Autori i Lajmit: Lili Saraci




Të mësosh balet nuk është teknikë, por mbi të gjitha është pasion. Një gjë të tillë e dëgjon në Shkollën e Baletit në Tiranë, teksa bëhen prova me nxënësit e kësaj shkolle. Ata tashmë të gjithë e dinë një gjë të tillë dhe shpesh me njëri-tjetrin thonë se, që të mësosh balet, duhet pasion. E pra, teksa përmend baletin klasik në mendje të vjen një vajzë e hollë, e gjatë, në majë të gishtave, dorën drejt, kokën lart. E veshur me geta të holla të zeza, badi mbas trupit, papuçe të holla e tepër klasike, me flokë të mbledhura lart. E pra këto janë vajzat e vogla të Shkollës së Baletit në Tiranë. E njëjta gjë është edhe për djemtë e kësaj shkolle. Por, në të vërtetë sa të vështirë e kanë këto vajza e djem për të ruajtur modelin e elegancës në gjithçka, pasi për të qenë një balerinë e mirë duhet që në të njëjtën kohë të bësh shumë veprime. Shikimi i një balerine duhet të jetë i përqendruar në një vend, dora me tepër elegancë nga ana tjetër e kështu të gjitha me radhë. Veç kësaj, të gjithë këta nxënës të kësaj shkolle kanë etjen për tu bërë të famshëm. Kanë talentin dhe dëshirat e moshës. Imazhi nuk ndryshon as për nxënëset e ciklit fillor, as për ata të ciklit të mesëm. Për të gjithë vlen i njëjti rregull: të jenë sa më elegantë. Motoja është e njëjtë, edhe për djemtë, të cilët duhet të djersijnë edhe jashtë dyerve të shkollës, për të qenë në format e duhura fizike dhe, mbi të gjitha, për të qenë më të mirët në baletin klasik. Disa vijnë nga familje të pasura, disa të tjerë kanë një traditë të mirëfilltë kulturore familjare. Por, ajo që i bashkon të gjithë, është dëshira për baletin klasik. E mbi të gjitha, vetë nxënësit e kësaj shkolle shprehen se “nuk ka rëndësi forma apo përmbajtja: e rëndësishme është se nuk po kryejnë një shkollë çfarëdo, për të mos e ditur më vonë fakultetin, në të cilin do të studiojnë. Këta janë nxënësit e shkollës së baletit. Që në klasën e 5-të nxënësit janë pjesë e kësaj shkolle, që për më tepër është edhe më e lakuara në kryeqyteti. Ajo ndryshon nga shkollat e tjera jo nga infrastruktura, por nga nxënësit e talentuar, jo në Matematikë apo Fizikë, por në balet klasik. Bëhet fjalë pikërisht, për Shkollën Kombëtare Koreografike të Baletit, e cila këtë herë do të bëhet pjesë e suplementit të gazetës. Nuk është aspak ekzagjerim të themi se pothuajse të gjitha vajzat mund të kenë ëndërruar në fëmijërinë apo adoleshencën e tyre të bëhen balerina. Të famshme, elegante, gjithnjë me Puante veshur dhe, mbi të gjitha, me pasion të madh për baletin. E në fakt, të mësosh balet nuk është teknikë, por, mbi të gjitha, pasion. Kjo është motoja-bazë, mbi të cilën ushtrohen dhe punojnë për pjesë të njohura ose jo çdo ditë nxënës dhe mësues në Shkollën Kombëtare Koreografike në Tiranë, e njohur ndryshe, si Shkolla e Baletit. Brenda dyerve të këtij institucioni gjejmë gjithçka, siç e kishim përfytyruar.

