Azem Hajdari, misticizmi i heroit nderohet sot nga Presidenti me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Tri ditë veprimtari në Tiranë, ekspozitë historike dhe një film dokumentar kushtuar veprimtarisë politike. Retrospektiva historike e 17 viteve demokraci, si udhëhoqi lëvizjen studentore të ‘90-ës. Kurajoja, energjia e lëvizjes, besimi në Kuran dhe në Bibël, Azem Hajdari u nda nga jeta dhjetë vjet më parë, duke u vrarë në mënyrë misterioze përpara selisë së PD-së.








Azem Hajdari, sot me emrin e Heroit











I cilësuar si pishtari i demokracisë, që theu legjendën e shqiptarëve të frustruar për 50 vjet nga diktatura, Azem Hajdari duket se ka përmbushur misticizmin e heroit duke iu dhënë sot urdhri «Gjergj Kastriot Skënderbeu». Politika shqiptare do t’i kushtojë tri ditë vëmendje, jo vetëm për faktin se Azem Hajdari u nderua edhe zyrtarisht si pinjoll i heroit kombëtar, por se kujtohet 10-vjetori i ndarjes nga jeta.


Në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, do t’u dorëzojë të afërmeve të Azem Hajdarit nderimin e madh kombëtar. Ndërsa axhenda e veprimtarive do të ndiqet nga memoria dokumentare. Në kinema “Imperial”, Sheraton, do të projektohet premiera e filmit dokumentar për Azem Hadjarin “Azem, ti je gjallë”, i përgatitur nga regjisori i njohur Samir Kumbaro, prodhim i këtij viti.


Ndërsa Qyteti Studenti do të jetë arena më e gjallë për ta kthyer homazhin në një kujtesë unike për të gjithë shqiptarët, e sidomos për ata që mbajnë mbi kurriz moshën e lëvizjes studentore, atë të dhjetoristëve.


Ndoshta kjo memorie do ta sjellë gjithnjë në koshiencën e shqiptarëve portretin e Azem Hajdarit për të rrëfyer më shumë guximin dhe kurajon jo të zakontë të asaj kohe, për realizuar një ëndërr të pabesueshme – përmbysjen mbas 50 viteve të diktaturës. Për ta dëshmuar këtë histori, nesër në mbrëmje, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të hapet ekspozita fotografike për Azem Hajdarin, një bashkëpunim edhe me Agjencinë Telegrafike të Lajmeve.


Një ditë më pas axhenda për nderimin e heroit të demokracisë do të vazhdojë në një mbledhje përkujtimore për Azem Hajdarin.


Azem Hajdari u vra më 14 shtator përballë selisë së PD-së, ku sot gjendet një memorial. Mbi 100 000 shqiptarë kanë përcjellë dhjetë vjet më parë në një ceremoni madhështore njeriun që u bë në mënyrë të rrufeshme lider i demokracisë dhe simbol i lirisë.


Azem Hajdari u lind nga dy prindër punëtorë. Babai, Shpend Hajdari dhe nëna, Azize Rexha, jetonin në qytetin e Bajram Currit të rrethit Tropojë dhe gjatë gjithë kohës kanë punuar e dolën në pension si punëtorë. Familja e Azem Hajdarit ndër breza ka dhënë kontribute në luftërat kundër otomanëve, serbëve e malazezëve, për lirinë e pavarësinë e trojeve etnike shqiptare, si në Tropojë, Plavë e Guci, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Durrës etj., duke i dhënë Atdheut disa dëshmorë.


Azem Hajdari vinte nga një familje e thjeshtë prej së cilës trashëgoi bujarinë dhe respektin për njerëzit. Ai përpara se të vazhdonte studimet, jetoi së bashku me familjen e tij në vendlindje.


Ndjesia e liderit nuk rridhte për shkaqe personale, por Azem Hajdari duket se ishte i “zgjedhuri” njeri për të ardhur me modesti me njerëzit, e duke e afruar me popullin.


Para se të vritej, në një mbledhje partie, të afërmit kujtojnë të ketë thënë: “Për Demokracinë vlen kontributi i të gjithëve, kontribuojnë të gjithë me mënyrat e tyre. Edhe këta miqtë e mi që më shoqërojnë, si Besim Çeraj, janë të gatshëm të sakrifikohen për ruajtjen e vlerave që i fituam pas përmbysjes së komunizmit”.


