Formulari i aplikimit dhe normat e testit fizik për kandidatët. Si mund të fitohet një nga 150 vendet e përcaktuara për Patrullën e Përgjithshme


Luan Kondi



Tiranë – Policia e Shteti publikon rregullat e aplikimit dhe kriteret e pranimit të aplikuesve që synojnë Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”. Nisur nga fakti se sot nis dhe zgjat një muaj edhe procesi i pranimit të kandidatëve të rinj, që do të ndjekin studimet pranë Shkollës së Policisë për “Patrullën e Përgjithshme” publikohen procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve sa më cilësorë për të shërbyer si punonjës policie. Kuota e pranimit në Shkollën e Policisë do të jetë 150 persona. Konkurrimi me shkrim do të bëhet në datën 10.07.2008 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në orën 08:00. Vetëm vitin e kaluar kanë aplikuar për një vend rreth 2000 të rinj, nga të cilët u përzgjodhën rreth 100 veta.

Pranimi

Kriteret e domosdoshme për përzgjedhjen e një kandidati si Punonjës i Policisë së Shtetit janë shtatë dhe ato nisin me qenien e tij shtetas i Republikës së Shqipërisë, gjendja e mirë shëndetësore dhe aftësia fizike për të kryer detyrën e deri te ndalimi i atyre që janë përjashtuar nga Policia apo dhe Shërbimi Civil. Përcaktohen edhe dokumentet që i nevojiten aplikantit, të cilat paraqiten pranë Drejtorive të Policive në Qarqe duke filluar me formularin, fotokopjen e pasaportës ose certifikatës së lindjes me fotografi, kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme, dëshmi penaliteti, fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.

Trajnimi

Sipas kushteve të përcaktuara, trajnimit i nënshtrohen aplikantët fitues dhe në të futen trajnimi policor bazë 20-javor pranë Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”. Gjatë trajnimit bazë policor aplikantët do të trajnohen për të përmbushur të gjitha detyrat e një punonjësi policie, duke përfshirë patrullimin parandalues, hetimin paraprak të krimeve, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, policimin në komunitet dhe zbatimin e strategjive bashkëkohore të zbatimit të ligjit.

Ky trajnim do të ndiqet nga një trajnim 20-javor në terren gjatë të cilit punonjësit e policisë do të zhvillojnë dhe përmirësojnë aftësitë e marra në shkollën policore.





Box

Kriteret e përzgjedhjes së aplikantit

1. Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë

2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar

3. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën

4. Të ketë mbaruar shkollën e mesme

5. Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor

6. Të mos jetë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë

7. Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B

8. Nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u pranuar në Polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga Shërbimi Civil.





Procedurat e aplikimit



Procedura e aplikimit për punonjësit e Policisë fillon kur kandidati plotëson formularët e aplikimit dhe i dorëzon ato bashkë me dokumentet e kërkuara në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Me marrjen e formularit të plotësuar, Drejtoria e Policisë së Qarkut i lëshon aplikantit një

dokument që vërteton marrjen e aplikimit.

Drejtoritë e Policisë në Qarqe përgjigjen për dërgimin e formularëve të plotësuar të aplikimit në Sektorin e Pranimit në strukturën qendrore të personelit, në vijim Sektori i Pranimit.



Procedurat e testimit



Aplikantët e përzgjedhur për të vazhduar procesin e pranimit i nënshtrohen procedurës së testimit sipas rendit të mëposhtëm:

a) Testi me shkrim

b) Testi i aftësive fizike

c) Intervista me gojë

ç) Kontrolli mjekësor

d) Marrja e shenjave të gishtave

dh) Kontrolli psikologjik

e) Verifikimi i aplikantit





Testi me shkrim

1. Testi shërben për të vlerësuar nëse aplikanti zotëron njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për kryerjen e detyrave të punonjësit të Policisë.

Aplikantit i kërkohet të lexojë, të analizojë dhe të kuptojë gjuhën standarde shqipe. Testi me shkrim administrohet dhe vlerësohet me pikë nga Sektori i Pranimit. Në përfundim

të testit me shkrim, Sektori i Pranimit publikon zyrtarisht listën e renditjes së rezultateve të testit.

2. Rezultatet e testit me shkrim dalin brenda së njëjtës ditë kur zhvillohet testimi. Aplikantët që kanë marrë 60% të pikëve të përcaktuara për testin me shkrim, njoftohen për të vazhduar procesin e testimit. Rezultatet e testit me shkrim ruhen në dosjen e aplikantit dhe përbëjnë 50% të rezultatit të përgjithshëm të tij.

3. Aplikantët që nuk arrijnë 60% të pikëve të nevojshme të testit me shkrim kanë të drejtë të riaplikojnë për t’u pranuar në Polici me shpalljen e radhës së vendeve të lira.



Testi i aftësive fizike

1. Aplikantët që kalojnë testin me shkrim duhet të kalojnë testin e aftësive fizike, që teston aftësitë psikomotore ku përfshihet:

• Shpejtësia

• Shkathtësia fizike

• Rezistenca

• Forca muskulore

• Koordinimi fizik, të domosdoshme për punën e punonjësit të Policisë.

2. Testi i aftësive fizike vlerësohet sipas standardit të përcaktuar në kohën e zhvillimit të testit.

3. Testi fizik për Shkollën Bazë të Policisë përbëhet nga pesë komponentë:

• Kërcim vertikal

• Ushtrime për barkun një minutë

• Maksimumi i mundshëm pompash

• Vrap 300 metra

• Ecje/kros 2.4 km

4. Normat për kalimin e këtij testi janë të ndara veç për femrat dhe për meshkujt dhe sipas grup moshave.

5. Aplikanti duhet të marrë minimumin e mundshëm të pikëve për të vazhduar intervistën me gojë dhe procedurat e mëtejshme të testimit.