Baleti Klasik, në varësi të ngushtë me bukurine trupore

Baleti është arti me human, ku trupi dhe shpirti bashkohen dhe vihen në shërbim të bukurisë. Mbi të gjitha është një art i gjallë një pafundësi linjash, formash, shpejtësish që vihen në shërbim të realizimit të ekuilibrave strukturore të përkryera, duke iu bindur në këtë kohë ligjeve biologjike dhe rregullave estetike. Baleti është edhe një gjuhë me vete, sepse prodhon në mënyrë të pavetëdijshme ide apo ndjenja që janë të pamundura të shprehen me fjalë. Pretendohet që baleti është në një varësi të ngushtë me bukurinë trupore, shëndetin, inteligjencën, dijen, ndjeshmërinë, të kuptuarin e muzikës, megjithatë të gjitha këto janë të pamjaftueshme shpjegon drejtoresha e shkollës Blerina Arbana. Për të kërcyer mirë duhen 2 cilësi: shikimi, perceptimi. Shikimi ka të bëjë me një imitim të saktë të gjesteve të mësuesit, të kontrollojë veten në pasqyrë. Perceptimi ka të bëjë me një dhunti personale dhe të brendshme. Nxënësit që e kanë këtë dhunti mund të krijojnë lëvizje estetike dhe të konkretizojnë pa sforco. Nga ana tjetër, për të kërcyer mirë duhet një stërvitje dhe praktikë e përditshme që sigurojnë një zhvillim progresiv të aftësive fizike. Stërvitja nuk mund të praktikohet në mënyrë uniformë, për shkak të përbërjeve të ndryshme të nxënësve, prirjeve të ndryshme si dhe zhvillimit të tyre.



Rikonstruksioni

“Shkolla, në kushte të mira bashkëkohore”



Godina e Shkollës Koreografike është rikonstruktuar tre vite më parë dhe, aktualisht, siç pohojnë mësuesit dhe vetë drejtoresha e kësaj shkolle, Blerina Arbana, shkolla është në gjendje shumë të mirë dhe i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e mësimit specifik të këtij institucioni. Megjithatë, vetë drejtoresha e shkollës, Arbana, ka pohuar se pas rikonstruksionit të shkollës, vërtet infrastruktura nga jashtë është e mirë, por ajo çka është shqetësuese për nxënësit është pikërisht fakti se nuk punojnë kaldajat, dhe nxënësit e kanë të pamundur që të bëjnë balet në sallat e baletit. Në këtë shkollë, përveç klasave, ku zhvillohen mësimet e kulturës së përgjithshme, janë edhe pesë salla të mëdha baleti të shtruara me parket dhe të pajisura me pasqyra, ku nxënësit të shikojnë e të korrigjojnë lëvizjet e tyre gjatë mësimit të baletit, të valles popullore, si dhe ushtrimeve të karakterit shqiptar e të huaj. Sallat janë të pajisura me leva anësore dhe qendrore, të cilat janë të lëvizshme. Krahas sallave të baletit, shkolla jonë është e pajisur me dushe, që nxënësit, pasi të mbarojnë mësimin e kulturës artistike, të kenë mundësi për tu pastruar. Shkolla jonë është e pajisur edhe me dhoma të veçanta, ku janë vendosur dollapët personalë të secilit nxënës. Nxënësit mbajnë në to mjetet e punës. Klasat janë të pajisura me tavolina dhe karrige të reja. Në shkollën tonë funksionojnë edhe dy salla me 26 kompjuterë gjithsej, ku zhvillohet mësimi i informatikës dhe nxënësit punojnë në kohën e lirë.



Shkolla e Baletit, mbrëmje gala në 50-vjetorin e saj. Ja artistët që ka nxjerrë shkolla

Ndryshe nga shkollat e tjera, në Shkollën e Baletit pak problem për nxënësit e klasave të pesta është pikërisht orari i shkollës. Siç na shpjegon edhe vetë drejtoresha e shkollës, Blerina Arbana, nxënësit e klasave të 5-ta, si fillim, e kanë pak të vështirë të mësohen me ambientin dhe me orarin e shkolis, i cili nuk është si në çdo shkollë tjetër, por është paksa i tejzgjatur. Kjo ankesë vjen edhe nga vetë nxënësit, të cilët, të kontaktuar nga gazeta, pohojnë se orari në këtë shkollë, ndryshe nga sa ishin mësuar, është i tejzgjatur. Për këtë, drejtoresha Blerina Arbana shprehet se shkolla i ka dhënë rëndësi të veçantë njohjes dhe respektimit të të drejtave të individit, si dhe principit-bazë të marrëdhënieve njerëzore, duke respektuar sjelljen e të tjerëve. Nisur nga kjo, mësuesit e kanë kuptuar fare mirë se, në disa raste, mësimi deri në orën 4 të pasdites bëhet i lodhshëm, prandaj përpiqen që tua heqin stresin dhe lodhjen fizike nxënësve. Në Shkollën Kombëtare Koreografike zhvillojnë mësim mbi 1000 nxënës, prej të cilëve disa janë nga rrethet dhe periferitë e Tiranës dhe qëndrojnë në konvikte. Sikundër ka edhe prej atyre që kanë zgjedhur të mos qëndrojnë në godinat e shkollës, por të shkojnë në shtëpi çdo pasdite pas mësimit. Nxënësit, kryesisht u përkasin familjeve me nivel mesatar arsimor. Ndërsa, sipas statistikave, rezulton se vetëm 0,2 për qind e tyre janë të familjeve me asistencë sociale, 36 për qind u përkasin familjeve me arsim të lartë. Përkthyer në shifra, janë rreth 197 nxënës në shkollë që vijnë nga familje intelektuale dhe rreth 150 të tjerë që vijnë nga shtresa të mesme.

