Jonida Tashi

Shkollat 9-vjeçare të vendit, qofshin ato publike ose private do të kalojnë në “sitën” e Ministrisë së Arsimit, për cilësinë e tyre të mësimdhënies. Ministria e Arsimit ka vendosur që duke filluar që nga ky vit, të masë cilësinë e shkollave 9-vjeçare, për të bërë më pas edhe një renditje të tyre në shkallë kombëtare. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se shkak për marrjen e një vendimi të tillë janë bërë ankesat e vazhdueshme të prindërve, për cilësinë e mësimdhënies në shkollat e arsimit të detyruar. Për rrjedhojë, ky dikaster ka vendosur që t’u japë një përgjigje të saktë prindërve, si dhe t’i orientojë ata në përzgjedhjen e shkollës se ku dëshirojnë të mësojë fëmija i tyre.
Vendimi
Vendimi për vlerësimin e shkollave 9-vjeçare të vendit është marrë së fundi nga Ministria e Arsimit. Burime nga Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në këtë Ministri sqarojnë se pas përfundimit të procesit të vlerësimit do të bëhet edhe një renditje e këtyre institucioneve të arsimit të detyruar. Kështu, në krye të listës do të qëndrojnë emrat e shkollave më të mira të vendit për nga cilësia e mësimdhënies, ndërsa në fund do të jenë ato që do të rezultojnë pa cilësi. Për rrjedhojë, këto të fundit, do të jenë edhe shkollat që nuk do të kërkohen më nga prindërit për arsimin e fëmijëve të tyre, të cilët, pas njohjes së rezultateve të vlerësimit të shkollave, do të bëjnë të pamundurën që fëmija të mos mësojë në institucione pa cilësi. Për t’i hapur rrugë zbatimit në praktikë të vendimit për vlerësimin e shkollave 9-vjeçare, tashmë në Ministrinë e Arsimit është ngritur grupi i posaçëm i punës, që po punon për procedurat e aplikimit të tij në çdo shkollë. Sipas specialistëve të arsimit parauniversitar në MASH, vlerësimi i shkollave 9-vjeçare, ka ardhur si një nevojë e domosdoshme pas ndryshimit të strukturës dhe programeve të tyre mësimore.
Kriteret
Tashmë janë përcaktuar edhe kriteret, që duhet të plotësojnë shkollat për t’u renditur në krye të listës së klasifikimit sipas cilësisë. Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, me procedurat e vlerësimit të shkollave do të merren drejtoritë arsimore rajonale të vendit, të cilat do të ngarkojnë inspektorë të posaçëm për këtë çështje. Sakaq, është përcaktuar se për të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit publike dhe private do të ketë fillimisht një vlerësim të brendshëm, pastaj edhe një të jashtëm. Rezultatet e përgjithshme të nxënësve do të jenë një ndër kriteret më të rëndësishëm që do të merret në konsideratë në procesin e vlerësimit. Po kështu, edhe mesatarja e notave të nxënësve në Provimet e Lirimit do të jetë një kriter tjetër i rëndësishëm. Por, përveç këtyre kritereve, në vlerësimin e cilësisë së shkollave do të merren parasysh edhe kushtet që ofrojnë këto institucione, përsa i përket infrastrukturës, ambienteve, laboratorëve dhe pajisjes së tyre. Më tej, një kriter tjetër që do të vëzhgohet nga specialistët vlerësues të cilësisë do të jetë edhe mbajtja e uniformave nga nxënësit, si dhe numri i largimeve nga orët e mësimit. Por nuk do të harrohen edhe elemente të tjerë të rëndësishme të mësimdhënies, ku kualifikimi i mësuesve do të zërë një pjesë të konsiderueshme në vlerësimin e përgjithshëm të shkollave 9-vjeçare.


