Ato që njihen si bajamet kanë një rol mjaft të rëndësishëm për organizmin e njeriut, sepse mbrojnë dhe luftojnë mikrobet e ndryshme që hyjnë nga goja dhe rrugët e frymëmarrjes. Fyti është vendi ku kryqëzohen sistemet e tretjes dhe të frymëmarrjes, të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me mjedisin e jashtëm. Pra, fyti është pjesë e dy sistemeve dhe vendoset në pjesën e prapme të hundës dhe gojës. Funksionet e këtij organi janë të shumta e të rëndësishme. Në të janë të vendosura disa grumbullimesh indesh, që përngjajnë me ato të gjëndrave limfatike. Një grumbull tjetër është i vendosur prapa hundës që janë anedoidet, në gjuhën popullore quhen “mish në hundë”, dy grumbullime të tjera janë të vendosura në dy anët e fytit, që janë tonsilit palatine ose “bajamet”. Në rrënjën e gjuhës është vendosur një tjetër grumbull indesh të tilla, që quhet “bajamja” e gjuhës. Të katërt grumbullimet që thamë më lart luajnë një rol të rëndësishëm për organizmin e njeriut, sepse kontrollojnë çdo gjë që kalon në rrugën e ushqimit dhe të ajrit. Përveç funksionit që përmendëm bajamet prodhojnë dhe disa qeliza të gjakut që quhen limfocide. Ato kanë veti mbrojtëse. Kur bajamet sëmuren këto kthehen në qeliza gllabëruese për mikrobet, duke i shkatërruar ato. Tjetër rol i rëndësishëm i bajameve është se këtu prodhohen të ashtuquajturat trupëza mbrojtëse (antikorpe), të cilat shkatërrojnë mikrobet dhe helmet e tyre.

Shkaktarët

Pezmatimi i bajameve quhet “anginë” dhe shkaktarë të shfaqjes së këtij shqetësimi janë mikrobet e ndryshme, që favorizohen nga i ftohti dhe nga ulja e rezistencës së organizmit. Shenjat e para të sëmundjes janë dobësi e përgjithshme, tharje dhe dhimbje fyti, temperatura që rritet deri në 38-39 gradë. Fëmijët e vegjël veç të tjerash refuzojnë ushqimin dhe ankohen shpesh për dhimbje barku. Ndërlikimet e anginave janë lokale dhe të përgjithshme. Kalimi në formën kronike të sëmundjes është ndërlikimi më i shpeshtë lokal që është quajtur tonsiliti kronik. Veç kësaj mund të kemi grumbullimin e qelbit përreth bajames që quhet abces peritonsilar. Në qoftë se grumbullimi i qelbit bëhet në thellësi të qafës quhet flegron dhe ky është ndërlikimi më i rëndë që shoqërohet me zmadhimin e gjëndrave limfatike në fyt. Ndërlikimet e përgjithshme të anginave janë reumatizma, sëmundjet e veshkave dhe të zemrës. Shenja kryesore e kësaj sëmundjeje është dhimbja, vështirësi në gëlltitje dhe të folurit karakteristik sikur ka diçka në gojë. Tonsiliti kronik shpesh nuk ka shenja të qarta, por vetëm një shqetësim të papërcaktuar në grykë, nganjëherë vështirësi në gëlltitje, kur bajamet janë shumë të zmadhuara, si dhe erë të keqe nga goja. Disa të sëmurë kanë ngritje të lehtë të temperaturës që nganjëherë mund të vazhdojë për shumë kohë. Shenjë më e sigurt për një tonsilit kronik është shfaqja e anginave të shpeshta, të shoqëruara dhe me rritjen e gjëndrave limfatike të fytit dhe të qafës.