Mësimi në shkollë

“Mësimi zhvillohet në bazë të dy kulturave: asaj artistike dhe të përgjithshme. Shkolla përfshin ciklin e arsimit 9-vjeçar dhe atë të shkollës së mesme, nga viti II-IV. “Të gjithë nxënësit, që janë pjesë e shkollës sonë, i janë nënshtruar një konkurrimi me përfaqësues e artistë të shquar në art”,- ka rrëfyer për “Ballkan” drejtoresha e shkollës, Blerina Arbana. Gjatë viteve të shkollimit, shkolla i përgatit nxënësit me njohuritë-bazë, duke u krijuar atyre mundësinë e kompletimit të këtyre njohurive, për të vazhduar më pas studimet e larta, kryesisht në degët që ata kanë mësuar për shumë vite. Shkolla Kombëtare e Koreografisë është shumë specifike, sepse, nëse në gjimnazet e tjera ka përgatitje të përgjithshme, thjesht për provimet që kanë në Letërsi, Matematikë, si dhe provime me zgjedhje, këtu shtohet kjo ngarkesë, sepse është edhe provimi i lëndëve së baletit”,- shton drejtoresha Arbana. Më tej, ajo ka theksuar se në këtë shkollë mësimi zhvillohet në ambiente bashkëkohore, si edhe një sallë e madhe koncertale, e cila shërben edhe si pikënisje për realizimin e synimit të shkollës. “Shkolla jonë, rëndësi të veçantë i kushton planit të ofertës informative, që do të jetë dokumenti thelbësor kryesor, i përbërë nga identiteti, kultura dhe projekte nga institucionet shkollore. Do të përfaqësojë projektin kurrikular, extrakurrikular, edukativ dhe organizues, që shkolla jonë të vendosë autonominë e vet. Disiplina artistike, puna sistematike dhe përgjegjshmëria e secilit nga ne bëjnë që përgatitja e tyre të jetë garanci e formimit të nxënësve, si njerëz të devotshëm për shoqërinë dhe formimin e tyre si artistë të skenës”,- përfundon drejtoresha.