Klasifikimi i shkollave, nxitës për arritjen e rezultateve më të larta midis tyre

Procesi i vlerësimit të shkollave 9-vjeçare, përveçse do jetë i dobishëm për qindra familje shqiptare, do të ketë një efekt pozitiv edhe në cilësinë e mësimdhënies midis tyre. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, ky proces do të jetë mjaft i vlefshëm për çdo familje, pasi çdo prind do të ketë mundësi që të plotësojë pretendimet për fëmijën e tij. Nga ana tjetër, renditja e shkollave sipas cilësisë, parashikohet të rrisë edhe konkurrencën midis tyre, për të arritur rezultate sa më të mira në mësimdhënie. Pas vlerësimit të shkollave 9-vjeçare, ky proces mendohet të shtrihet më pas edhe në shkollat e arsimit të mesëm. Pra, në këtë mënyrë, për herë të parë në vendin tonë do të ketë një listim të institucioneve arsimore parauniversitare sipas cilësisë, njëlloj sikurse pritet të ndodh edhe me universitetet.



Gjimnazet, ndryshon skema e vlerësimit të njohurive të nxënësve


Rikthehen në regjistrat e gjimnazeve notat nga 0 deri në 4. Këtë vit, skema e vlerësimit të njohurive të nxënësve të viteve të para në gjimnaz do të jetë ndryshe nga ajo e përdorur më parë. Sipas rregullave të reja, në skemën e re të korrigjimit të njohurive të nxënësve, vlerësimi minimal nuk do të nisë më nga nota katër, por do të zbresë deri në notën zero. Aktualisht në të gjitha gjimnazet e vendit janë shpërndarë udhëzuesit që mësuesit do të duhet të përdorin në mbyllje të semestrit për nxjerrjen e notave përfundimtare të secilës lëndë. Konkretisht, përdorimi i kushteve të reja të vlerësimit do të zbatohet duke filluar nga ky vit te nxënësit e viteve të para. Sipas rregullave të reja, mësuesi do të vlerësojë nxënësin për katër tregues, ku do të përfshihen: vlerësimi ditor, provimet me shkrim, vlerësimi i punimeve dhe detyrave në grupe si dhe provimi përfundimtar. Që një nxënës të marrë notën maksimale, duhet të arrijë të plotësojë këto kushte: të përmbushë vlerësimin ditor, që përcakton 10 për qind të notës semestrale të lëndës. Ky tregues plotësohet me notat e marra nga nxënësi sa herë që është ngritur në mësim. Rreth 50 për qind e notës do të përcaktohet nga provimet me shkrim të cilave u është nënshtruar nxënësi në mënyrë periodike. Ndërsa provimi përfundimtar, që zhvillohet në mbyllje të secilit semestër, do të ketë 25 për qind të peshës në përcaktimin e notës semestrale. Treguesi i fundit, vlerësimi i punimeve dhe projekteve, do të mbështet në punën në grup apo individuale që nxënësit kanë zhvilluar për tema të veçanta mësimore të përcaktuara nga mësuesi i lëndës. Po ashtu, ky tregues do të ketë rol të rëndësishëm në përcaktimin e notës përfundimtare (në masën 15 për qind). Brenda këtyre ditëve të mbetura nga muaji janar mësuesit e lëndëve përkatëse duhet të zhvillojnë edhe provimin përfundimtar të testimit të njohurive të nxënësit. Këto rezultate do të përdoren më pas në nxjerrjen e notës përfundimtare. Duke qenë se zbatimi i skemës së re të vlerësimit të nxënësve kërkon kohë, është propozuar që në mbyllje të semestrit, mësuesve t’u jepen tri ditë pushim, në mënyrë që të kenë kohën e mjaftueshme për llogaritjen e këtyre treguesve për secilin nxënës. Nota mesatare do të llogaritet me dy shifra pas presjes dhjetore. Pas përcaktimit të notës mesatare për secilin tregues, mbledhja e rezultateve do të nxjerrë dhe notën përfundimtare, me të cilën do të vlerësohet nxënësi për këtë semestër. Ndërkohë që rezultatet e nxjerra nga mësuesit do të kontrollohen edhe nga ekspertët e drejtorive arsimore.

Skema e vlerësimit të nxënësve në shifra
0 (zero) do të jetë nota prej ku do të fillojë vlerësimi i nxënësve
15 për qind të notës do të ketë përvetësimi ditor i njohurive
50 për qind të notës do të kenë provimet me shkrim për lëndët përkatëse
15 për qind të notës do të ketë vlerësimi i punimeve dhe projekteve
25 për qind të notës do të ketë provimi përfundimtar pr çdo lëndë






22 Janar 2010