Lista zyrtare që përcakton kandidatët që vazhdojnë garën për një vend pune. Kriteret për t’u bërë jurist i Avokaturës së Shtetit në zyrat vendore


Laureta Rryçi



Tiranë - Avokati i Shtetit bën publike emrat e 30 kandidatëve që do t’i nënshtrohen fazës së dytë të konkursit për të fituar një vend pune në këtë institucion. Gazeta “Albania” ka siguruar listën zyrtare me emrat e 30 kandidatëve. Vetëm pak ditë më parë, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit zhvilloi takim me të gjithë trupën avokatore në Shqipëri. Në këtë takim, Avokati i Përgjithshëm prezantoi avokatët e rinj, të cilët dolën fitues në fazën e parë të konkursit të zhvilluar në janar të vitit 2009. Para trupës së Avokatëve u prezantuan dhe stafi i zyrës së Përfaqësuesit Ligjor në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Drejtuesja e kësaj zyre, Avokatja e Shtetit, Enkeledi Hajro, është emëruar nga ministri i Drejtësisë me propozim të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit ndërsa stafi ndihmës u emërua nga Avokati i Përgjithshëm. Në këtë takim u diskutua në tërësi kuadri i ri ligjor dhe problemet e implementimit të tij. Pasi u analizuan disa raste të punës së avokatëve dhe largimit të disa prej tyre, u ritheksua edhe një herë ulja e nivelit të përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit.

Konkursi

Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe në kuadrin e projektit “Mbështetje për forcimin dhe konsolidimin e Avokaturës Shqiptare të Shtetit”, financuar nga AECID dhe Ambasada e Spanjës në Tiranë, ndërmori nismën për reformimin e zyrave vendore. Kandidatët konkurruan për 15 pozicione në zyrën vendore Tiranë dhe pranë ministrive. Regjistrimet patën nisur nga data 16 dhjetor 2008 deri më 13 janar 2009, pranë Zyrës së Protokollit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Programi i konkursit përmbante lëndët: E Drejta Civile, E Drejta Procedurale Civile, E Drejta Kushtetuese dhe E Drejta Administrative. Tërheqja e programit do të bëhet pranë Zyrës së Protokollit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.

Pikët

Në bazë të Nenit 20 të Ligjit Nr. 10018, datë 13.11.2008, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2009, kushtet për t’u emëruar Avokat i Shtetit kanë ndryshuar. Avokat i Shtetit mund të emërohet çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme: të ketë përfunduar studimet e larta për Drejtësi; të ketë një përvojë pune në praktikën gjyqësore ose administrative prej të paktën 5 vitesh; të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose të mos jetë larguar nga shërbimi civil apo çdo funksion tjetër publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave; të mos jetë në kushtet e konfliktit të interesit, sipas dispozitave të këtij ligji; të kalojë me sukses procesin përzgjedhës përkatës për pozicionin e Avokatit të Shtetit. Ky konkurs do të ketë edhe dy faza të tjera që të marrë formën përfundimtare. Pas testimit, kandidatët do t’i nënshtrohen fazës së formimit për një periudhë 2-3 muaj dhe provimi përfundimtar do të zhvillohet brenda 3 muajve nga zhvillimi i provimit hyrës. Në procesin hyrës do të pranohen 30 kandidatë, të cilët do të vazhdojnë procesin formues dhe vetëm 15 prej tyre do të jenë me kohë të plotë dhe pagesë të plotë, ndërsa të tjerët do t’i nënshtrohen procesit formues pa pagesë.







Lista e avokatëve që do të hyjnë në fazën e dytë të konkursit për procesin formues

1. Abaz Deda

2. Kadri Skera

3. Ariana Alibeaj

4. Enkeledi Hajro

5. Ledina Mandia

6. Oltion Toro

7. Ivi Kaso

8. Edlira Vasha

9. Juliana Memaj

10. Behar Çela

11. Xhelal Kasaj

12. Lorana Himçi

13. Saimir Hoxha

14. Alma Jorgji

15. Lorval Petani

16. Esmeralda Hasho

17. Pirro Kotonika

18. Pirro Samara

19. Gentian Hajdini

20. Tomorr Hoxha

21. Irida Selhanaj

22. Robert Haxhi

23. Viola Ahmeti

24. Marie Cara

25. Artur Hysenaj

26. Endri Kotherja

27. Afërdita Lohja

28. Florian Boriçi

29. Almira Fshati

30. Enkeleda Pulaj







4 Mars 2009