Shkolla e Baletit, mbrëmje gala në 50-vjetorin e saj



Mbrëmje gala për festimin e vitit jubilar. 50-vjetori i themelimit të Shkollës së Baletit u festua në skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit vetëm tre vite më parë. Kremtimi i kësaj dite të shënuar për një nga vendet ku edukohen artistët e rinj, u bë me nderime të figurave të njohura të kësaj shkolle që për 50 vite edukuan dhe krijuan talente të artit në Shqipëri. Në këtë ditë të shënuar ishin të gjithë së bashku ashtu si dhe në ato kohë që u bënë plejada e artistëve që i dha vepra të shkëlqyera baletit shqiptar. Për këtë mbrëmje speciale, në Tiranë mbërriti një prej mjeshtërve më të mëdhenj të baletit rus, Evgeni Vallukin, bashkë me djalin e tij. Gjatë atyre ditëve ata përgatitën balerinët shqiptarë të ngjisin në skenë në galanë e madhe, aktin e dytë të baletit “Bajadera”, e cila u prezantua përpara të pranishmëve në këtë aktivitet. I ftuar special i kësaj mbrëmjeje ishte dhe drejtori i parë i kësaj shkolle, Petrit Vorpsi. Në një prononcim dhënë për median ai foli për lidhjen e baletit shqiptar dhe atij rus duke u shprehur se “kjo lidhje është organike, pasi ne kur kemi mbaruar shkollën ruse të “Balshoit” sollëm ato programe didaktike artistike dhe kjo ndihmoi në përgatitjen e artistëve, të cilët me interpretimet e tyre bëjnë pjesë në plejadën e artistëve shqiptarë që i dhanë vepra të shkëlqyera koreografisë shqiptare dhe asaj botërore në skenën shqiptare dhe atë botërore. Unë them se programin artistik që kemi marrë ne nga shkolla e “Balshoit” dhe programi që kanë sjellë artistët rusë sot, janë po të njëjtat programe, ato janë vazhdimësia e tyre. Për mua qe një gëzim i madh kur u takova sërish me të ftuarit nga Rusia”,- është shprehur ai. Më tej ai është shprehur: “Djemtë tanë dhe vajzat tona, si Klejdi Kadiu, Anbeta Toromani etj, janë shembull të asaj të bukure të mirë që ka arritur shkolla jonë shqiptare”,- përfundoi drejtori i parë i Shkollës së Baletit, Petrit Vorpsi. Blerina Arbana, aktualisht drejtoreshë e kësaj shkolle do të shprehej se “përvoja e shkollës sonë është goxha e madhe, dhe në këto 50 vite punë kanë dalë breza të tërë balerinësh. Në këtë ditë dua që ti falënderoj të gjithë dhe ata që për shumë arsye nuk janë të pranishëm”. Përvjetorët e mëdhenj mbahen mend. E më të paharrueshëm këtë jubile e bënë jo vetëm trofetë në shenjë falënderimi, jo vetëm për ata që gjithë pasionin e tyre e dhanë në atë shkollë, por edhe për atë çka nxënësit e tanishëm të shkollës ngjitën në skenë. Ky është një prej atyre përvjetorëve që u festua me madhështi nga kjo shkollë dhe galaja e kësaj mbrëmjeje ishte dhe shprehja më e mirë e asaj çka nxënës dhe mësues arrijnë në këtë shkollë, e cila gjatë këtyre 50 viteve ka nxjerrë emra të talentuar balerinësh dhe një pjesë e tyre janë të vlerësuar dhe në skenat botërore. Shkolla e Baletit në vendin tonë u themelua në vitin 1957. Festimi i 50-vjetorit solli një atmosferë të këndshme në skenën shqiptare me balerinët e kësaj shkolle.



Nxënësit pajisen me diplomë maturiteti dhe përfitojnë pjekurinë koreografike



Shkolla e Baletit është apolitike dhe është një institucion ku nxënësi formohet dhe është disponibël për të realizuar vepra artistike të një niveli nacional dhe internacional me impenjim, duke koordinuar dhe pranuar shumë realitete nacionale aktive në sektorin e spektaklit edukon e i formon nxënësit, që të jenë të denjë artistikisht, teknikisht e profesionalisht për të debutuar në skenat më prestigjioze, brenda dhe jashtë vendit. Qëllimi i shkollës është formimi kulturor dhe profesional i të rinjve që paraqesin të dhëna specifike për kërcimin, e cila krijon një bagazh për disiplinat koreografike, duke krijuar figura profesionale me baza të mira për hyrje në botën e spektaklit si balerinë. Nxënësi pajiset me diplomën e maturitetit dhe përfiton pjekurinë koreografike, e cila arrihet në kontakt me publikun nën drejtimin e profesionistëve të kualifikuar, duke respektuar veten, ambientin e punës dhe të tjerat, çka sjell një punë mbresëlënëse dhe i përgjigjet pulsit krijues të baletit, sepse baleti ynë mbart harmoni, formë, balancë dhe ideale të pastra që kjo shkollë vazhdon e i mbart me artin e pastër të kërcimit. Një vend të veçante në këtë shkollë zë të punuarit në mënyrë autonome dhe në ekip, të dish të shfrytëzosh me ngulm leksikun dhe procedimet që bëjnë pjesë në gjuhët specifike të mësuara. Disiplina e kulturës artistike ka parasysh baletin klasik, që është baza, duke nxitur punën individuale dhe duke krijuar një klimë të ngrohtë bashkëpunimi dhe miqësie ndërmjet nxënësve të rinj e të vjetër. Sigurisht, baleti ka disa ligje. Një drejtues i mirë i fushës së baletit duhet ta lëvrojë baletin klasik, të jetë një menaxhues i mirë dhe duhet ti zërë vend fjala. Sepse gjuha e baletit përfshin në vetë vete një glosal të pafund lëvizjesh, duke shprehur gjendje, emocione të shumta, karaktere të marra nga realiteti, pra nga gjithë përfshirja e jetës së përditshme. Shpresoj se kur kam marrë këtë detyrë, vizioni im ka qenë i qartë: ti mëshoj punës sistematike”.