Operimi

Pyetjes nëse duhen operuar bajamet ende shkenca sot nuk i ka dhënë një përgjigje plotësisht të saktë. Duke pasur parasysh rolin e bajameve nga eksperienca është arritur në disa standardizime për heqjen e tyre. Bajamet në përgjithësi operohen pas moshës 3 vjeç me ndonjë përjashtim të veçantë dhe përpara kësaj moshe. Bajamet hiqen kur sëmuren shpesh, ose kur formojnë vatër infeksioni për sëmundje të ndryshme. Ndodh që bajamet të jenë të zmadhuara, por nuk do të thotë se duhen hequr si të sëmura, prandaj këto lloj bajamesh hiqen vetëm atëherë kur ato japin shqetësime të tilla si, dhimbje veshësh apo ulje të dëgjimit, zmadhim të gjëndrave limfatike të qafës, fytit, vështirësi në frymëmarrje, në gëlltitje dhe të folurit e fëmijës. Duhet theksuar këtu që disa prindër apo dhe personel shëndetësor mendojnë gabimisht se, duke qenë bajamet e zmadhuara duhen operuar, në mënyrë që fëmija të shëndoshet e t’i vijë oreksi. Sipas mjekëve, një qëndrim i tillë është në dëm të shëndetit të fëmijës, në qoftë se do të heqin bajamet jo të sëmura. Prandaj nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë midis mjekëve patologë dhe pediatër me specialistin otorinolog, për të vendosur kritere më të drejta për heqjen ose jo të bajameve.

Parandalimi

Bajamet janë barriera e parë për mikrobet që hyjnë në organizëm dhe vendi ku asgjësohen pa kaluar më tej në organizëm. Kjo është arsyeja që personat që kanë hequr bajamet preken shpesh dhe shpejt nga faringitet. Së pari mjekët këshillojnë që për fëmijët e predispozuar për t’u prekur nga bajamet të tregohet një kujdes maksimal ndaj veshjes, qëndrimit në ambientin e jashtëm, sidomos në ditët e ftohta, por edhe në ato të nxehta, pasi fëmija nga lëvizja e tepër mund të djersitet shumë dhe kjo bëhet shkak për ftohje. Gjithashtu, duhet të përdoren ushqime dhe pije të ftohta, por të gjitha në një temperaturë normale. Në të njëjtën kohë mund të këshilloja kufizimin në maksimum nga fëmijët të pijeve të gazuara si: koka-kola, sidomos kur kanë bajame të sëmura (të skuqura, të qelbëzuara), sepse këto pije mund të përkeqësojnë stadin e sëmundjes.



Shenjat

Vështirësi në gëlltitje

Erë të keqe nga goja

Temperaturë

Dobësi e përgjithshme

Tharje dhe dhimbje fyti

Refuzim ushqimi

Dhimbje barku

Ndërlikimet

Reumatizëm

Sëmundje të veshkave

Sëmundje të zemrës









Të rejat nga shkenca/ Vetëm lecitina nga soja është e rrezikshme





Në industrinë ushqimore lecitinat shfrytëzohen si emulgatorë dhe stabilizatorë, ndërsa fitohen më së shumti nga soja, pastaj vezët, orizi apo nga farat e lulediellit. Duke marrë parasysh se soja konsiderohet si njëri nga ushqimet që shkakton alergji, gjithmonë ka ekzistuar pyetja nëse personat që janë alergjik në sojë duhet të mos konsumojnë edhe ushqimet tjera që përmbajnë lecitinë. Përgjigjen për këtë pyetje e ka dhënë një studim i shkencëtarëve gjermanë, në të cilin janë analizuar gjashtë lloje të lecitinës nga soja. Rezultatet kanë treguar se lecitina nga soja e pranishme edhe në produktet tjera ushqimorë, nuk është po aq e fuqishme për të shkaktuar alergji siç ndodh gjatë konsumimit të sojës, për këtë arsye rekomandohet që personat të cilët janë alergjikë në sojë, të mos i shmangin ushqimet tjera të cilat përmbajnë lecitinë.



Përgatiti: Jonida Tashi





13 Qershor 2008