Fieraku i tmerrshëm, i njohur si “Ben qimja”, nuk ngjante me fotot që dispononte policia. Operacioni policor dje në mesditë, pas muajsh të tërë vëzhgimesh


Luan Kondi, Habjon Hasani

Tiranë – Edhe pse ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me fotot që disponon Policia e Shtetit, i tmerrshmi Arben Isufaj, ose i njohur me nofkën “Ben qimja”, nuk ka mundur t’u shpëtojë prangave policore. Tashmë i shumëkërkuari duhet të përgjigjet për mjaft vepra penale të dokumentuara dhe sidomos për një vrasje të kryer në vitin 2002.

Ndryshimi

Interpol Tirana zotëronte tre foto të të shumëkërkuarit, që duket se ai i kishte realizuar ato në moshë shumë të re. Ndërsa realisht ai kishte ndryshuar duke prerë flokët, madje edhe fizionomia e tij ishte tërësisht nga ajo e fotove. I tmerrshmi i Fierit, i kërkuar prej gjashtë vjetësh për vrasjen e një shtetasi, fshihej në Tiranë, por prej disa muajsh ai ishte nën vëzhgimin e policisë. Është dashur kohë që të verifikohej nëse ishte apo jo personi i duhur për t’u arrestuar nga uniformat blu dje në mesditë. Informacioni për vendndodhjen e Isufajt është marrë në rrugë operative, ndërsa policia e Fierit kishte njoftuar me kohë për largimin e tij nga vendbanimi. Askush deri pak kohë më parë nuk dinte të thoshte diçka rreth strehës së re të Arben Isufajt, derisa skuadra e vëzhgimit kishte rënë në gjurmët e tij.

Operacioni

Pas informimit të saktë uniformat blu të Tiranës kanë organizuar një operacion të shpejtë për kapjen e të shumëkërkuarit. Pas lokalizimit të vendndodhjes së “Ben qimes” është rrethuar zona dhe janë vendosur postblloqe në të gjitha vendkalimet. Në këtë operacion janë angazhuar thuajse të gjithë efektivat policorë të Tiranës, pasi Arben Isufaj konsiderohej më të drejtë person me të shkuar kriminale dhe mjaft të rrezikshëm. “Ben qimja”, i cili duket se e ka ndier rrezikun e një arrestimi të mundshëm, tentoi të largohej me vrap në drejtim të Kopshtit Zoologjik, që ndodhet vetëm disa metra larg Parkut Kombëtar të kryeqytetit. Atje është ndalur nga specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Uniformat blu i bënë thirrje të dorëzohej, pasi për të nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi.

Akuzat

37-vjeçari që banonte në Tiranë i është bindur më në fund policisë, e cila i ka vënë prangat dhe e shoqëruan për në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Për Arben Isufajn Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 13 shkurt 2008, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për konsumim të veprave penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim si dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”. I kërkuari akuzohet për vrasjen e shtetasit Pirro Koçiu, ngjarje kjo e ndodhur më datë 12 gusht të vitit 2002 në rrugën “Him Kolli” në Tiranë. Megjithatë, burime policore thanë për gazetën se i tmerrshmi i Fierit akuzohet edhe për ngjarje të tjera të vjetra, të cilat janë nën hetimin e policisë lokale. Për të ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Tiranës “Ben qimja” u është dorëzuar autoriteteve të Drejtorisë së Burgjeve, që më pas e kanë dërguar në vendin e vuajtjes së dënimit.



