Teatri “Andon Zako Çajupi”  i qytetit të Korçës do të çelë sezonin e ri artistik në 30 gusht me një variete me humor dhe këngë, protagonistë të së cilës do të jenë artistët Arben Dervishi dhe Ermira Babaliu, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në SHBA. Aktivitetet e këtij institucioni artistik, edhe këtë sezon mbështeten tek forcat më të mira krijuese për të dhuruar sa më shumë spektakël e cilësi për artëdashësit.  “Varieteja me humor dhe këngë që do të çelë sezonin e aktiviteteve kulturore të teatrit risjell në skenë artistë të njohur korçarë si humoristin Arben Dervishi, këngëtaren Ermira Babaliu apo libretistin  Maksi Stiko”, tha drejtoresha e këtij teatri, aktorja Zamira Kita. Nostalgjia e artëdashësve korçarë për artistët e larguar, por edhe e vetë këtyre artistëve që i rikthehen skenës së qytetit të tyre, garanton një  sukses të premierës së komedisë që do të shfaqet në teatrin e Korçës nga fundi i muajit gusht. “Vetë artistët kanë dëshirë të rikthehen  në qytetin ku janë formuar si të  tillë, për të shpalosur një krijimtari më cilësore që pa dyshim do të mirëpritet nga artëdashësit korçarë”, cilësoi znj.Kita, e cila është dhe një nga artistet që do të interpretojë në varietenë premierë të teatrit të Korçës. Tre nga artistët kryesorë të premierës, aktori Arben Dervishi, këngëtarja Ermira Babaliu dhe libretisti Maksi Stiko, kanë emigruar në SHBA dhe tashmë rikthehen së bashku në Korçë me një projekt të përbashkët kulturor në bashkëpunim me teatrin e këtij qyteti.Varieteja me humor që do të çelë sezonin artistik të vjeshtës, me libret të Maksi Stiko, trajton tema të korrupsionit dhe aspekteve sociale të jetës shqiptare, duke i përcjellë ato me humor. Kjo premierë do të sjellë në skenë, veç këngëtares së njohur Ermira Babaliu, edhe Lazarela Detin e të tjerë interpretues të këngëve qytetare dhe serenatave korçare. 


 


...