Një gjykatës britanik është

treguar i mëshirshëm,

duke mos e çuar në burg

një shqiptare, e cila ishte akuzuar

për përfitimin e lejes së qëndrimit

dhe për shtetësinë britanike

përmes mashtrimit. Elda Derri ka

qenë me fat, pasi ka fituar simpatinë

e gjykatësit Mr. Justice Nick

Anley, i cili e ka dënuar atë nën

rregulloren e dhënies së masës

së dënimit "Discharge Absolute",

që është forma më e ulët e një

dënimi që reflekton nivel të ulët

kriminaliteti. Megjithatë, edhe

kjo formë dënimi regjistrohet si

"Criminal Record", krim i regjistruar në dosjet policore.

Gjykatësi

Sipas tij, shqiptarja 27-vjeçare,

nënë e dy fëmijëve, nuk mund të

burgoset për aq kohë kur ka me

dhjetëra raste të personave, të

cilët kanë fituar nënshtetësinë

përmes mashtrimit. "Nuk do të

ishte e drejtë për mua të burgosja

zonjën Derri, e cila është

njëra prej shumë personave që

kanë mashtruar. Ajo nuk mund

të veçohej nga të tjerët për t‘u

ndëshkuar përpara ligjit", ka nënvizuar

gjykatësi. Një faktor favorizues

në mosdënimin e shqiptares

ishte pikërisht dështimi prokurorisë

në sjelljen përpara gjykatës

të një projektligji të ri, hartuar

nga "Home Office" për çështje të

ngjashme me atë të zonjës Derri.

Pikërisht ekzistenca e një projektligji

në formulim e sipër ka qenë

pika kyçe e mbrojtjes. Dy muaj

më parë, avokati Naim Hasani, që

përfaqësonte mbrojtjen e zonjës

Derri, përmes një dëshmie prej 15

faqesh, ka sjellë fakte të rëndësishme

rreth jetës së klientes së tij,

e cila ishte detyruar të gënjejë për

hir të një jete më të mirë. Avokati

Hasani nuk ka mjaftuar me kaq. Ai

ka mundur të kontaktojë Drejtorinë

e Hetimit të Nënshtetësisë

së Fituar me Mashtrim, të cilët

kanë konfirmuar përmes një letre

zyrtare, se ata kishin dërguar 70

letra, personave të përfshirë në

një mashtrim të tillë. Gjykatësi

Mr. Justice Anley ka falënderuar

zotin Hasani për sjelljen në dritë

të këtyre fakteve, të cilat ia kanë

bërë atij më të lehtë marrjen e

vendimit në këtë çështje.

Gëzimi dhe ankthi

Elda Derri, në përfundim të

seancës, ka lënë gjykatën me

lot në sy nga gëzimi bashkë me

të shoqin. Ajo i shpëtoi burgosjes

për këtë krim, që kishte

pranuar fajësinë dhe mund

të dënohej deri në tre vjet. E

nëse për të çështja kriminale e

kësaj histori deri diku është e

përfunduar (nëse nuk apelon

prokuroria në Gjykatën e Apelit)

mbeten ende paqartësi në

lidhje me vijueshmërinë e të

gëzuarit të lejes së qëndrimit

dhe shtetësisë britanike. "Është

një fitore padyshim për mua si

avokat dhe për klienten time.

Megjithatë duhen pritur hapat

e mëtejshëm që do të ndërmarrë

‘Home Office‘ ndaj zonjës Derri.

Jemi në pritje të ashtuquajturës

‘New Policy‘ nga ‘Home Office‘

për raste të ngjashme, pasi në

zyrën tonë kemi shumë të tilla",

është shprehur për "Shqip",

avokati Naim Hasani. I pyetur

se çfarë do të ndodhë më tej me

statusin e zonjës Derri në Angli,

një zëdhënëse e "UK Borders

Agency" tha: "Ne nuk mund të

komentojmë për çështje individuale.

Kur zbulojmë se janë

shkelur rregullat e emigracionit

ne hetojmë me seriozitetin e

plotë ndaj atyre individëve".