Azem Hajdari u rrit në një qytet me tradita atdhetare në rrethin e Tropojës, në skajin verilindor të Shqipërisë, në një vend alpin me bukuri të rralla edhe në botë, që përshkohet nga lumi i Valbonës, me luginën e tij të mrekullueshme.


Azem Hajdari u formua që në fëmijë me eposin e kreshnikëve, me legjendat e Mujit e Halilit dhe Gjergj Elez Alisë, të lindura në këto bjeshkë. Ai u frymëzua nga akti heroik i Mic Sokolit, që i vuri gjoksin topit, nga zgjuarsia e Haxhi Zekës, themelues i Lidhjes Shqiptare të Pejës, nga urtësia dhe mendja e hollë e Binak Alisë dhe nga gjithë historia legjendare e kombit shqiptar.


Ai u arsimua në qytetin e lindjes, derisa përfundoi shkollën e mesme, në një qytet të vogël të një rrethi arsimdashës, i cili, në vitet ‘90 kishte 37 profesorë e doktorë shkencash të fushave të ndryshme, që nga prof. dr. Sali Berisha e të tjerë, që kishin bërë emër në jetën shkencore e kulturore të vendit.


Nuk ishte rastësi që në dhjetor të vitit 1990, në “Zërin e Amerikës”, dy gazetarët e mirënjohur disidentë me origjinë nga Tropoja, dr. Elez Biberaj dhe Idriz Lamaj, jepnin me entuziazëm lajmin e madh se në Shqipëri, në krye të protestave antikomuniste ishte një djalë nga Tropoja, studenti i filozofisë Azem Hajdari.


“Që në moshë fare të re Azemi shfaqet si një fëmijë rebel. Ai kërkonte të bënte gjëra që për të tjerët dukeshin të paarritshme, për të cilat fliste natyrshëm dhe të habiste vendosmëria e tij kur thoshte: “Unë do ta bëj”. A.Hajdari ishte fëmijë, sjellja e të cilit jo rrallë binte në kundërshtim me rregullat dhe moralin e kohës e kjo i sillte nganjëherë probleme, sa në një rast kur ai ishte vetëm 13 vjeç u propozua nga fronti i lagjes të internohej”, - kujtojnë të afërmit e Azem Hajdarit.


Kjo disidencë thellohet edhe më shumë në vitin 1980, kur Azemi përjashtohet nga shkolla profesionale komunale në Tiranë, ku një ndër shkaqet ishte edhe njohja me Fatmirën, e cila studionte në të njëjtën shkollë. Pas kësaj, Azemi kthehet në Tropojë dhe vazhdon me të njëjtën ecuri disidencën e vet, duke u vënë disa herë në shënjestër të komiteteve të rinisë të asaj kohe, me fletë-rrufe të vazhdueshme ndaj tij.


“Gjatë kohës kur ishte student, ata që e kanë njohur Azemin i dinë mirë shprehjet dhe veprimet e tij. Gjatë pushimeve verore, kur kthehej në qytetin e lindjes, ato që shprehte e bënte me shokët e vet, ishin bërë shqetësim i natyrshëm i familjes, që jetonte me ankthin e arrestimit të tij”.


Në dhjetorin e vitit 1990, Azem Hajdari u vu në krye të protestave të studentëve dhe u bë lideri i natyrshëm i tyre në moshën 28-vjeçare. Ai ishte aq i vendosur në rrugën e tij pa kthim për rrëzimin e atij sistemi sa u tha studentëve: “Unë jam Azem Hajdari. Kam 2 fëmijë, Kirardin dhe Rudinën, por unë do të jem i pari që nuk do ta kursej jetën time për të përmbysur këtë sistem. Mesazhi ynë nuk është të luftojmë njëri-tjetrin, por të ndryshojmë Shqipërinë, ta bëjmë atë si gjithë Evropa”. Dhe kjo u bë moto e gjithë Lëvizjes Studentore.








Mes Biblës dhe Kuranit


Familja e Azem Hajdarit ishte besimtare. Ai ishte një pasues i denjë i besimit të familjes së tij, të cilin e zhvilloi më tej individualisht duke e përsosur dhe duke ndërtuar vepra religjioze. Pasi u njoh me Dervishin e Luzhës, klerikun, bamirësin dhe atdhetarin e madh, ai u bë adhuruesi më i madh i tij, nga i cili mori frymëzimin, besimin, shpresën për të ardhmen. Nëpërmjet këtij kleriku Azemi mësoi të dojë të gjithë njerëzit që duan Zotin, pasi vet Dervishi i shihte njerëzit si të njëjtë. Ndërsa një pjesë të madhe të kohës Azemi e kalonte edhe tek shtëpitë e katolikëve.


