (NCV), e cila ndodhet në Portsmuth, Hemshir. Paketa e informon bashkëshortin/en i/e huaj mbi dokumentet e ndryshme që duhen për intervistën mbi vizën imigratore jashtë SHBA-ve (pasaporta, dëshmi të policisë, rezultate të vizitave mjekësore etj.). Paketa përmban disa dokumente, duke kërkuar që të plotësohen disa të dhëna biografike, të nënshkruara dhe drejtuar Ambasadës apo Konsullatës së SHBA-ve jashtë. Zakonisht, bashkëshorti/ja i/e huaj intervistohet dhe i lëshohet një vizë imigratore brenda 3-6 muajsh. Nëse ju dhe bashkëshorti/ja juaj po planifikoni të qëndroni jashtë SHBA-ve, pacaktueshmërisht në kohë, rekomandohet të mos paraqisni kërkesë për “Green Card”. Ky dokument mund të anulohet në një port hyrjeje në SHBA, nëse keni kaluar më shumë se 6 muaj jashtë SHBA-ve. Nëpunësi i Imigrimit në portin e hyrjes do të detyrohet të përcaktojë nëse SHBA është rezidenca juaj kryesore, pra përgatituni për një sërë pyetjesh.

Familjarët

Të ndihmosh një anëtar familjeje, qoftë ai/ajo bashkëshort/e, i/e fejuar, prind, motër apo vëlla në përgjithësi për t’u bërë rezident i vazhdueshëm në SHBA, duhen ndjekur procedurat e mëposhtme. Nëse në shikimin e parë duket e thjeshtë, sidoqoftë ka shumë nuanca në çdo tip të vizës bazuar në motive familjare. Së pari, duhet që Shërbimet mbi Shtetësinë dhe Imigrimin-SHBA (USCIS), të miratojnë një kërkesë (I-130) tënden. Shtetësi i SHBA e plotëson këtë formular në emër të të afërmit që u lind jashtë. Kjo duhet shoqëruar me prova të lidhjes familjare dhe disa dokumente të tjera, që të nisë procesi i imigrimit me motive familjare. Së dyti, Departamenti i Shtetit duhet të përcaktojë nëse ka një numër vize të disponueshme për shtetasin e huaj, sipas kategorisë për të cilën paraqitet kërkesa, qoftë edhe në rastin kur një person i tillë tashmë jeton në SHBA. Hapi i tretë për imigrimin me motive familjare, nëse i afërmi tashmë është në SHBA, ai/ajo duhet të paraqesë kërkesë për ndryshimin e statusit të tij/saj në atë të një rezidenti të ligjshëm, pasi bëhet i disponueshëm numri i vizës.

Viza

Ka një mënyrë për të siguruar një numër vize. Ju mund të rregulloni statusin tuaj, të njohur gjerësisht si AOS, duke paraqitur një formular I-485, se bashku me dokumentacion tjetër të kërkuar, si rezultatet e vizitave mjekësore, certifikata të lëshuara nga policia etj. Nëse jeni jashtë SHBA, kur bëhet i disponueshëm numri i vizës, i afërmi i huaj duhet të shkojë në konsullatën e SHBA-ve që të përfundojë procesin. Kjo është mënyra tjetër, sipas së cilës duhet të paraqisni kërkesë për të siguruar një numër vize imigranti lidhur me imigrimin familjar në SHBA. Nëse një përfitues është vendosur jashtë SHBA, atëherë dokumentet e tij/saj shqyrtohen nga Qendra Kombëtare e Vizave (NVC), para se rasti i tij/saj të dërgohet në Konsullatën e SHBA për procedura të mëtejshme. NVC rishikon dokumentacionin dhe plotëson procedurat administrative, si për shembull: kontrolli i historikut të secilit dhe me radhë.



Vizat K-3 për bashkimin familjar në SHBA

Shtetasit amerikanë kanë dy mënyra për të sjellë bashkëshort/e të huaj për të jetuar në SHBA (nëse nuk jeni i/e martuar, konsultoni vizat për të fejuarit, si më poshtë). Ju mund të “sponsorizoni” bashkëshortin/en tuaj për vizën imigratore të hyrjes në SHBA. Nëse ndiqni këtë proces, bashkëshort/ja e juaj, i/e huaj do ta përfundojë plotësisht procesin e vizave jashtë SHBA dhe pastaj të vijnë në SHBA për të marrë statusin e rezidentit të vazhdueshëm në SHBA menjëherë. Juve ju duhet të paraqisni një kërkesë për të huajin e afërm, Formularin I-130. Pasi USCIS, Qendra Kombëtare e Vizave dhe Ambasada e SHBA-ve plotësojnë të gjithë procesin e nevojshëm administrativ, bashkëshortit/es tuaj do t’i lëshohet një vizë imigratore. Kështu, bashkëshortit/es tuaj do t’i lëshohet një vizë IR1 ose CR1. Shënim: Një vizë IR-1 (Ir1 nënkupton “Të afërm të shkallës së parë” që do t’i mundësojë bashkëshortit/es tuaj të migrojë në SHBA. Një vizë CR1 (CR nënkupton “Rezidencë të kushtëzuar) do të lëshohet nëse martesa juaj është më pak se dy vjet në fuqi. Juve mund t’ju lëshohet një vizë K-3. Viza K-3 është një vizë jo-imigratore për në SHBA. Vizat K-3 normalisht lëshohen brenda pak muajsh. Ju mund ta përdorni vizën K-3 për të nisur procesin jashtë SHBA-ve, pastaj të udhëtoni në SHBA për të përfunduar procesin imigrator. Vini re se në këtë rast kërkesa duhet bërë nga vendi ku u lidh martesa. Nëse martesa juaj u lidh në SHBA, bashkëshorti/ja juaj duhet të paraqesë një kërkesë për vizë K-3, përmes Ambasadës së SHBA-ve në vendin e rezidencës së tij/saj. Për më tepër dhe kjo është disi e ngatërruar, kërkuesi duhet të paraqesë edhe një formular të plotësuar, I-129F (i quajtur “kërkesë për të fejuarin/en i/e huaj” në emër të tij/saj. Meqë kategoria e vizave K-3 është relativisht e re, USCIS deri vonë përdorte Formularin I-129F, duke e quajtur ende “kërkesë për të fejuarin/en i/e huaj”, në vend të “kërkesë për bashkëshortin/en e huaj”. Pasi lëshohet viza, bashkëshorti/ja juaj mund të udhëtojë në SHBA.





Kushtet e lëshimit të vizave

Që t’ju lëshohet një prej vizave ju duhet të plotësoni kërkesat si më poshtë:

Ju duhet të jeni i/e martuar ligjërisht. Vetëm fakti se jetoni së bashku nuk e kualifikon martesën për imigrimin. Partnerët e pamartuar, po kështu nuk janë të përzgjedhshëm të sponsorizojnë viza për në SHBA.

Në shumë raste ju duhet të keni rezidencë në SHBA për të paraqitur kërkesën.

Ju duhet të jeni 18 vjeç dhe më shumë para se të nënshkruani Garancinë e Mbështetjes (“the Affidavit of Support”), e cila është një formular që do t’ju kërkohet më vonë.





4 Korrik 2009