“Ben qimja”, njeriu i fuqishëm i Fierit



Me origjinë kosovare, lindur dhe rritur në Fier, Arben Isufaj e ka kaluar fëmijërinë dhe pjesën më taë madhe të jetës së tij në lagjen “Sheq i Madh”, në një bashkësi shtëpish përdhese ku fqinj kishte xhaxhallarët e tij. Nofkën “qimja” e ka marrë që para viteve 90’ si pasojë e flokëve të tij (qimeshëllirë). Asokohe ai ka qenë shpeshherë i skeduar si “huligan” edhe falë shoqërisë së tij me një grup djemsh që u quajtën si “grupi i Selit”. Ky i fundit do të kthehej vite më vonë në një nga kundërshtarët më të egër dhe më të betuar të tij. Në mesin e viteve ‘90 në grupin e Selit do të nisnin dhe mosmarrëveshjet e para, të cilat më shumë se për arsye financiare flitet se u nxitën nga thashethemet që qarkullonin. Nga njëra anë Arben Isufi dhe në anën tjetër tre djem të fisit Koçia. Në këtë kohë Selami Hasani (Seli), i cili kishte një ndikim të fortë në grup, nuk u pozicionua, por në mënyrë të beftë vëllai i tij, Vladimiri, së bashku me disa përfaqësues të fisit Koçia, ekzekutuan në një bilardo fare pranë shtëpisë së Isufit të atin e tij, Enver Isufaj. I ati i Arbenit njihej si më i respektuari dhe më i kujdesshmi ndër vëllezërit e tij dhe shpeshherë kishte qenë vendimtar në mbylljen e ngatërresave të së kaluarës. Megjithatë, natën e vrasjes së Enver Isufajt u ekzekutua dhe shoferi i taksisë që e kishte çuar Vladimir Hasanin në vendin e vrasjes, ndonëse shoferi nuk kishte dijeni se çdo të ndodhte. Vrasja e babait të Afrben Isufajt “shpalli” armiqësinë dhe hasmërinë direkte mes tij dhe fisit të Hasanëve, që deri në vitin 1997 gëzonin reputacionin e të “paprekshmëve”. Nga viti 1994 deri në vitin 1997 Arben Isufaj ka jetuar më shumë në Itali dhe gjetkë, ndërsa viti 1997 do ta gjente në një gjendje të mirë financiare dhe me një grup shokësh shumë të madh dhe të besuar. Në vitin 1998, në qendër të qytetit, ekzekutohet në makinën e tij Vladimir Hasani, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait të vdekur nga leucemia. Në këtë moment u kuptua se heshtja katërvjeçare e fisit të Isufajve nuk do të thoshte aspak se ata kishin harruar. Dy vite më vonë u ekzekutua në Tiranë Pirro Koçiu, i cili konsiderohej dhe si “strumbullari” i konfliktit mes Arben Isufajt dhe fisit të Hasanëve në Fier. Pas Piro Koçiut u ekzekutua në Spanjë dhe kushëriri i tij, Shpëtim Koçiu, pronar i hotel “DEA” në Sarandë, megjithatë edhe sot nuk ka një akuzë për këtë vrasje. Më pas, po në mes të qytetit të Fierit, ekzekutohet Julian Isufaj dhe plagosen dy persona që ishin në një fuoristradë me të. Në këtë aksident gjeti vdekjen edhe një kambist, që ishte fare rastësisht aty. Në fillim autoritetet dyshuan se pas vrasjes fshihej Selami Hasani, por nuk u arrit të provohej ndonjëherë ky pretendim. Julian Isufaj ishte djali i xhaxhait të Arbenit dhe njeriu më i besuar i tij. Ndonëse këto vrasje mendoheshin se nuk ishin krejt pa lidhje, ndaj Isufajt prokuroria arriti të ngrinte akuzën për vrasjen e Pirro Koçisë. Vitet e fundit Arben Isufaj ishte regjistruar si ndërtuesi më i madh në Fier dhe si një nga njerëzit më influentë dhe më të fuqishëm të këtij qyteti. Emri i tij ka dalë publikisht edhe kur u botuan përgjimet e agjentëve italianë ndaj bandës së Aldo Bares, ku mendohej se Arben Isufaj furnizonte njerëzit e Alfred Shkurtit në Itali me kokainë. Agjentët italianë dyshonin se Isufaj kontrollonte një linjë shumë të fuqishme të shpërndarjes së Kokainës në Europë, me bazë Holandën. Rreth një vit e gjysmë më parë policia shkoi në vilën e tij për të arrestuar Ahmet Isufajn, xhaxhain e tij, por të dy u kundërpërgjigjën me zjarr ndaj aksionit të policisë duke shpëtuar. Arrestimi i “Ben qimes” në Tiranë duket se ka kuptim në kushtet kur prej vitesh në Fier qarkullon opinioni se “Qimen s’ka burrë nëne ta arrestojë”.

Habjon Hasani





Arrestimi, në 4 muaj policia dështoi pesë herë



Të paktën pesë aksione të policisë në qytetin e Fierit kanë dështuar në këto katër muajt e fundit. Policia ka pasur gjithnjë informacione se Isufaj nuk ishte larguar nga vendi nisur nga fakti se në Shqipëri ai ndihej më i sigurt dhe se këtu ai kishte më shumë baza qëndrimi gjatë kohës së arratisë. Në katër muajt e fundit qyteti i Fierit ka qenë thuajse në gjendje shtetrrethimi dhe agjentët e terrenit janë angazhuar “me kohë të plotë” për të marrë informata lidhur me vendqëndrimin e të kërkuarit. Katër muaj më parë, kur u hap dosja e “Pirro Koçisë” dhe Isufaj u akuzua nga prokuroria, forcat speciale u nisën për në Fier, por Isufaj ia kishte mbathur rreth 20 minuta para se forcat speciale të mbërrinin. Prokuroria më tej ka nisur një hetim lidhur me informatorët që e ndihmuan Isufajn t’i shpëtonte aksionit, pasi nga interceptimet telefonike u kuptua se personi që e lajmëroi atë (duke e telefonuar nga një numër grek) kishte dijeni të plotë mbi operacionin. Ky operacion u pasua nga të tjera kontrolle në qytetin e Fierit dhe lagjet “Sheq i Mash”, ”Liri”, “Liri Gero” u vunë nën survejimin ditë-natë të policisë.





Isufi në top-listën e të shumëkërkuarve



Shpallja e Arben Isufajt së fundi në listën e më të kërkuarve të Shqipërisë është një histori më vete. Nisur nga fakti se prokuroria i ka hapur dhe i ka pushuar shumë herë çështjet në ngarkim të tij, ka ndodhur që në 10 vitet e fundit Isufi herë të shfaqej e herë të “zhdukej” nga lista e të shumëkërkuarve. Megjithatë, Policia e Shtetit e ka klasifikuar prej vitesh atë si një njeri me precedentë penalë dhe me shumë influencë në qytetin e Fierit. Për këtë arsye Isufaj është mbajtur gjithnjë parasysh si një ndër personazhet më të “rrezikshëm” të vendit. Shpallja e fundit ka qenë pas rihapjes së dosjes së vrasjes së Pirro Koçisë në shkallët e një pallati në Tiranë, ku akuza për “Qimen” konsiston në organizimin e vrasjes. Kjo akuzë është bazuar edhe nga disa dëshmi të mbledhura nga dëshmitarë okularë, por ka pak informacion lidhur me pretendimin e prokurorisë për pjesëmarrjen direkte të Isufit në këtë atentat. Gjithsesi, i sigurt është fakti se prokuroria e konsideron atë si ideatorin dhe urdhëruesin e vrasjes së Pirro Koçisë.





11 Qershor 2008