SHKRUAN: Sabina Veizaj 25-03-2011 13:17

Projektligji për Amnistinë Fiskale, parashikon që të përfitojnë nga ky proces të gjithë qytetarët shqiptarët. Me anë të projektligjit do të falen edhe gjobat e bizneseve që nuk janë pajisur me kasa fiskale brenda afatit ligjor.



Gazeta “MAPO” ka siguruar Draftligjin e plotë dhe përfundimtar të Amnistisë Fiskale, që pritet të shkojë në kuvend. Projektligji në fjalë parashikon që të përfitojnë nga procesi i amnistisë fiskale gjithë qytetarët shqiptarë. Duke iu referuar këtij draftligji, procesi do të përfshijë legalizimin e kapitalit, faljen e pasurive të paluajtshme, të pahipotekuara deri tani, dhe faljen e detyrimeve dhe taksave doganore. Gjithashtu, të gjithë bizneset, të cilët deri më tani nuk janë pajisur me kasa fiskale, sipas ligjit në fuqi dhe janë penalizuar me gjobë, do t’iu falen gjobat sipas këtij ligji. Ky projektligj parashikon në të njëjtën kohë edhe gjithë procedurat se si do të realizohet amnistia fiskale, sipas të gjitha kategorive të përmendura aty. Duke iu referuar këtij drafti, në rrethin e subjekteve që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit përfshihen: personat fizikë apo juridikë që deklarojnë, brenda kushteve të parashikuara nga ky ligj, shuma në të holla, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, dhe/apo diferenca pozitive që rezultojnë nga rivlerësimi i aseteve të parashikuara nga ky ligj e gjithashtu çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili brenda kushteve të parashikuara në këtë kre, deklaron shumën në të holla. Ndërkohë, të gjithë tatimpaguesit, subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, që janë dënuar me gjobë administrative për mosinstalim të pajisjeve fiskale dhe e kanë instaluar pajisjen fiskale brenda datës 28 Shkurt 2011, ju falen shumat e gjobave të papaguara të lidhura me mosplotësimin në kohë të detyrimit për pajisjen fiskale. Por projektligji në fjalë parashikon edhe penalitetet përkatëse në lidhje me këtë proces. Personat përgjegjës, të cilët shkelin procedurat e parashikuara në këtë ligj, penalizohen për shkelje procedurash, përsa i përket legalizimit të kapitalit, dhe Banka me urdhër të Ministrit të Financave dënohet me gjobë administrative, nga 100.000 deri në 200.000 lekë për çdo rast;





REPUBLIKA E SHQIPERISË


KUVENDI


___________________________________________________________


Draft



Ligj Nr.____ date___.___.2011


“Për Legalizimin e Kapitalit dhe Faljen pjesore të Detyrimeve Tatimore dhe Doganore”



Neni 1



Neni 2


Qëllimi i Ligjit



Qëllimi i këtij ligji është


a) Sigurimi i garancive ligjore të lidhura me procesin e legalizimit të kapitalit, ruajtjen e konfidencialitetit të subjekteve të përfshira në këtë proces dhe informacioneve që ata i japin administratës apo subjekteve të tjera të përfshira gjatë dhe pas legalizimit të kapitalit, si dhe mosfillimin apo ndërprerjen ndaj këtyre subjekteve, nga ana e institucioneve përkatëse të administratës tatimore e doganore të procedurave administrative dhe të nxjerrjes së vendimeve të kundravajtjeve administrative të lidhura me fshehjen e të ardhurave dhe/apo mospagimin e taksave dhe tatimeve ndaj këtyre subjekteve


si dhe


b) Sigurimi i garancive ligjore për pushimin e veprimeve procedurale të mbetura, të parashikuara në legjislacionin tatimor, doganor si edhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore që lidhen me mbledhjen me forcë të këtyre detyrimeve



Neni 3


Përkufizime



Termat e mëposhtëm që do të përdoren për qëllimet e këtij ligji kanë kuptim si vijon



I) “Legalizimi i kapitalit” nënkupton:


a) Deklarimin vullnetar të bërë nga individë, shtetas të Republikës së Shqipërisë, personave fizikë të regjistruar si të tillë në organet përkatëse, apo të përfaqësuesve të këtyre dy kategorive të mësipërme, për zotërimin e shumave në të holla, brenda ose jashtë vendit, si dhe pagimi i tarifës së bërë në institucionet përkatëse për depozitimin e kësaj shume në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.



