Ditën e hënë, datë 10.11.2008 Kuvendi i Shqipërisë votoi në parim projekt-ligjin “Për avokaturën e shtetit”, paraqitur nga Këshilli i Ministrave. Duke qenë dakord me këtë projektligj, punën e kujdesshme të bërë edhe në paraqitjen e risive të tij në materialin shoqërues, si dhe me plotësimet pozitive të Komisionit të Ligjeve, do të doja t’u sugjeroja, në këtë shkrim të shkurtër, drejtuesve të institucionit të Avokaturës së Shtetit të përqendronin veprimtarinë e tyre edhe në disa drejtime që nuk janë prekur deri më sot ose janë cekur dobët. Këto sugjerime mendoj se plotësojnë më mirë misionin e Avokaturës së Shtetit, i cili edhe zyrtarisht përkufizohet se “Është ndihma juridike, në funksionin e saj të dyfishtë, këshillimor e gjyqësor, në mbrojtje të interesave të shtetit shqiptar, institucioneve të tij qendrore si dhe entet e organizmat publike të lidhur me të”.
Së pari - Vite më parë, bazuar në ligjin e shndërrimit të ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, në vendin tonë u krijuan mjaft ndërmarrje të përbashkëta me partnerë të huaj, duke u dhënë të huajve shumicën e kuotave në këto shoqëri, bazuar edhe në faktin se ata merrnin përsipër të investonin për t’i vënë në punë këto ndërmarrje si dhe për të krijuar vende të reja pune. Me përjashtime të rralla, këto ndërmarje pushuan së ekzistuari dhe ata që i blenë i rrënuan më tej, duke i shndërruar në troje ndërtimi. Po kështu, shumë privatizime të bëra nga socialistët me 200 apo 300 mijë lekë, rezultojnë se asnjëherë nuk janë vënë në punë, por presin të privatizojnë edhe aksionet e mbetura e t’i kthejnë edhe këto ndërmarrje në troje për ndërtime pallatesh. Është detyrë e Avokatit të Shtetit, si mbrojtës i interesave ekonomike e financiare të shtetit, që të bashkëpunojë me Ministrinë e Financave dhe atë të Ekonomisë, për të evidentuar gjendjen e ndërmarrjeve të privatizuara dhe, atje ku nuk janë respektuar detyrimet kontraktuale, t’i drejtohen gjykatës për t’i kthyer në gjendjet e mëparshme ose për t’i përdorur p.sh, si fond për kompesimin e ish-pronarëve apo ish-të përndjekurve politikë.
Së dyti - Gjatë viteve, shtetit i janë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme nga administrata shtetrore, të provuar kjo edhe me vendime civile të gjykatave. Ka me dhjetëra a qindra vendime gjykatash që detyrojnë shtetin të dëmshpërblejë persona fizikë e juridikë, ku një pjesë janë ekzekutuar e të tjera presin të ekzekutohen. Mendoj se është detyrë e Avokatit të Shtetit që të koordinojë punën me drejtuesit e institucioneve shtetërore për të evidentuar rastet kur këto dëme janë rezultat i papërgjegjshmërisë së dukshme të zyrtarve të shtetit dhe t’i detyrojnë ata të dëmshpërblejnë financiarisht. Vetëm duke u prekur xhepin, ne mund t’i bëjmë më të përgjegjshëm zyrtarët në ushtrimin e përgjegjësive të tyre. Nëse do të vazhdojë kjo gjendje, kur si rezultat i hedhjes së firmave në mënyrë të papërgjegjshme nga disa zyrtar, shtetit i shkaktohen miliona lekë dëme dhe shteti nuk do të reagojë ndaj tyre, ne nuk do të bëjme gjë tjetër veçse do të stimulojmë papërgjegjshmërinë e zyrtarëve të caktuar. Natyrisht nuk e kam fjalën për çdo rast, se ndryshe do të sillnim bllokim të funksionimit të administratës nga frika e hedhjes së firmave, por e kam fjalën kur rastet e papërgjegjshmërisë apo të korrupsionit janë qartësisht të dukshme. Së treti - Ne kemi me dhjetëra a qindra zyrtarë të dënuar penalisht në vite për abuzim me detyrën, duke i shkaktuar dëme financiare shtetit. Në këto vendime, megjithëse ka patur vend për ngritjen e padisë civile nga institucionet e dëmtuara, ato në shumë pak raste janë ngritur. Nuk ka asnjë pengesë që Avokati i Shtetit, të koordinojë punën me institucionet e dëmtuara për evidentimin e këtyre rasteve meqëllim që të ngrihen padi civile pranë gjykatës për të kërkuar zhdëmtimin e dëmeve të pësuara nga kryerja e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Së fundmi - dëshiroj të tërheq vëmendjen për një pakujdesi, që besoj është bërë në drejtim të transparencës, duke krahasuar projektligjin e ri me ligjin aktual dhe konkretisht me ndryshimet e bëra me ligjin 9673, datë 29.12. 2006 në ligjin Nr 8551, datë 18.11.1999 “Për Avokaturën e Shtetit”, që është ende në fuqi. Konkretisht: Në nenin 16 të ligjit në fjalë “Pajtimi i avokatëve në profesion të lirë”, në vitin 2006 u shtua dhe një pikë që konfirmon se, “Avokatura e shtetit përgatit buketine të rregullta periodike cdo gjashtë muaj, për listën e avokatëve të pajtuar, cështjet në ndjekje, shpërblimet përkatëse, të cilat i bënë publike për të tretë në faqen e saj të internetit”. Në projektligjin e ri kjo pikë, e theksoj, e shtuar në vitin 2006 nuk gjendet e shkruar më në nenin 18 “Kontraktimi i shërbimeve të përfaqësimit dhe të konsulencës” apo në ndonjë nen tjetër. Besoj që në diskutimin nen për nen kjo do të plotësohet.
Në funksion të sa më sipër, përfitoj nga rasti t’u kujtoj drejtuesve të institucionit të Avokaturës së Shtetit, të plotësojnë me informacionet e duhura në bazë të detyrimeve ligjore, përfshi dhe një vendim të veçantë të qeverisë Berisha, faqen zyrtare të internetit të institucionit, pasi shumica e rubrikave që tregojnë dhe dokumentojnë transparencën dhe veprimatinë konkrete juridike, pra dhe rezultatet financiare (jo thjeshtë takimet apo aktivitetet) për një kohë të gjatë, gjenden nën shenjën “under construction”. Qëllimin e idesë së mësipërme, më saktë e ilustron thënia e Profesorit të Ekonomisë Politike Ndërkombëtare, Francis Fukuyama, në veprën “Ndërtimi i Shtetit” se: “Një institucion i mirë shtetëror është ai që i shërben me transparencë dhe efikasitet nevojave të klientëve të tij - qytetarëve të shtetit”. E pra, transparencë institucioni të padokumentuar në web-in zyrtar të tij apo buletine periodike (gjyqe, të humbura apo të fituara, si dhe vlerat financiare që derivojnë nga këto gjyqe) nuk ka dhe nuk është tregues i mirë për cilindo institucion e më tepër atë të Avokaturës së Shtetit që duhet të jetë në mbrojtje të interesave të shtetit, në mbrojtje të interesave publikë. Nëpërmjet funksionimit të dyfishtë këshillimor dhe gjyqësor.
Shënim: Ky shkrim është pjesë e një materiali-diskutim që kisha menduar ta mbaja në Kuvend ditën e hënë, datë 10.11. 2008, gjatë diskutimit në parim të projektligjit “Për Avokaturën e Shtetit”, shoqëruar edhe me pjesë të tjera teknike në lidhje me projektligjin në fjalë. Situata e krijuar në Kuvend dhe etika e deputetit, sjellja reciproke me kolegët e tjerë të parlamentit, pavarësisht ngjyresave politike, e respekti për ta, më detyroi që të mos e mbaja atë. Gjithsesi përsëris pohimin se projektligji i paraqitur dhe i votuar në Kuvend nga deputetët e mazhorancës është i arrirë e me vlera.
...