23/04/2009  Instituti i Ndërtimit është i vetmi institucion shtetëror që kryen analizat e të gjitha materialeve të ndërtimit që prodhohen në vendin tonë, apo importohen në vendin tonë. Drejtori i këtij institucioni, Artur Roshi, shprehet se ky institut zotëron laboratorë sipas standardeve evropiane, ku punon dhe një staf i kualifikuar dhe analizat që kryhen aty janë të standardeve të kërkuara.


Shqipëria prej më shumë se 19 vjetësh është shndërruar, si të thuash, në një kantier ndërtimi dhe vitet e fundit është shtuar edhe më shumë. Ndërkohë, siç shprehet drejtori i Institutit të Ndërtimit Artur Roshi, prej disa kohësh puna në këtë institut është intensifikuar dhe përshtatur me standarde të reja, në përputhje dhe me politikat e qeverisë për të rritur cilësinë e ndërtimeve.


- Zoti Roshi, sa laboratorë janë në Institutin e Ndërtimit dhe sa të rëndësishme janë analizat e materialeve ndërtimore?


- Në Institutin e Ndërtimit janë 6 laboratorë, që kryejnë analizat për materialet e ndërtimit sipas standardeve të reja të akredituara në Agjencinë e Akreditimit pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Deri tani është akredituar laboratori i çimentos, materiali lidhës dhe është në proces dhe akreditimi i laboratorit të materialeve konstruktive, hekur-betonit. Një staf i kualifikuar, në të vetmin laborator me stazh pune mbi 40 vjet, çdo ditë kryen analiza të materialeve të ndërtimit. Ajo që vlen të theksohet është se edhe teknologjia është përmirësuar. Pajisjet janë të viteve të fundit, brenda standardeve teknike të funksionimit të tyre. Këto analiza janë të nevojshme për të gjitha materialet e ndërtimit Kryerja e analizave ka një rendësi të veçantë, pasi ky proces lidhet jo vetëm me rritjen e cilësisë së ndërtimeve, por edhe indirekt me rritjen e sigurisë dhe cilësisë së jetës. Analizat në këtë Institut marrin një rëndësi të veçantë edhe për faktin se janë të certifikuara nga një ndërmarrje shtetërore, që krijon një besueshmëri më të madhe, pasi certifikata jepet në emër të shtetit për cilësinë dhe sigurinë. Në departamentin e laboratorit, ndryshe nga vitet e mëparshme, është kryer dhe informatizimi i tyre. Në këtë kuadër, janë përpiluar dhe programe testimi, që ofrojnë shpejtësi dhe cilësi në bërjen e analizave, por eliminohen edhe abuzimet. Ky proces plotëson një nga pikat e kryesore të akreditimit, si dhe mënjanon kontaktin e klientëve me personelin që kryen analizat laboratorike. Tashmë është hapur dhe zyra e pranimit të mostrave, që rregullon dhe trajtimin e klientit, sipas koncepteve të tregut të lirë, që do të thotë se klientit i ofrohet shërbimi, cilësia dhe saktësia e analizave të materialeve në një kohë të shkurtër.


- A ka kryer Instituti i Ndërtimit analiza për materialet e ndërtimit që importohen në vend?


- Instituti i Ndërtimit kryen analiza edhe për materialet e ndërtimit që importohen. Ne kemi ofruar shërbimin tonë pranë të gjitha pikave doganore për të certifikuar këto materiale.


- Pranë këtij Institutit të Ndërtimit ndodhet dhe Departamenti i Inspektimit dhe Kontrollit të Komfrontitetit. Ku qëndron rëndësia e tij?


- Departamenti i Inspektimit dhe Kontrollit të Komfrontitetit është përshtatur në kushtet e sotme që kërkon tregu i ndërtimit dhe në përputhje me standardet evropiane. Deri tani ka një trupë inspektimi të akredituar dhe është e vetmja në Shqipëri. Si objekt pune ky departament në fazën e parë ka kryerjen e inspektimeve gjatë kohës që produkti i ndërtimit ende nuk ka dalë në treg. Ndërsa faza e dytë konsiston në inspektimin e produkteve të ndërtimit në treg, ose e thënë ndryshe objekteve që tashmë janë në ndërtim ose në përfundim.


- Instituti i Ndërtimit është një institut i ri, a ka një bazë ligjore për të funksionuar?


- Puna e Institutit të Ndërtimit deri tani është rregulluar mbi bazën e të ashtuquajturave "leje teknologjike", një ligj i cili kishte mangësi në kushtet e zhvillimit të sotëm, kur sektori i ndërtimit u bë një ndër shtyllat e zhvillimit të vendit. Por ne kemi hartuar dhe e kemi dërguar në qeveri një p/ligj, që pritet të miratohet shumë shpejt. Është një bazë ligjore që i jep të drejtë Institutit të Ndërtimit ushtrimin e kontrollit të plotë të materialeve për ndërtim, inspektime të cilat do të rritin më tej cilësinë e sigurinë e ndërtimeve. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi të qeverisë merr fund dhe faza e tranzicionit për kontrollin e materialeve të ndërtimit dhe i hap rrugën edhe trupave të tjera të inspektimeve private që janë në përputhje me tregun.


- A bën Instituti i Ndërtimit oponencë për ndërtimet, hidrocentralet apo rrugët në ndërtim?


- Pranë Institutit të Ndërtimit është një departament që bënë oponencën teknike për objektet me vlerë të preventivit mbi 100 milionë lekë si dhe për ndërtimet që kanë sipërfaqe shtesë nga leja e ndërtimit në bazë të ligjit "Për disiplinën e punimeve të ndërtimit" si dhe ligjit "Për legalizimin, urbanizimin dhe informalizimin e ndërtimeve pa leje". Ky departament ka sektorë të veçantë për hartimin e rregulloreve teknike, që janë kushtet teknike të projektimit dhe ato të zbatimit. Bën edhe projekte, por vendos edhe standarde për materialet e produktet për ndërtim. Ndërsa është edhe sektori i veprave hidroenergjetike, që ofron studime hidroenergjetike për hidrocentrale të veçanta,apo në kaskadë, si dhe konsulencë teknike dhe studime për problemet që lindin me shfrytëzimin e ujërave ndërkufitare, por edhe rezervat ujore. Pranë IN-së është bërë oponenca për projektzbatimin e të gjitha TEC-ve apo HEC-ve të dhëna me koncesion nga qeveria shqiptare. Ndërsa oponenca për studimin e fizibilitetit është bërë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Në Institutin e Ndërtimit janë bërë edhe oponencat e të gjitha akseve rrugore që janë ndërtuar në vendin tonë.


Ajo që vlen të theksohet është fakti se si institucionet qeveritare, por edhe ato private, kanë marrë parasysh të gjitha sugjerimet dhe kufizimet e parashtruara pas hartimit të oponencës si në fazën e projektidesë, ashtu edhe në fazën e zbatimit dhe ndërtimit të projekteve.