b) Deklarimin vullnetar nga persona juridikë me seli në Republikën e Shqipërisë, të cilët janë të regjistruar në administratën tatimore të Republikës së Shqipërisë, për zotërimin e pasurive të luajtshme apo të paluajtshme, si dhe i diferencës pozitive që rezultojnë nga rivlerësimi i aseteve si dhe pagimi i tarifës së bërë në institucionet përkatëse për këtë rivlerësim



II)“Shuma në të holla”, nënkupton si kartmonedhën shqiptare me kurs ligjor ashtu edhe monedhën e huaj



III) “Përfaqësues” nënkupton individin, që vepron si përfaqësues me prokurë i një individi tjetër si dhe përfaqësuesi ligjor i shoqërisë tregtare, i autorizuar nga i përfaqësuari për legalizimin e kapitalit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.



IV) “Ruajtje e sekretit”, nënkupton ruajtjen dhe konfidencialitetin për çdo veprim që mund të ketë pasur rezultat apo jo fakteve, si dhe të çdo informacioni të ofruar nga subjekti i legalizimit apo përfaqësuesi i tij, të dhëna për kapitalin e legalizuar, me përjashtim të vënies në dispozicion të këtij informacioni për nëpunësit shtetëror të ngarkuar me detyra të lidhura me procesin e legalizimit të kapitalit të punësuar, në organet e administratës shtetërore të autorizuara nga ky ligj për të ndjekur procesin e legalizimit të kapitalit.



Neni 4



Zbatimi i ligjeve të tjera



1 Dispozitat e legjislacionit tatimor doganor, dhe të sigurimeve shoqërore të cilat parashikojnë kompetencat e këtyre organeve të administratës publike, që janë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të sipërpërmendur e për fillimin e procedurave administrative, gjatë kohës së veprimit të këtij ligji, do të aplikohen në përputhje me dispozitat e këtij ligji



2 Ndërprerja e procedurave administrative e parashikuar në paragrafin (a) të nenit 2 të këtij ligji, nuk shtrin efektin e saj për Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive



KREU iI


LEGALIZIMI i KAPITALIT


PJESA i


DISPOZITA TË PËRGJITHSHME PËR LEGALIZIMIN E KAPITALIT



Neni 5


Subjektet që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit



1. Në rrethin e subjekteve që përfitojnë nga procesi i legalizimit të kapitalit përfshihen:



a) Personat fizikë apo juridikë që deklarojnë, brenda kushteve të parashikuara nga ky ligj, shuma në të holla, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, dhe/apo diferenca pozitive që rezultojnë nga rivlerësimi i aseteve të parashikuara nga ky ligj.



b) Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili brenda kushteve të parashikuara në këtë kre, deklaron shumën në të holla.




Neni 6


Subjektet e përjashtuara nga fusha e zbatimit të kreut


Nga të drejtat e parashikuara në këtë kre, nuk përfitojnë ata shtetas të cilët në përputhje me legjislacionin e fushës, i nënshtrohen detyrimit për deklarimin vjetor të pasurisë, pranë inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.




Neni 7


Organet shtetërore të përfshira në procesin e legalizimit të kapitalit


1. Në procesin e legalizimin e kapitalit marrin pjesë:


a) autoritetet mbikëqyrëse të institucioneve financiare bankare, të organizuara dhe rregulluara sipas parashikimit në ligjet e fushës;


b) administrate doganore, administrate tatimore qendrore dhe lokale, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme si dhe institucione të tjera të cilat për shkak të fushës së veprimtarisë janë të lidhura direkt me këtë proces.




PJESA iI


PROCEDURAT E LEGALIZIMIT TË KAPITALIT



Neni8


Deklarimi vullnetar si kusht për fillimin e procedurës së legalizimit të kapitalit


Shtetasit, personat fizik si dhe personat juridikë, duhet të deklarojnë se duan të legalizojnë vullnetarisht kapitalin, të cilin nuk e kanë deklaruar më parë, ose për të cilin më parë kanë deklaruar një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhet të deklaronin.


Neni 9


Proceduarat e deklarimit të shumave në të holla për shtetasit


1. Procedurat e deklarimit të shumave në të holla për shtetasit bëhet si më poshtë:


a) Subjekti ose përfaqësuesi i tij, duhet të paraqesin një formular aplikimi për depozitim të shumës në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Aplikimi plotësohet në 2 kopje;


b) informacioni i specifikuar në formularin për deklarim të shumës në të holla, bërë nga subjekti, ose nga përfaqësuesi i tij, verifikohet nga banka në prezencë të kërkuesit;


c) Sapo banka merr aplikimin për kërkim të deklarimit të shumave në të holla, kopja e dytë e aplikimit e verifikuar nga banka, i jepet kërkuesit me shënimin se është depozituar;


ç) Në rastet e deklarimit të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka mban si tatim shumën prej 3 % të shumës totale të deklaruar;


d) Banka transferojnë tatimet e mbledhura, në llogaritë e Thesarit të Ministrisë së Financave.



