Ervin Koçi



“Rritja ekonomike pritet të ngadalësohet dukshëm në vitin 2009 në vendet e rajonit të Ballkanit, me një rënie mbi 50 për qind të rritjes ekonomike”. Këtë e ka deklaruar dje Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, e cila në raportin e saj më të fundit mbi vendet e rajonit tonë, në të cilin është e përfshirë edhe Shqipëria, ka analizuar situatën ekonomike për vitin 2009. BERZH-i vlerëson se kjo do të vijë si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe e turbulencave në tregjet financiare si dhe nxiti vendet ku investon që t’i japin prioritet të lartë stabilitetit të sistemit të tyre bankar.

Raporti i “Tranzicionit 2008” i BERZH-it, i cili gjurmon performancën ekonomike dhe progresin e reformave në vendet ku vepron BERZH-i, parashikoi se rritja e përgjithshme ekonomike do të ulet në 6.3 për qind në vitin 2008 nga 7.5 për qind në vitin 2007 dhe do të bjerë nën 2 për qind në vitin 2009. BERZH kontrollohet nga 61 shtete dhe dy institucione ndërqeveritare dhe synon të ndihmojë tranzicionin e ekonomive të centralizuara në ekonomi të tregut nga Europa Qendrore në Azinë Qendrore.



Shqipëria



Raporti evidenton se rritja në Shqipëri ka arritur 6.1 për qind në vitin 2008 nga 6 për qind që ishte në vitin 2007, ndërsa në vitin 2009, rritja pritet të arrijë në jo më shumë se 4 për qind. Ivo Germann, “Principal Economist” i BERZH-it për Shqipërinë, u shpreh: “Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha”. Por ai shtoi se, “nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen mbresëlënëse ekonomike të viteve të fundit”. Raporti i Tranzicionit thotë se ekziston një rrezik që rritja ekonomike në rajon në vitin e ardhshëm të jetë edhe më e ulët nëse financimet e jashtme zvogëlohen papritur. “Disa vende në veçanti vazhdojnë të kenë llogari korrente me deficite të mëdha të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj dhe për këtë arsye janë të prirura të vuajnë nga ulje më të forta të prodhimit të brendshëm nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt”, - theksohet në Raport. Erik Berglof, drejtor i Zyrës Ekonomike të BERZH-it, u shpreh se mosndërprerja e rritjes ekonomike në rajon gjatë fazave të para të krizës botërore ishte një tregues për arritjet e dukshme të reformave. “Masat për stabilitet duhet të koordinohen me vendet e tjera, si në Europën Perëndimore, ashtu edhe në vendet e tjera në tranzicion, duke marrë parasysh pronësitë e ndërlidhura në sistemin financiar të rajonit”, - tha ai. Por tani, rajoni, i përballur me një atmosferë ndërkombëtare shumë pak dashamirëse, me largimin e kapitalit nga tregjet në zhvillim, mungesë oreksi për rrezik si dhe me recesion në ekonomitë kryesore të OECD-së (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik), do të provojë qëndrueshmërinë e vendeve në tranzicion. Berglof shtoi se, “ngadalësimi i shpejtë do të zbusë kërcënimin e inflacionit, ndërsa stabiliteti i sistemit bankar do të kthehet në prioritetin kryesor për qeveritë e të gjithë rajonit”.



Ngrirja e kredive



Në një kapitull të veçantë mbi ndikimin e krizës globale të kredive në rajon, raporti thotë se, “përkeqësimi në të gjithë mjedisin financiar mund të rezultojë tani në një kontraktim të zgjatur dhe të rëndësishëm në sektorin e kredive”. Raporti parashikon se, “nëse ndodh kështu, padyshim që pasojat mbi rritjen e përgjithshme të ekonomive në rajonin e tranzicionit do të jenë të rënda”. Megjithatë, raporti thekson se gjithashtu ka faktorë të ndryshëm që mund ta ndihmojnë rajonin për të parandaluar këtë skenar pesimist, ose të paktën ta ndihmojnë atë që të përballojë efektet e krizës. Raporti thotë se, nivelet e borxhit të qeverive të rajonit kanë rënë vazhdimisht që në vitin 2000, duke i dhënë më shumë fleksibilitet politikave qeveritare nëse do të nevojiten më shumë ndërhyrje nga qeveritë. Kushtet e biznesit në përgjithësi janë përmirësuar në vitet e fundit dhe tregjet e punës kanë qenë relativisht fleksibël, gjë që do krijonte kushtet për një rimëkëmbje të shpejtë dhe rikthimit të rritjes ekonomike.





21 Janar 2009