Autizmi një sëmundje e identifikuar në vitin 1943, shenjat e së cilës shfaqen tek fëmijët pas moshës 1-2 vjeç, është ende një çrregullim jo shumë i njohur nga specialistët, ndaj ata ngrenë zërin që trajtimi i tij të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale. Në 2 Prill, Ditën Botërore për Ndërgjegjësimin për Autizimin, apelohet për sensibilizim të opinionit publik për më tepër përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri. Në Shqipëri është folur pak për autizmin, ndërsa rastet e familjeve të ndjekura në mënyrë sporadike tregojnë për mungesë të informacionit në popullatë për këtë sëmundje, mosdiagnostikim të saktë, etj.  Autizmi (greq. αυτός, avtos - vetë) ka një prevalencë më të madhe se 0.1%.  Njerëzit me autizëm nuk kanë aftësi të kufizuara fizike, ndaj dhe është vështirë të krijohet më shumë dijeni për këtë gjendje, pohojnë specialistët. Njerëzit që vuajnë nga ky çrregullim i rëndë i funksioneve trunore (për rrjedhojë sjelljes njerëzore), shpesh kanë një rreze të kufizuar interesash dhe shfaqin sjellje dhe mënyra përsëritëse të tyre, si dhe kundërveprime të ndryshme në mjedisin dhe rrethanat e përditshme. Sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “autizmi shfaqet tek fëmijët para moshës tre vjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja, apo lojëra përfytyruese”. Mjekët pohojnë se autizmi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës. Shenjat e hershme të sindromës së autizmit mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh. Karakteristike e kësaj sindrome është se fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij. Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, në shumicën e rasteve janë hiperaktivë, por nuk përjashtohen rastet hipoaktivë. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit, simptomat më karakteristike të fëmijët autikë, evidentohen kur fëmija nis të flasë, prandaj dhe prania e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar, ose dhe atipike. Shenjat e hershme të autizmit lidhen edhe me çrregullimet e zhvillimit, që së bashku me ato gjuhësore, sipas mjekëve, janë shpesh motivi i parë i konsultimit, para çrregullimeve të sjelljes (mbyllja në vetvete, etj). Por, ka edhe simptoma të veçanta si vetëdëmtimi, që vëzhgohet ndonjëherë herët. “Sa më shpejt të identifikohet dhe sa më e lehtë të jetë si formë, aq më e mirë është ecuria e fëmijës”, thonë mjekët, sipas të cilëve, në ndryshim nga e kaluara, fëmijët autikë sot kanë të ardhme. Fëmija duhet të mbështetet dhe të trajtohet nga një ekip multidisiplinar, përfshirë dhe prindin, për të patur një ecuri zhvillimi të dukshme. Specialistët pohojnë se në kopshte dhe shkolla duhet të ketë edukatorë të kualifikuar për fëmijë me nevoja speciale dhe më tepër mbështetje nga institucionet shtetërore për kompletimin e strukturave në ndihme të këtyre fëmijëve. Autizmi shfaqet në dy forma; sindromi i Apsbergut, formë më e lehtë e simptomave, dhe sindromi i Kanerit, (1943), me simptoma të rënda dhe ku mundësia e shërimit është minimale. Lidhur me përhapjen e këtyre çrregullimeve, raportimet vlerësojnë se në botë 3,4 fëmijë në 1000 vuajnë nga autizmi infantil. Autizimi prek më tepër meshkujt, sesa femrat e vlerësuar në raportin 4:1. Edhe pse për të kuruar simptoma specifike të autizimit ka barna, gjithnjë e më tepër specialistët flasin për teknikat arsimore dhe integruese në shoqëri.


Shkaqet


Mjekësia ende nuk ka mundur të qartësojë shkaqet e autizmit, ndërsa përpjekjet e shkencëtarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Edhe pse rrallë observohet më shumë se një rast autizmi në familje, observimi i një përqindjeje të konkordancës së rritur te binjakët monozigotë ka treguar rëndësinë e faktorit gjenetik tek autizmi. Incidencat shumë të ndryshme gjatë shtatzanisë dhe lindjes, po ashtu komplikacionet neonatale mund të jenë shkaktarë të shfaqjes, argumentojnë mjekët. Sipas tyre, edhe afeksione të shumta (metabolike, infeksioze, gjenetike, keqformim) raportohen si të shoqëruara nga çrregullimi autik si Sindroma X, Sindroma Doën, Skleroza tuberoze e Bourneville, etj. Sipas një studimi të fundit, “fëmijët e lindur para kohe janë dy deri tre herë më shumë të rrezikuar të shfaqin simptoma të autizmit, para moshës dyvjeçare, ndërsa shkaktarët e çrregullimeve, që vështirësojnë komunikimin dhe ndërveprimin e fëmijëve me rrethin, mbeten të panjohura”. Studimi hedh hipotezën se lindja para kohe nuk është e lidhur në mënyrë direkte me shfaqjen e autizmit, por shkaktari që nxit autizmin është njëkohësisht shkaktar i lindjes para kohe. 


Një qendër kombëtare e zhvillimit për fëmijët me aftësi të kufizuara


Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione” (FFSH) po punon në drejtim të njohjes së autizimit, duke u përqëndruar tek prindërit dhe opinioni publik për ta pranuar këtë çrregullim. Nëse prindi nuk e njeh dhe nuk e pranon situatën siç është, atëherë asnjë terapi nuk mund të funksionojë në përmirësimin e gjendjes. Për këtë arsye, FFSH, drejtuar nga Presidente dr. Liri Berisha, bashkëshortja e Kryeministrit Sali Berisha, ka ndërmarrë një hap për ngritjen e një qendre multidisiplinore mjekësore zhvillimi, në ndihmë të fëmijëve me paaftësi dhe prindërve të tyre. 


Bazuar në të dhënat, nga 75 mijë të sëmurë me paaftësi, 10 për qind e tyre janë fëmijë, paaftësia e të cilëve mund të jetë fizike, sensore, neurologjike, psikiatrike, intelektuale ose e natyre tjetër. Ndërkohë, 14-20% e fëmijëve paraqesin në stade të ndryshme të jetës së tyre një çrregullim të shëndetit mendor. 


Kjo qendër e re, mjaft e nevojshme, do të ofrojë praktikat më të mira të trajtimit shëndetësor dhe psikosocial për fëmijët me probleme të ndryshme të zhvillimit dhe psikosocial.  “Ne si fondacion po përpiqemi ta vendosim Shqipërinë në hartën e vendeve që kujdesen dhe e trajtojnë autizmin, duke bashkëpunuar për sensibilizimin e gjithë popullatës në të gjitha sferat, private, shtetërore dhe publike”, tha znj. Berisha, në prezantimin e kësaj nisme muaj më parë. 


Sipas saj, “përballja me këtë sëmundje është përballja me një mur të madh, që krijohet nga mungesa e informacionit, të diagnostikimit të vonuar, prindër që e gjejnë veten në udhëkryq pa shpresë, pa dije dhe mbështetje me ndjenjën e madhe të dhimbjes dhe ndrojtjes, që i çon në izolimin e mëtejshëm, përtej atij  që krijon vetë autizmi”. Ndërkohë, eksperiencat kanë treguar se bashkëpunimi në grup, shkëmbimi i eksperiencave është mundësi  dhe ndihmë e madhe për të menaxhuar këto situata.


...