Njëqind poetë, njëqind poezi në njëqindvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është antologjia e poezisë atdhetare, ‘Muza e Mëmëdheut’, e hartuar nga poeti dhe studiuesi Agim Vinca, që u promovua të enjten në Prishtinë.

E kishte nisur si një antologji gjithëpërfshirëse të poezisë atdhetare, por njëqindvjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ia solli në mendje një tjetër ide. Poeti dhe studiuesi i letërsisë Agim Vinca sapo ka botuar antologjinë e poezisë ‘Muza e Mëmëdheut’, në të cilën ka përfshirë njëqind poezi patriotike të njëqind poetëve shqiptarë. Në promovimin e kësaj antologjie, që u bë të enjten në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë, autori i antologjisë shpjegoi se si i ka lindur ideja për botimin e këtij libri.

“Ky libër ka lindur si rezultat i dëshirës sime që të bëj diçka në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ideja fillestare ka qenë që të bëj një antologji të gjerë gjithëpërfshirëse të poezisë atdhetare me më pak poetë dhe më shumë poezi sigurisht, por posa hymë në vitin 2012 ndërrova mendje dhe vendosa ta bëj ashtu siç e kam bërë, ‘Njëqind poetë, njëqind poezi në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë’. Mu duk se ka kuptim dhe se ka bukurinë dhe simbolikën e vet”, tha Vinca.

Libri është botuar nga dy shtëpi botuese, ‘Uegen’ nga Tirana dhe ‘Artini’ nga Prishtina. Vinca tregoi se ka qenë ideja e tij që antologjia t’i ketë dy botues.

“Doja që të bëhemi bashkë. Nuk jemi, fatkeqësisht, aq sa duhet, por ka gjasa të bëhemi”, tha ai.

Duke folur për antologjinë dhe për poezitë e përfshira në të, Vinca tha se kanë qenë dy kritere për hartimin e saj.

“Kriteri i parë është kriteri tematik. Duhej të ishin vjersha kushtuar atdheut ose vjersha me frymë atdhedashurie. Ndërsa kriteri i dytë është kriteri estetik”, tha Vinca.

Për librin folën botuesi nga Tirana Xhevahir Lleshi, poeti Visar Zhiti dhe studiuesi i letërsisë Liman Matoshi.

“Është mikpritja prishtinase që ma bën edhe të vështirë edhe të bukur paraqitjen e këtij libri përpara jush”, tha botuesi Lleshi. Ai shtoi se që ditën e parë kur e ka biseduar me autorin botimin e këtij libri, ka arritur në mendimin se një libër i tillë do të ishte një tufë me lule të bukura për njëqindvjetorin e pavarësisë. “Që nga ai moment ne nuk u ndamë nga ai mendim asnjë çast, asnjë ditë”, shtoi ai.

Ndërkaq, studiuesi Liman Matoshi u shpreh se janë përfshirë në këtë libër njëqind poetë me njëqind poezi, duke formuar një buqetë me lule të freskëta, secila me ngjyrën dhe aromën e saj, secila me ëndrrën dhe vizionin për atdheun. Ai theksoi se ndjenja e atdhedashurisë që frymëzon këtë tip poezi është nga të gjitha ndjenjat më e fuqishmja dhe më e pazbërthyeshmja.

“Ajo është e përhershme dhe e kudondodhshme, e lashtë sa vet historia e njerëzimit”, tha Matoshi.

Në këtë antologji janë përfshirë poezi të njëqind poetëve shqiptarë, që nga De Rada, Naimi, Pashko Vasa, Serembe, Dara i Ri, Skiroi, Doçi, Shiroka, Çajupi, Mjeda, Fishta, Asdreni, Gjeçovi, Gurakuqi, Prenushi, Noli, Poradeci, Migjeni e deri te poetët bashkëkohorë nga tërë hapësira shqiptare.

Poeti Visar Zhiti, një poezi e të cilit është përfshirë po ashtu në këtë antologji, u shpreh se kemi ndër duar një copë nga Altari i Atdheut, një antologji poetike, të ideuar dhe qëmtuar me dashuri e përkushtim nga poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe, ligjërues i saj dhe kritik letrar me përvojë, Profesor Agim Vinca.

Ai evokoi kujtime nga koha kur kishte ardhur për herë të parë në Prishtinë, për të marrë pjesë në Panairin e parë të Librit që ishte organizuar në vitin 1999. Zhiti shtoi se kjo antologji është si një rënie në gjunjë para altarit të Atdheut.