“Tashmë të gjithë e dinë që pas plagosjes së Azem Hajdarit në Kuvend, në portofolin e tij u gjet fotografia e Dervishit dhe pak dhè e gurë nga Kisha e Laçit. Siç e shohin sot njerëzit kur vizitojnë shtëpinë e Azem Hajdarit, në bibliotekën e tij të madhe shohin në qendër Kuranin dhe Biblën dhe bashkë me to, bustin e shenjtorit të tij, Dervishit të Luzhës”, - tregojnë të afërmit. Në shenjë mirënjohjeje ndaj këtij Sshenjtori, ndaj veprës së tij, i cili mbajti shpresën e besimit tek Zoti gjithë tropojanëve dhe atyre që e njohën deri më 1985, kur ndërroi jetë, Azem Hajdari i ndërtoi tyrben në fshatin Luzhë, i cili është objekti i parë fetar në Shqipëri. Kjo tyrbe u përurua më 28 shkurt, një muaj para fitores së 22 marsit 1992 dhe siç tha Azem Hajdari në fjalimin e tij: “Në këtë ditë, nga ky vend i shenjtë, marrim bekimin për fitoren e Demokracisë”. Azem Hajdari tha: “Ky njeri i madh i Zotit i respektonte e ndihmonte të gjithë njerëzit, pavarësisht nga besimi i tyre, duke dhënë mesazhin e bashkëjetesës fetare”. Po në këtë eveniment, ku merrnin pjesë pothuaj të gjithë politikanët e djathtë dhe intelektualë të shquar, Azem Hajdari, nëpërmjet njërës prej familjeve më të përndjekura dhe të dënuar me pushkatim, Skënder Halucit, dha mesazhin e pajtimit kombëtar, që ne jemi kundër regjimit dhe jo kundër njerëzve.





Themelimi i Partisë Demokratike


Azem Hajdari, me një grup studentësh e intelektualësh të njohur, të cilët kishin dhënë shenjat e disidencës ndaj regjimit që më parë, si prof. dr. Sali Berisha, Arben Imami, Gramoz Pashko e të tjerë, themeluan Partinë Demokratike, partinë e parë opozitare në historinë e Shqipërisë. Kryetar i Komisionit Themelues u zgjodh Azem Hajdari.


Në një kohë shumë të shkurtër, në harkun e disa muajve, Azemi e formoi portretin e tij si një lider popullor, duke u kthyer në një simbol fitoreje. Ishte aq energjik sa që më 20 mars 1992, nga Tirana shkon në Burrel, organizon tre mitingje, të fundit në Macukull dhe vazhdon udhëtimin për në Koplik, ku të gjithë kujtojnë tribunën e improvizuar në karrocerinë e makinës, duke vijuar me miting në qytetin e madh të Shkodrës dhe e mbyll në darkë, në Lezhë, në zonën elektorale të kandidatit Preç Zogaj.


Nga ky kontribut i madh për lëvizjen demokratike në vend, Azem Hajdari pothuaj është shpallur “Qytetar nderi” në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit.


Azem Hajdari pas fitores së Demokracisë investoi në progresin e tij, intelektual, profesional dhe human. Ai vazhdoi studimet për gjuhë angleze e filozofi në SHBA. Përfundoi edhe Fakultetin Juridik dhe bëri disa kurse të tjera që lidheshin me funksionin e tij parlamentar. Ishte mik i intelektualëve pavarësisht nga idetë që përqafonin dhe besnik i bindjeve të veta deri në vetëmohim. Azem Hajdari tek Perëndimi e shihte shpresën e Shqipërisë. Që në themelimin e Partisë Demokratike ai krijoi lidhje me vende që e përkrahën Shqipërinë në këtë Lëvizje. Azem Hajdari bashkë me dr. Berishën dhe shkrimtarin e madh Kadare qenë të parët që u ftuan në Kongresin Amerikan, njerëz të cilët kishin fituar besimin se do ta çonin Shqipërinë drejt Evropës.


Azem Hajdari ka botuar qindra artikuj me tematikë të ndryshme pothuaj në të gjithë shtypin periodik shqiptar, brenda e jashtë vendit. Nëpërmjet tyre ka ngritur mjaft probleme, ka goditur shumë dukuri negative, që mbartin me vete iniciativën e kohës për problematika të caktuara.


