Nga Genc Juka”


Fundi i muajit mars ishte i mbushur me shumë evenimente historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në lidhje me këto evenimente është folur mjaft, me nota pozitive e optimiste, me skepticizëm apo, edhe në dëshpërim e sipër, me nota negative. Do të shtroja pyetjen, i meritojmë këto evenimente, janë realiste ato, apo ka ndodhur një rastësi, dashamirësi me sens keqardhjeje e komunitetit ndërkombëtar apo konjukture gjeopolitike? Këto pyetje debatohen në këto ditë në rrethe të ndryshme politike, tavolina mediatike apo dhe nga publiku i thjeshtë. Për të qenë realist, në arsyetimin e një kazusi të caktuar është e domosdoshme të përdorësh argumente konkrete për ta pohuar apo mohuar atë. Pyetja e parë që i shkon në mend kujtdo është; i meritonim këto ndodhi të mrekullueshme apo jo dhe kush do të jetë përfituesi i tyre? Mbas ndërrimit të kursit të jetës politike shqiptare, 18 vjet më parë dinim se ku dëshironim të shkonim, por nuk ishim të ndërgjegjshëm për kohën dhe koston që na duhej për të shkuar atje. Liderët evropianë u patën deklaruar politikisht të gjitha vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, përfshi edhe Ballkanin, se u ofrohej perspektiva e hyrjes në familjen e madhe evropiane, pavarësisht nga niveli i zhvillimit aktual. Por ndryshimi dhe diferenca midis tyre ishte se sa kohë do t’i duhej secilit për ta merituar hyrjen në BE. Nëse do ta pyesnim qytetarin e thjeshtë se çfarë do të thotë anëtarësim në BE, mendoj se do ta identifikonin këtë anëtarësim me nivel të konsiderueshëm jetese, funksionim i ligjit në një demokraci të hapur, institucione publike të besueshme në shërbim të qytetarëve të dominuara nga transparenca dhe jo nga korrupsioni, të drejta të individit të garantuara nga ligji dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ishte hapi i parë në rrugën që Shqipëria të bëhet anëtare me drejta të plota e Bashkimit Evropian. Sipas marrëveshjes, palët morën përsipër të zbatojnë në praktikë një sërë parimesh. Ato variojnë që nga respekti për të drejtat e njeriut deri tek vendosja e një sistemi demokratik që bazohet në zbatimin dhe respektimin e ligjit, që nga vendosja e plotë e ekonomisë së tregut deri tek lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm. Ndaj kjo marrëveshje shënoi një angazhim aktiv të të gjithë shoqërisë, në radhë të parë qeverisë shqiptare, Parlamentit, qeverisjes vendore, institucioneve, medias, si dhe popullit shqiptar. Procesi i Stabilizim-Asociimit do të thotë vendosje dhe zbatim i standardeve ekonomike dhe politike evropiane. Këto standarde janë uniforme për të gjitha vendet, sepse esenca e BE-së është një grup i njëjtë standardesh i detyrueshëm për të gjitha shtetet anëtare. Kjo do të thotë që çdo vend duhet t’i arrijë ato standarde dhe mund të thotë që e zbatoi marrëveshjen vetëm kur standardet të jenë vendosur. Përfundimi i procesit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian është një hap historik dhe një dëshmi e suksesit të reformave të qeverisë “Berisha” për arritjen e këtyre standardeve. Në rast se procesi i parahapjes së negociatave dhe ai i negociatave për firmosjen e MSA-së zgjati nga viti 1999 deri në vitin 2006, duke u shndërruar në procesin më të gjatë në historinë e Bashkimit Evropian, procesi i firmosjes dhe ratifikimit nga 27 vende anëtare të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian u realizua në një kohe tri herë më të shkurtër. Ratifikimi i MSA-së si dhe notat mjaft pozitive dhe inkurajuese të progres raporteve te Komisionit Evropian përbëjnë bazën ligjore, morale dhe të gjithanshme për Shqipërinë, për të merituar statusin e kandidatit. Të nderuar deputetë, Evropa është gjithnjë e më shumë një bashkim politik. Vendet që dëshirojnë të bashkohen me të duhet të tregojnë vullnet dhe aftësi për të hyrë në dialog serioz politik jo vetëm me vende të BE-së po edhe me fqinjët, sepse objektivi teorik dhe praktik i strategjisë evropiane është integrimi gradual i vendeve të Ballkanit në zonën evropiane dhe atë euroatlantike. Ky objektiv synon të inkurajojë institucionet dhe politikat e shteteve pjesëmarrëse për të përqafuar vlera të përbashkëta të lirisë, sigurisë, drejtësisë dhe demokracisë. Më në fund, pas pothuaj një shekulli luhatjesh gjeopolitike si shtet i pavarur, Shqipëria bëhet pjesë e bashkësisë së shteteve demokratike të hapësirës gjeopolitike euro-atlantike. Anëtarësimi i Shqipërisë ne NATO krijon një mjedis më të sigurt për zhvillimin ekonomik, krijon mundësi të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe përshpejton përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo forcë qeverisëse ka meritën e padiskutueshme që përsëriti një pranverë të madhe ndryshimesh në jetën e çdo qytetari shqiptar, dhe çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, pavarësisht se ku ndodhet, sot ka të drejtën të mbajë kokën lartë për vendin dhe shtetin e tij.


*Deputet, zv.kryetar i Komisionit të Integrimit