Neni 10


Procedurat e deklarimit në të holla të shtetasve të cilët janë të regjistruar si persona fizikë


1. Individët të cilët janë të regjistruar dhe si persona fizikë tregtarë, ndjekin të njëjtën procedurë deklarimi dhe paguajnë të njëjtin tatim si ajo e parashikuar në shkronjën (ç), paragrafi i parë i nenit 9 të këtij ligji. Formulari i deklarimit duhet plotësuar dhe me Numrin e identifikimit të Personit Tatimpagues NIPT-it të personit fizik.


2. Në këto raste, detyrimet tatimore të këtij personi për periudhën deri 31 Dhjetor 2010, konsiderohen si të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund të kërkojnë pagesën e detyrimeve te tjera shtesë ndaj atyre të paguara, për këtë periudhë.



Neni 11


Procedurat e deklarimit të vlerës së aseteve të personave juridikë



1. Personal juridikë, të cilat kanë të regjistruara në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme, makineri dhe pajisje me vlerë më të vogël se ajo e tregut kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së veprimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre aseteve.


2. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur të licencuar për


vlerësimin e pasurisë, nga institucionet përkatëse.


3. Diferenca nga vlerat kontabël e regjistruar në pasqyrat financiare me vlerën që rezulton nga rivlerësimi, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2011.


4. Personat juridikë, paguajnë për këtë rivlerësim tarifat e mëposhtme:



a) 6% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme:


b)7% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për makineri/pajisje.



Neni 12


Mbyllja e procedurave të legalizimit të kapitalit


I)Kapitali quhet i legalizuar sipas rastit:


a) nga momenti që shumat depozitohen në llogarinë përkatëse bankare, për shtetasit dhe personal fizikë tregtare që deklarojnë shumat në të holla dhe është paguar tatimi në burim, i parashikuar në nenet 9 dhe 10 të këtij ligji:


b) Nga momenti i aplikimit në administratën tatimore dhe pagesës së detyrimeve, parashikohen në paragrafin (4) të nenit 11 të këtij ligji, për personat juridik që rivlerësojnë pasuri të paluajtshme dhe makineri/pajisje.



Neni 13


Garantimi i subjekteve në procesin e legalizimit të kapitalit


1. Shteti, i përfaqësuar nga administrata shtetërore, ofron garancitë e mëposhtme për shtetasit ose personat fizikë e juridikë, që marrin pjesë në procesin e legalizimit të kapitalit:


a) Të ardhurat pas kryerjes së pagesës së detyrimeve sipas parashikimeve në këtë ligj do të konsiderohen si të ardhura për të cilat detyrimet tatimore janë paguar në përputhje me legjislacionin shqiptar


b) Lejimin në përputhje me ligjin për mos dhënien e informacionit për sa i përket mënyrës së krijimit të këtyre të ardhurave;


c) Ruajtjen e sekretit sipas përkufizimit të këtij ligji për subjektet për sa i përket legalizimit të kapitalit të parashikuara në këtë ligj;


ç) Garanci për subjektet që kanë legalizuar kapitalin, se nuk do të diskriminohen në të ardhmen në procedurat e përllogaritjes së detyrimeve tatimore.


2. Çdo paqartësi në aplikimin e këtij ligji, do të interpretohet në favor të shtetasve apo personave juridikë e fizikë që legalizojnë kapitalet.



Neni 14



Kufizimet që pasojnë legalizimin e kapitalit


Bankat në të cilat janë depozituar shuma në të holla sipas këtij ligji, informojnë deklaruesit për kushtet e parashikuara në këtë paragraf dhe në nenin 15 të këtij ligji, për rastet kur ata pas legalizimit mund të dëshirojnë të kryejnë transferta bankare për shumat e deklaruara sipas këtij ligji ose ekuivalentin monetar të tyre në shuma më të vogla ose të barabarta me sasinë e legalizuar, jashtë Shtetit Shqiptar, për tre vjet që nga dita e legalizimit të tyre, si nga banka ku kanë legalizuar kapitalin, ashtu edhe nga banka të tjera në të cilat kanë depozituar shuma në të holla.



Neni 15


Transferimi i shumave në të holla përpara afatit


1Në rastet kur subjektet/individë që kanë deklaruar shuma në të holla, dëshirojnë të transferojnë këto shuma ose ekuivalentin e tyre jashtë shtetit shqiptar, përpara afatit 3 vjeçar nga data e legalizimit të tyre, ju mbahet si penalitetet:


a) 13 % e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet para së të mbushet 1 vit nga data e legalizimit. Kur trasferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e panalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar por në çdo rast nuk mund të kalojë 13% të shumës së legalizuar që do të transferohet jashtë Shqipërisë;


b) 6 % e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet para se të mbushet 2 vjet nga data e legalizimit, kur trasferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e panalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar por në çdo rast nuk mund të kalojë 6 % e shumës së legalizuar, që do të transferohet jashtë Shqipërisë;


c) 3 % e shumës së legalizuar, kur kjo bëhet para se të mbushet 3 vjet nga data e legalizimit. Kur trasferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar por në çdo rast nuk mund të kalojë 3% e shumës së legalizuar që do të transferohet jashtë Shqipërisë.


2. Të gjitha penalitetet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, kalojnë në llogari të Thesarit në Ministrinë e Financave nga bankat dhe janë në shtesë të shumës fillestare të paguar në momentin e legalizimit.



Neni 16


Përgjegjësia për zbatimin e kushteve mbi legalizimin e shumave në të holla



1. Përgjegjësia për zbatimin e kushteve të parashikuara në nenin 18 të këtij ligji në lidhje me transferimin e kapitalit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i takon:


a) Subjekti që ka përfituar nga legalizimi i shumave në të holla sipas këtij ligji në rastet kur transferimi kërkohet të bëhet nga banka të tjera të ndryshme nga banka në të cilën është bërë legalizimi;


b) Bankës në rastet kur transferimi kërkohet të bëhet në bankën në të cilën është kryer legalizimi.


2. Banka Qendrore gjatë inspektimeve, në periudhën e zbatimit të këtij ligji si dhe në


periudhën tre vjeçare që pason, mban në konsiderate zbatimin e dispozitave të këtij ligji në lidhje me kufizimet e lëvizjeve kapitale jashtë kufijve shtetërore të Republikës së Shqipërisë.



Neni 17


Ndërprerja e procedurës me vullnetin e të interesuarit



Në rastet kur subjektet, i cili ka nisur procedurat e legalizimit të kapitalit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, për shkak të rrethanave të caktuara, ndërpret procedurën e legalizimit, ai i nënshtrohet dispozitave të ligjeve në fuqi sikur procedurës të mos ishte nisur asnjëherë,



KREU iII


FAIJA E DETYRIMEVE TATIMORE DHE DOGANORE



Neni 18


Subjektet që përfitojnë



Nga falja e parashikuar në këtë kre, përfitojnë:


a) Të gjithë tatimpaguesit ndaj të cilëve administratat tatimore nuk kanë detyrime për rimbursim të shumave apo kreditim të tatimeve si dhe kur nuk rezultojnë me tepricë kreditore ndaj administratës tatimore;


b) Të gjithë tatimpaguesit ndaj të cilëve administratat tatimore kanë detyrime për rimbursim të shumave apo kreditim të tatimeve apo që rezultojnë me tepricë kreditore.


-Në rastet kur pranojnë me shkrim që shuma për t’u rimbursuar apo kredituar nga administrata tatimore të zvogëlohen në vlerë të barabartë me shumën e detyrimit tatimor të falur.


c) Të gjithë debitorët ndaj administratës doganore sipas përcaktimeve të nenit 26 të këtij ligji.


d) Procedurat e aplikimit të subjekteve të sipërpërmendura për falje miratohet me udhëzim të Ministrit të Financave.



Neni 19


Detyrimet tatimore që falen



Falen pa pagesë në favor të buxhetit të shtetit:


a) të gjitha detyrimet tatimore të personave fizikë, të regjistruara si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël të mbetura të papaguara e që i përkasin periudhës tatimore deri në 31 Dhjetor 2009;


b) Detyrimet tatimore të papaguara të shtetasve për periudhën tatimore deri më 31 Dhjetor 2009.


c) Kamat vonesat dhe gjobat e shtetasve për detyrimet tatimore të vitit 2010, nëse paguajnë principalin e këtij detyrimi brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji.


d) Detyrimet tatimore të papaguara, të tatimpaguesve persona juridikë, apo persona fizikë të regjistruar si subjekt i TVSH, që janë të evidentuara në regjistrat e administrative tatimore deri në datën 31 Dhjetor 2008.


Neni 20


Falja e gjobave të lidhura me detyrimin për pajisje me pajisje fiskale


Të gjithë tatimpaguesit. Subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël që janë dënuar me gjobë administrative për mosinstalim të pajisjeve fiskale dhe e kanë instaluar pajisjen fiskale brenda datës 28 shkurt 2011 i, ju falen shumat e gjobave të papaguara të lidhura me mosplotësimin në kohë të detyrimit për tu pajisur me pajisje fiskale


Neni 21


Falja e detyrimit tatimor për tatimpaguesit persona juridike apo tatimpaguesit e regjistruar si subjekt i tvsh-së.


Detyrimet tatimore të papaguara, të tatimpaguesve persona juridike, apo persona fizike të regjistruar si subjekt i TVSH, që janë të evidentuara në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 Janar 2009 deri 31 Dhjetor 2009, falen nësë tatimpaguesit brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, paguan 50% të principalit të tatimit.


Neni 22


Deklarimi vullnetar i detyrimit tatimor


1. Tatimpaguesit të cilët për periudhat tatimore deri me 31 Dhjetor 2010, kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se, detyrimi real, kanë të drejtë që brenda periudhës së veprimit të këtij ligji, të vetëdeklarojnë detyrimet reale tatimore përpara se, ndaj tyre të ketë filluar një kontroll tatimor i administratës tatimore.


2. Tatimpaguesi i cili deklaron detyrimin real në përputhje me paragrafin e parë të këtij neni dhe paguan 50 % të detyrimit tatimor të vetëdeklaruar, i falet pjesa tjetër e detyrimit së bashku me kamat vonesat dhe gjobat që do të aplikoheshin në këto raste.


3. Dispozita e pikës 2 të nenit 18 të këtij ligji e lidhur me kompensimin e tepricave kreditore, zbatohet edhe për këtë rast.


4. Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse nga kontrolli tatimor rezulton se, detyrimi tatimor është më i madh se, ai i vetëdeklaruar sipas këtij neni.


Neni 23


Falja e detyrimeve të sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të vetëpunësuarit


1. Të gjithë tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar, ju falen:


a) Të gjitha detyrimet e papaguara të lidhura me derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vetën e tyre, për periudhën deri në fund të vitit 2008.


b) Të gjitha detyrimet e papaguara të lidhura me derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për vetën e tyre, për periudhën nga 1 janari 2009, deri më 31 dhjetor 2010, me kusht që brenda 31 dhjetorit 2011 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011.


2. Të gjithë tatimpaguesit e përmendur në paragrafin e parë të këtij neni, që paguajnë të gjithë shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Brenda afatit të zbatimit të këtij ligji, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe të kamatvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera.


3. Periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe që kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përfitimit të të drejtës për pension.


Neni 24


Falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat fizikë dhe juridikë.


Të gjithë tatimpaguesve, persona fizikë dhe juridikë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, iu falen të gjitha shumat e gjobave dhe kamatëvonesave.


Neni 25


Detyrimet e administratës tatimore


Administrata tatimore, brenda një afati që përcaktohet në Udhëzim të Ministrit të Financave, evidenton kategoritë e tatimpaguesve, që përfitojnë nga falja e parashikuar në këtë ligj të klasifikuara sipas nenit 23 të këtij ligji dhe përgatit një listë paraprake së, bashku me shumat e detyrimeve të papaguara.


Neni 26


Falja e detyrimeve ndaj administratës doganore


1.Falen të gjitha detyrimet, gjobat dhe kamatëvonesat e debitorëve ndaj administratës doganore të lindura deri me 31 dhjetor 2008 dhe të evidentuara nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate, të kontabilizuara deri me 31 Dhjetor 2010 dhe të papaguara në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.


2. Të gjithë debitorët ndaj administratës doganore që brenda afatit të zbatimit të këtij ligji. paguajnë të gjithë shumën e principalit të detyrimit të lindur gjatë vitit 2009 dhe të evidentuar nëpërmjet vendimeve të kësaj administrate dhe të kontabilizuar dhe të papaguara deri në hyrjen ne fuqi të këtij ligji, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë iu falen gjobat dhe kamatvonesat e papaguara, të lidhura me këto detyrime.


3. Shtetasve të cilët kanë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, automjete dhe që nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50% të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatvonesat që do të paguanin.


