Anoreksia dhe bulimia janë dy sëmundjet që shkaktojnë numrin më të madh të viktimave mes vajzave nga mosha 12 deri në 25 vjeçe. Këto dy patologji janë shqetësimet kryesore të krijuara nga çrregullimet në të ngrënë. Mani të vogla lidhur me ushqimin mund të çojnë në krijimin e shumë problemeve shëndetësore, të cilat mund të mbeten për gjithë jetën, ose të transformohen dalëngadalë në patologji të rrezikshme, duke shkaktuar edhe probleme serioze psikologjike. Shkaqet kryesore që sjellin këtë gjendje janë të ndryshme: problemet shkollore, familjare, problemet me karakterin, identitetin, frika e përballjes me problemet e shumta. Pra, ajo që ndikon ndjeshëm mbi këtë gjendje mbetet faktori psikologjik, duke u shoqëruar me pasoja fatale.



Fillimisht vajzat kanë tendencë të reduktojnë ushqimin. Zakonisht ato preferojnë të ushqehen me gjëra të thata e të lehta, madje duke kaluar në ekstremitet, ku fillojnë të kontrollojnë edhe yndyrën e kosit. Hanë pak, gjithmonë e më pak. Pesha dhe fuqia bien. "Është një sëmundje e pabesë, e rëndë, që godet trupin e veçanërisht gjendjen psikologjike", pohon një profesor doktor. Zakonisht vajzat janë të prirura të mos i pranojnë kurat, duke preferuar më shumë vdekjen sesa shtimin në peshë, ose humbjen e kontrollit të trupit të tyre.



Është një "bishë e tmerrshme", e cila nga vitet ‘80 është bërë pothuajse një epidemi. Prej saj shkaktohen 5000 raste të reja në vit, ku viktimat e saj janë kryesisht femrat nga 12-25 vjeçe. Ekspertët pohojnë se është një sëmundje e botës perëndimore, asaj të pasur dhe evolutive. Është një shqetësim etnik.



"Më parë ishte një sëmundje shumë e rrallë. Sot, pjesa më e madhe e vuajtjeve psikike të femrës shprehet me shqetësime ushqimore: fenomen ky që ka të bëjë me adoleshencën, me formimin e personalitetit femëror dhe ndarjen nga familja. Kandidate për t‘u prekur nga ky shqetësim është një vajzë, e cila rritet me një perfeksion ideal ndaj suksesit", pohon një psikoterapeute që punon pranë një qendre për adoleshentë.



Megjithatë shkaqet e këtyre patologjive nuk janë shumë të njohura: humbje e të afërmve, apo braktisje, ngjarjet traumatike shoqërohen gjithmonë me këto shqetësime, që janë përgjegjëse për vuajtje të tmerrshme, si për individin ashtu dhe familjarët e tij.



Për shumë kohë, literatura shkencore i ka cilësuar si "femërore" këto patologji, sepse zakonisht ato që preken prej këtyre sëmundjeve janë femrat. Sot, është vënë re se nuk preken vetëm femrat, por edhe meshkujt, duke filluar nga fëmijëria e deri në moshë të madhe.



Fenomeni



Anoreksia, bulimia dhe obeziteti janë tri patologji të rënda për trupin e njeriut. Me kalimin e viteve trupi ndryshon, shëndoshet shumë, ose dobësohet deri në kockë. Kjo është shenja e dukshme e çrregullimeve psikologjike që përfaqësojnë vuajtjen e vërtetë dhe si të tilla duhen trajtuar. Anoreksia, bulimia dhe obeziteti janë shqetësime të rënda psikologjike, ose më saktë sëmundjet e ushqimit. Këto patologji mund të cilësohen si një ajsberg.



Shkaqet



Shkaqet e patologjisë anoreksiko-bulimike dhe obezitetit psikogjen janë të shumta. Ato lidhen me historinë e personit dhe të familjes ku ai është rritur. Mendimi obsesiv i ushqimit ngulitet thellë në mendjen dhe jetën e atij që vuan nga anoreksia, bulimia dhe obeziteti.



Efektet në trup



Anoreksia, bulimia dhe obeziteti e godasin seriozisht trupin. Kequshqyerja dhe të vjellat e provokuara vetë, shkaktojnë dëme të vazhdueshme në aparatin tretës e gjithashtu prishin edhe dhëmbët. Dehidratimi dhe ipopotasemia mund ta dëmtojnë zemrën. Gjatë anoreksisë, në veçanti, si për humbjen e peshës, ashtu edhe problemet psikologjike, krijohet amenorreja (bllokimi i ciklit menstrual), që nëse zgjatet për shumë vite mund të shkaktojë osteoporozën (zhgëlqerëzimin kockor).



Gjatë obezitetit shfaqen patologji kardiovaskulare, osteo-artro-muskulore dhe metabolike (diabeti) që e rrezikojnë vërtet shëndetin e një individi të caktuar. Nga anoreksia, bulimia dhe obeziteti është e sigurt se mund të vdesësh. Vitet e fundit është zbuluar se anoreksia, bulimia dhe obeziteti shpesh fshehin edhe patologji të tjera.



Roli kryesor i familjes



Shqetësimi anoreksiko-bulimik dhe obeziteti shfaqen në adoleshencë, por rrënjët e tyre janë që në fëmijëri. Prindërit janë pikëmbështetja e mirëqenies dhe shqetësimeve të fëmijëve. Shpesh prindërit nuk janë të vetëdijshëm për shqetësimet psikologjike të pazgjidhura të fëmijëve, të cilat mund të kenë ndikuar për keq në gjendjen emocionale të tyre. Anoreksia, bulimia dhe obeziteti janë sëmundje që krijojnë konfuzion dhe dhembje brenda familjeve, sidomos mes prindërve, pasi këta të fundit gjenden të papërgatitur, tremben dhe ndihen të pafuqishëm përballë këtyre fenomeneve.