Intervista me gojë

1. Qëllimet e intervistës me gojë janë të vlerësojë:

a. Aftësitë e kandidatit për të menduar, analizuar, komunikuar dhe marrë vendime;

b. aftësitë e kandidatit për të reaguar në mënyrën e duhur në kushtet e një stresi minimal;

c. përshtatshmërinë e kandidatit për t’u bërë punonjës Policie

2. Komisioni i Intervistës i bën aplikantit pyetje të strukturuara, të cilat nuk kërkojnë njohuri paraprake të teknikave apo praktikave policore. Pyetjet testojnë aftësitë e aplikantit për të komunikuar qartë, për të shprehur ide dhe koncepte, si dhe për të analizuar dhe marrë vendime.

3. Komisioni e kryen intervistën me gojë në përputhje me udhëzimet e përcaktuara dhe vendos për secilin aplikant rezultatin numerik bazuar në një mekanizëm të miratuar vlerësimi. Mesatarja e vlerësimeve individuale të secilit anëtar të Komisionit përbën 50% të rezultatit të përgjithshëm të kandidatit.





Kontrolli mjekësor

1. Kandidatët e përzgjedhur i nënshtrohen kontrollit shëndetësor nga komisioni mjekësor i ngritur për këtë qëllim.

Shpenzimet e kontrollit mbulohen nga kandidati.

2. Llojet e ekzaminimeve, kriteret dhe procedurat për kontrollin shëndetësor përcaktohen në Rregulloren e miratuar me urdhër të Ministrit.





Marrja e shenjave të gishtave dhe mostra e ADN-së

1. Kandidatëve të përzgjedhur u merret mostra e ADN-së, si dhe shenjat e gishtave sipas standardeve të Interpolit, në bazë të formularit të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm.

2. Shenjat e gishtave dhe mostra e ADN-së e të gjithë punonjësve të Policisë

ruhen në një bazë të veçantë të dhënash në Laboratorin e Policisë Shkencore.



Kontrolli psikologjik

Kandidatët e përzgjedhur i nënshtrohen kontrollit psikologjik nga psikologë të licencuar për të përcaktuar përshtatshmërinë e tyre nga pikëpamja psikologjike për të kryer detyrat e punonjësit të Policisë.



Verifikimi i aplikantit

1. Për të përcaktuar nëse kandidati i përzgjedhur është i përshtatshëm për t’u pranuar në Polici, bëhet verifikimi i:

a) Të dhënave të paraqitura në formularin e aplikimit;

b) dokumentacionit të paraqitur për t’u pranuar në polici;

c) të dhënave të cilat e implikojnë kandidatin në veprimtari kriminale, sjellje antishoqërore apo veprimtari të tjera që janë në kundërshtim me Kodin e Etikës së Policisë të miratuar me ligj.





Rastet e skualifikimit



Kandidati skualifikohet kur:

a) Nuk përmbush një nga kriteret e pranimit;

b) nuk kalon testin me shkrim;

c) nuk kalon testin e aftësive fizike;

ç) nuk kalon kontrollin shëndetësor dhe psikologjik;

d) ka qenë i dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale;

dh)ka pranuar se ka kryer më parë vepër penale;

e) ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara që kanë për qëllim të rrisin mundësitë për punësim të aplikantit;

ë) nga testi për përdorim droge rezulton se është ose ka qenë përdorues droge ose provohet se është regjistruar si përdorues droge në shtatë vitet e fundit;

f) ka kryer një krim në moshë të mitur nën 14 vjeç.

g) ka kryer një kundërvajtje penale në moshë të mitur nën 16 vjeç;

gj) ka të dhëna për përdorim të mëparshëm të drogave të paligjshme para shtatë vitet e fundit;

h) ka të dhëna për përdorim të vazhdueshëm të pijeve alkoolike në masën që ka ndikuar në aftësinë e tij për t’u kujdesur për veten e tij apo të të tjerëve;

i) ka rekomandime, referenca dhe deklarata negative nga të tjerët, përfshirë punëdhënës të mëparshëm;

j) ka të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se kandidati ka shprehur paragjykim ose diskriminim për arsye të etnisë, gjinisë, moshës, prirjes seksuale, racës, fesë, përkatësisë politike, statusit shoqëror apo përkatësisë prindërore.

k) Ka të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se kandidati ka qenë apo është drejtpërsëdrejti ose tërthorazi i përfshirë në veprimtari kriminale;

l) manifeston sjellje të cilat bien në kundërshtim me Kodin e Etikës së Policisë.



Pranimi në Polici

1. Aplikantët të cilët kalojnë me sukses procesin e testimit, përfshihen në listën e kandidatëve për t’u pranuar në Polici sipas pikëve të marra në procesin e testimit në rend zbritës.

2. Struktura qendrore e personelit harton listën e kandidatëve për t’u pranuar në Polici si punonjës policie nga lista e përgjithshme sipas rendit numerik të pikëve të marra gjatë procesit të testimit. Në rastet kur dy ose më shumë kandidatë rezultojnë me pikë të barabarta, do të merret për bazë rezultati i testit me shkrim.

3. Një kandidat i cili është skualifikuar sipas këtij udhëzuesi, ka të drejtë të kërkojë shqyrtimin e rastit të tij nga strukturat qendrore të personelit jo më vonë se shtatë ditë nga marrja e njoftimit për skualifikim. Strukturat përkatëse të personelit duhet të kthejnë përgjigje për kërkesën jo më vonë se dhjetë ditë nga marrja e kërkesës. Nëse rezultati i shqyrtimit është në favor të kandidatit, ai do të lejohet të vazhdojë procesin.







21 Maj 2008