Shkolla fituese e Çmimit të Publikut në Poloni





Përveç baletit klasik në Shkollën e Baletit këtë vit është futur edhe zhanri për balet modern. Kjo na pohohet edhe nga vetë drejtoresha e shkollës, Blerina Arbana, e cila ka treguar për suplementin e gazetës se në klasën e 9- të këtë vit fillon baleti modern, kjo pasi, sipas saj, baleti modern nuk mund të fillojë që në klasën e 5-të, pasi nxënësi duhet të përvetësojë fillimisht baletin klasik pastaj të mësojnë baletin modern. “Në rast se nxënësi nuk është formuar mirë në baletin klasik ndikon negativisht tek nxënësi baleti mordern. Ajo që është e re për shkollën tonë këtë vit është dhe futja e një zhanri të ri në këtë shkollë ashtu siç është baleti modern. Pasi, çështë e vërteta, në Shqipëri nuk ka ekzistuar baleti me baza metodologjike, pra ka qenë një kuturu. Këtë vit na ka ardhur një mësuese e re, Anila Vasjari, në fakt ajo ka qenë mësuese në shkollën tonë, por u shkëput për disa kohë dhe, me thënë të drejtën, këtë lloj zhanri Anila e ka lëvruar në Itali deri në momentin që u rikthye sërish në këtë shkollë baleti dhe e ka vënë si zhanër të ri në shkollën tonë”,- ka pohuar Arbana. Ndër të tjera ajo na ka shpjeguar edhe mënyrën e përzgjedhjes së nxënësve. “Nxënësit në shkollën tonë futen me konkurs, përzgjedhja bëhet nga ana e specialistëve të shkollës sonë. Ne, aktualisht, kemi dërguar në disa shkolla dy specialistë të shkollës së baletit për të përzgjedhur elementë të veçantë, kjo sigurisht edhe me pëlqimin e drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore”,- shpjegon drejtoreshë Arbana.



Sa vite keni si drejtore në këtë shkollë, dhe a është e vështirë të drejtosh Shkollën e Baletit?



Në këtë shkollë kam qenë mësuese dhe po bëjë gati 18 vite që jam në këtë shkollë. Duke qenë mësuese në një shkollë baleti, dua të them të jesh drejtoreshë, duke qenë mësuese, e kam pasur edhe të lehtë, edhe të vështirë. Të lehtë, sepse duke qenë mësuese më parë në këtë shkollë, i di shumë mirë cilat janë pikat e dobëta që ka shkolla dhe, sigurisht, duke i ditur këto, do të mundohesh ti rregullosh. Objektivi im, kur erdha si drejtoreshë në këtë shkollë, ka qenë gjithmonë që në këtë shkollë të ketë balet klasik dhe, sigurisht, ti mëshoja akoma edhe më shumë plantave. Pra një nga objektivat e mia kryesore është që të vazhdoj gjithmonë në këtë rrugë, sigurisht që jam munduar të eci gjithmonë në hapat e drejtorit të parë të kësaj shkolle, Petrit Vorpsit. Si drejtuese shkolle po bëjë 5 vite, në kohën që unë kam marrë drejtimin e shkollës, shkolla ka qenë në rikonstruksion dhe për ta drejtuar ka qenë shumë e vështirë,. Por, më e vështirë ka qenë të realizoja objektivat e mi si drejtoreshë, pasi shkolla, duke qenë në rikonstruksion, nxënësit bënin mësim në mënyrë të shpërndarë nëpër shkollat e tjera, ku nuk ishin kushtet për tu mësuar nxënësve balet klasik. I gjithë ky tension dhe puna që ne bënim ka qenë për një periudhë kohe mbi një vit. Megjithatë, një ndihmë për ne në atë kohë ka qenë dhe Teatri i Operës, i cili na dhe ato sallat e baletit, por përsëri nuk zhvillohej dot mësim ashtu si në “shtëpinë tënde”, shkollën tënde. Unë ia arrita qëllimit që vitin e parë të bëja një koncert dhe e kam bërë vetëm fare, tërësisht klasike, për këtë kohë unë kam punuar në palestrën time, pasi kam një të tillë. Të them të drejtën, nga viti në vit ne bëjmë koncerte për baletin klasik. Megjithatë unë dëshiroja shumë që shkolla të ishte gjithëpërfshirëse në balet. Dhe për këtë unë u kam kërkuar mësuesve që në fund të semestrit të parë të kenë klasën dhe numrat e tyre të baletit, dhe më pas po komisioni që është i përbërë nga mësuesit dhe do të përzgjedhin numrat më të mirë në mënyrë që dhe koncerti të mos bëhet i lodhshëm.