Nismat e tij ishin gjithmonë në mbështetje të nevojave të shtresave të ndryshme, kishin lidhje organike me to. Ai mbështeste ish-të përndjekurit politikë, duke u bërë dhe pjesë e grevës së tyre, për kërkesa që ende sot nuk janë plotësuar. Ai mbështeste shtresat popullore të cilat mashtroheshin nga piramidat financiare, pasi struktura të caktuara të shtetit qenë të paafta për ta parandaluar këtë dukuri në kohë. Për këtë ai krijoi Sindikatën e Pavarur. A.Hajdari vlerësonte partizanët, luftëtarët dhe njerëzit që kishin kontribuar ne çlirimin e vendit.


Është i pari Azem Hajdari, që ndonëse ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kërkoi të shkojë të luftojë me armë në dorë në Kosovë, por për hir të pozicionit të tij politik nuk u lejua. Megjithatë, Azem Hajdari nuk pushoi së punuari e vepruari në funksion të kësaj çështjeje me fjalimet e tij në konferenca, në grumbullimin e ndihmave dhe si gjithnjë i pari në pritjen e të ardhurve nga Kosova, kur 15 vetë i bëri pjesë të familjes së vet.


Për këtë kontribut në Kosovë, Azem Hajdarin e kanë vlerësuar me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që ia dha Presidenti i madh i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, mik i ngushtë i Azem Hajdarit.








Të gjitha tentativat për ta vrarë


Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë kur doli në krye të protestave të studentëve. Për periudhën deri më 22 mars mjafton të kujtojmë vetëm faktin që në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek “Rruga e Kavajës”, përballë PD-së, tek kisha katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij 6 vjet më vonë, më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike, pas 6 atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet. Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, tentohet të vritet me bombë.


Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.


Më 18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdoren Mazrekun ai goditet për vdekje me 5 plumba në Kuvend.


Më 14 shkurt 1998 organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, ku në makinën e tij, përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.


Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Ai njoftoi qendrën dhe nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet, ai i shpëton një prite ku dhjetëra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet Azem Hajdarin e grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.


Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, ku ishte edhe nënkryetari i PD-së, sot Presidenti Bamir Topi dhe politikanë të tjerë, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21:15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetëra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.


“I pashpjegueshëm qe fakti se edhe pas vrasjes së Heroit të Demokracisë, nuk u ngrit asnjë post-bllok në të gjithë Shqipërinë”, - reagojnë të afërmit.


Lajmi për vrasjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, si dhe nga stacionet televizive. Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e Azem Hajdarit, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh Kadare si “Vrasja e shekullit”. E me gjithë vlerësimet si një ndër vrasjet e mëdha politike në Evropë të dhëna nga stacioni Euronews etj., dhe provat e mjaftueshme për organizmin e kësaj vrasjeje politike, ende drejtësia shqiptare nuk e ka zgjidhur këtë çështje duke vënë para përgjegjësisë organizuesit dhe vrasësit.








Kush ishte Azem Hajdari


Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri të Tropojës, Shqipëri


I martuar, me tre fëmijë, Kirardi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit.


Shkollën tetëvjeçare dhe të mesme i kryen në vendlindje


Më 1987, pas një shkëputjeje, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike


Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës


Në vitin 1995 diplomohet si jurist në Universitetin e Tiranës


Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikimin pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gjuhë angleze e filozofi


Më 1996 ndjek kualifikimin për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen në Gjermani





Aktiviteti Politik





Dhjetor 1990 Udhëheqës i Lëvizjes Studentore


Dhjetor 1990 – shkurt 1991 Lider i Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në Shqipëri, kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj Partie


1991 - 1993 Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues


31 mars 1991 Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën


22 mars 1992 Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun


26 maj 1996 Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën


29 qershor 1997 Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën


1992-1996 Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un


Nëntor 1996 Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare


Qershor 1997 Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare


1995 – 1998 President i Klubit të Futbollit “Vllaznia” Shkodër dhe President i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale











Vlerësimet për Azem Hajdarin


-Pishtar i Demokracisë


-“Qytetar Nderi” i pothuajse të gjitha bashkive e komunave të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë etj.


-Urdhri “Nderi i Kombit” (2002)


-Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” (2003)


-Më 10 shtator 2008 organizohet ceremonia për dorëzimin e Urdhrit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës