E përkushtuar ndaj mendimit të hapur, ideve pluraliste, ekzaminimeve nga perspektiva të ndryshme teorike e metodologjike. Kjo “Sociological Analysis”, (Analiza Sociologjike) revista akademike ndërkombëtare në fushën e shkencave shoqërore, e cila ka nisur të botohet në Shqipëri nga Universiteti Evropian i Tiranës, nën drejtimin e dr. Fatos Tarifës. “SA” botohet dy herë në vit, në gjuhën angleze dhe synon të jetë një dritare e rëndësishme me botën. Sipas kryeredaktorit të kësaj reviste, Tarifa, ideja për krijimin e një reviste akademike në fushën e shkencave shoqërore lindi në vitin 1997, kur ai punonte për disertacionin e doktoraturës në Universitetin e Karolinës së Veriut (Chapel Hill) në SHBA. Duke filluar nga vjeshta e vitit të kaluar, kjo revistë është e asociuar me Universitetin Europian të Tiranës dhe e ka redaksinë e saj në këtë universitet. “Qëllimi i kësaj reviste, është të ofrojë një mundësi “shkarkimi” për studime cilësore të kryera nga studiues të shkencave sociale në vendin tonë. Duke botuar punimet e tyre në anglisht në SA studiuesve shqiptarë u krijohet një mundësi reale, që përpjekjet dhe arritjet e tyre akademike të bëhen të njohura jashtë vendit në një mënyrë vërtet profesionale”, - thotë Tarifa, ndërsa shton se botimi i një reviste të tillë do të jetë një nxitje për studiuesit shqiptarë të shkencave sociale, për të ndërmarrë studime në të mirë të thellimit të dijeve mbi realitetin tonë shoqëror. Por SA ofron një burim të vlefshëm informacioni për studiuesit dhe studentët shqiptarë të shkencave shoqërore mbi drejtimet aktuale të zhvillimit të teorisë dhe të metodologjisë sociologjike. “SA u ofron studiuesve dhe studentëve shqiptarë të shkencave shoqërore mundësinë, që të njihet me studime cilësore në fushën e sociologjisë dhe në disiplina të tjera të afërta, të kryera nga disa prej sociologëve më të shquar në ditët tona dhe nga anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar të sociologëve”, - vazhdon Fatos Tarifa. Ndërkaq, kjo revistë do të jetë një mjet për shkëmbimin e ideve midis sociologëve shqiptarë dhe të huaj. Faqet e revistës janë të hapura për sociologët shqiptarë e të huaj. Çdo numër i saj përmban një vëllim prej 150 deri 200 faqe. Revista botohet tërësisht në anglisht. Vetë botimi i saj është ilustrim i shkallës, në të cilën është globalizuar bota e sotme. Anëtarë të Bordit Editorial të kësaj reviste janë sociologë të shquar në kohën tonë, të cilët u përkasin universiteteve më të mirë në SHBA.


Përmbajtja
Çdonjëri nga numrat e revistës të botuar deri më sot, ashtu si edhe ata që do të pasojnë, pasqyron diversitetin e autorëve (shqiptarë, amerikanë, holandezë, anglezë, suedezë, kanadezë, gjermanë) dhe të subjekteve të trajtuara prej tyre (nga teoria sociologjike, te marrëdhëniet e sociologjisë me historinë, ekonominë, psikologjinë dhe disiplina të tjera shoqërore, te stratifikimi social, te zhvillimi dhe konsolidimi demokratik, tek traumat që pasojnë konfliktet etnike, tek heteroseksualiteti human, te marrëdhëniet midis teokracisë, demokracisë dhe sekularizimit, tek shpjegimi i sentimenteve antiamerikane në Evropë, te roli i komunitetit ndërkombëtar në tranzicionin postkomunist shqiptar, etj)