Cilat janë aktivitetet që organizoni?



Në datën 3 maj të 2008 është bërë dhe koncerti gala. 50 vjet balet shqiptar në sytë e koreografit Petrit Vorpsi janë vitet më të rëndësishme të një prej gjinive të artit që i ka bërë krenarë shqiptarët. Krijimi i Shkollës së Baletit me studentët e parë që u shënjuan nga përvoja dhe tradita e “Balshoi Teatër”, për ish-drejtorin e parë të kësaj shkolle është një fat të ishte aty pas 50 vjetësh e të kujtosh fillesat e kësaj shkolle. Ne si shkollë punojmë shumë në mënyrë që shkolla të dalë më mirë në konkurse apo aktivitete ashtu siç ishte ai i 3 majit. Ajo që është e re për shkollën tonë këtë vit është dhe futja e një zhanri të ri në këtë shkollë ashtu siç është baleti modern, pasi, çështë e vërteta, në Shqipëri nuk ka ekzistuar baleti me baza metodologjike, pra ka qenë një kuturu. Këtë vit na ka ardhur një mësuese e re, Anila Vasjari, në fakt ajo ka qenë mësuese në shkollën tonë, por u shkëput për disa kohë dhe, me thënë të drejtën, këtë lloj zhanri Anila e ka lëvruar në Itali deri në momentin që u rikthye sërish në këtë shkollë baleti dhe e ka vënë si zhanër të ri në shkollën tonë. Pra, këtë vit është futur edhe baleti modern me baza metodologjike.



Cilat janë çmimet që ka marrë shkolla juaj?



Shkolla jonë ka marrë goxha çmime, vetëm para tre viteve ishim në Poloni ku kemi marrë pjesë në një festival ndërkombëtar ku shkolla jonë u vlerësua me Çmimin e Publikut, dhe kur e merr titullin nga publiku, mendoj se është çmimi më i mirë që jepet. Çdo vit, të them të drejtën, shkolla bën aktivitete si brenda dhe jashtë vendit, çdo vit me nga dy-tre koncerte.





NXËNËSIT



Enxhi Shima: “Baleti, art i veçantë”



“E kam nisur baletin që në moshën 10 vjeçe, për mua kjo ishte ëndrra ime e vetme, pasi që atëherë më pëlqente muzika klasike. Hera e parë kur dola në skenë ishte në klasën e 7-të, duartrokitjet më dukeshin sikur ishin posaçërisht për mua dhe në mendjen time më dukej sikur kalonin disa zëra që më thoshin: “Bravo Enxhi”. Dëshiroj shumë ta vazhdoj këtë shkollë, sepse baleti është një art i veçantë, ku të paktën unë ndihem mirë. Muzika klasike të jep emocione më të mëdha ku mund të shprehësh ndjenjat. Shumë herë prindërit më thonë se baleti nuk duhet të jetë gjithçka. Ndërsa me veten time them: “Eh......kush na kupton ne artistët”. Gjithmonë pranë meje, madje, që në hapat e parë të teknikës ka qenë mësuesja ime, Blerina, e cila na e ka dhënë pasionin dhe zanatin e baletit”,- përfundon Enxhi.





Krisi Spahiu: “Skena, vendi ku ndihem mirë”



Kam filluar baletin që në moshën 4- vjeçare. Fillimisht isha në balet privat dhe më pas erdha në shkollë profesionale për të perfeksionuar akoma edhe më mirë pasionin që kisha për të kërcyer baletin klasik. Që kur isha e vogël kam marrë shumë çmime. Një ndër çmimet më kryesore për mua ka qenë në moshën 7 vjeçe, kur kam marrë dhe çmimin e parë “Endrra për muzikën”, ndërsa tek “Gjeniu i Vogël” kam marrë çmimin e dytë. Këtë ëndërr për baletin dua ta vazhdoj edhe më tej, pasi për mua, të qëndroj në skenë është vendi ku unë ndihem shumë mirë, dhe nuk do ta ndërroja me asgjë tjetër. Ajo të cilën unë doja shumë të falënderoja është mësuesja ime e baletit, Blerina Arbana, e cila i mëson nxënësit në këtë shkollë sikur ti kishte fëmijët e vet. Nuk do ta harroj asnjëherë atë që ajo ka bërë për mua në veçanti dhe për të gjithë nxënësit që vërtet e duan baletin”,- përfundon Krisi.













Ky lajm është publikuar: 05/05/2010