4. Subjektet të cilët kanë bërë një deklarim doganor për periudhën deri më 31 Dhjetor 2010, duke deklaruar detyrime më të ulta se, detyrimet që duhej të ishin paguar për mallin e importuar, kanë të drejtë që brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji dhe përpara se të merret një vendim nga administrata doganore, të vetëdeklarojnë detyrimin real që duhej të ishte paguar dhe të paguajnë detyrimin e munguar. Në këtë rast nuk do të aplikohen gjobat dhe kamat vonesat për këtë detyrim.


5. Subjektet nuk përfitojnë nga paragrafi 4 i këtij neni, nëse rezulton se, detyrimi është më i madh se, ai i vetëdeklaruar sipas paragrafit 4.


Neni 27


Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për shtetasit


1. Të gjithë shtetasit, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që brenda afatit të veprimit të këtij ligji, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.


2. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.


3. Në rast se, shtetasi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licensuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme, i bashkëlidh dhe aktin e vlerësimit të ekspertit.


4. Zyra përkatëse e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, llogarit diferencën ndërmjet çmimit të kontratës së regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së pasqyruar në akt ekspertim dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim. 5. Në rast se, shtetasi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me çmimet minimale fiskale, atëherë ky fakt shprehet në aplikimin e tij për rivlerësim.


6. Në rastin e parashikuar në paragrafin 5 më sipër, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme llogarit diferencën ndërmjet çmimit të kontratës se regjistruar në këtë zyrë dhe vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmime minimale fiskale si dhe tarifën që duhet të paguajë shtetasi për të regjistruar këtë rivlerësim.


7. Tarifa që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi, është 1% e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit me vlerën e kontratës së regjistruar në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.


8. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë si vlerë regjistrimi në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në momentin e regjistrimit.


9. Formularët e aplikimit miratohen me Udhëzim të Ministrit të Financave.


10. Për shitjen e pasurisë të bërë pas rivlerësimit, tatimi do të llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi.


Neni 28


Procedura e shuarjes se borxhit fiskal


1. Brenda 2 (dy) muajve pas përfundimit të i afatit të zbatimit të këtij ligji, administrata fiskale përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji shuajnë detyrimet fiskale të falura sipas këtij ligji dhe bëjnë pasqyrimet e këtij fakti në regjistrat e tyre kontabël.


2. Procedura e shuarjes së detyrimeve fiskale të falura dhe të detyrimeve fiskale të cilave ju ka kaluar afati i parashkrimit përcaktohet me udhëzim të Ministrit të Financave.


Neni 29


E drejta për ankimim


Ndaj vendimeve të administratave të parashikuara në këtë ligj, subjektet kanë të drejtën e ankimimit në gjykatë, sipas dispozitave ligjore në fuqi.


Kreu iV


DISPOZITA TE FUNDIT DHE TRANZITORE


Neni 30


Afati i veprimit të ligjit


E drejta e subjekteve që, të përfitojnë nga legalizimi dhe falja, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, mund të ushtrohet deri në date 31 Dhjetor 2011.


Neni 31


Sanksionet


1. Personat përgjegjës, të cilët shkelin procedurat e parashikuara në këtë ligj, penalizohen


si me poshtë:


a) Në qoftë se ka shkelje procedurash, përsa i përket legalizimit të kapitalit, atëherë Banka me urdhër të Ministrit të Financave dënohet me gjobë administrative nga 100.000 deri në 200.000 lekë për çdo rast;


b) Mosushtrimi në kohë i procedurave të parashikuara nga ky ligj, për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme nga nëpunësi i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë me gjobë nga 5.000 deri në 10.000 lekë, për çdo rast.


2. Në rastet e konstatimit të shkeljeve për të cilat gjatë periudhës së zbatimit të këtij ligji, vendosen sanksionet e parashikuara në paragrafin e parë, shkronja a dhe b e këtij neni, procedura vijohet sidoqoftë, nëse rasti është në përputhje me dispozitat e këtij ligji.


Neni 33


Afatet e nxjerrjen e akteve nënligjore


1. Ministri i Financave me urdhër miraton formularët e aplikimit për përfitim nga procesi i legalizimit të kapitalit.


2. Ministri i Financave nxjerr Udhëzim për zbatimin e neneve 11, 12 15, 19, 21, 23, 24, 25,26,27 dhe 28 të këtij ligji.


3. Aktet nënligjore të parashikuara nga ky ligj, miratohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.


Neni 34


Hyrja në Fuqi


Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.