Prej gati një jave, Shoqata Kombëtare për Autoshkollat dhe zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPTRR), pranë Ministrisë së Transporteve, kanë nisur negociata për ndryshimin e disa kritereve për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit. Konkretisht, përfaqësues nga autoshkollat, kërkojnë rritjen e pragut të numrit të gabimeve në testin e teorisë, nga 7 pikë që është tani në 12 pikë, sikurse është vepruar më parë. Po ashtu, ata kërkojnë publikimin e një libri, i cili përmban ushtrime teorike të drejtimit të automjetit, në bazë të të cilit hartohet teza. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës, Sokol Gogu, u shpreh për gazetën "Shqip" se, situata është rënduar së tepërmi në rezultatet e kursantëve në procesin e provimit teorik. "Për një periudhë njëvjeçare, vazhdon të mos zbatohet urdhri i ministrit, sipas të cilit, brenda vitit 2006 të botohej pyetësori për të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit së bashku me përgjigjet respektive. Sikur të mos mjaftonte kjo, gjendja rëndohet edhe më shumë kur ende pa u zbatuar ky udhëzim, hyn në fuqi një tjetër i lëshuar më 5 prill 2007, sipas të cilit, shpallet fitues kandidati që bën jo më shumë se 7 gabime në testimin teorik prej 40 pyetjesh. Pra, të ulet ndjeshëm numri i gabimeve të lejuara nga 12 në 7", thotë Gogu. Tjetër shqetësim për drejtuesit e autoshkollave është fakti, se nuk ka ndryshuar koncepti i hartimit të testit nga ana e DPTRR-së me përmbajtje të vështirë, me qëllim ngeljen e kursantit dhe jo për të mësuar. "Kjo sjell vështirësi për ne, pasi mbart kosto, por mbi të gjitha zhvillon korrupsionin, pasi një test i vështirë, thjesht do të çorientojë kandidatin ose në të kundërt do ta detyrojë të japë para shtesë për ta fituar. Dhe rezultati: më pak drejtues automjetesh të kualifikuar", shprehet përfaqësuesi i shoqatës. Nisur nga këto shqetësime, shoqata bashkë me drejtues të DPTRR kanë mbyllur dje një pjesë të negociatave, ku u ra dakord që brenda 15-ditëshit të parë të botohet pyetësori me testet, si dhe brenda muajit të ndryshojnë aktet nënligjore. Drejtori i sapozgjedhur i DPTRR, Kreshnik Bozho, u tregua optimist për zgjidhje të situatës dhe kërkoi nga autoshkollat rifillimin e punës.