Gjyqi zgjati 8 vjet, pas rikthimit për gjykim nga Gjykata e Lartë. I dënuar me një “burgim të përjetshëm” për vrasje të trefishtë, Zan Caushi kërkon pafajësi nga gjykata





Pas rigjykimit të ngjarjeve të ‘97-s, të organizatës kriminale të drejtuar nga Myrteza Caushi në Vlorë, më në fund përfundoi shqyrtimi gjyqësor dhe prokuroria kërkoi dje deklarimin fajtorë dhe dënimin me 102 vjet burg në total për 5 të pandehurit e mbetur të kësaj bande. Para se të kërkoheshin masat e dënimit për secilin të pandehur, vetë Myrteza Caushi kërkoi pafajësi para togave të zeza, duke rrëzuar pretendimet e prokurorit që e akuzojnë për krime të ndryshme. Më pas e mori fjalën prokurori i çështjes, Ervin Karanxha, i cili lexoi akuzat lidhur me episodet kriminale për të cilat akuzohen pesë të pandehurit e mbetur gjallë të kësaj bande, kërkoi dënimin me 25 vjet burg për tre nga të pandehurit, konkretisht Zan Caushin, Dorian Saliun e Skerdian Bajramin, një dënim me 22 vjet për Renato Cerçizin dhe 5 vjet burg për Hair Hiraj. I forti i Vlorës ka kërkuar dje pafajësinë në Gjykatën e Tiranës. Myrteza Caushi ka shpjeguar dje para gjyqtarit Altin Abdiu, përse ka marrë armën në vitin 1997, ndërsa ka mohuar kategorikisht se ka kryer vrasje. Sipas tij, të tjerë persona kanë vrarë në emër të tij, ndërsa ai ishte i mbyllur në qeli. Jo vetëm kaq. Zani ka treguar edhe emra konkretë të personave që realisht, sipas tij, janë fajtorë. Dje në sallën e gjyqit, pasi është sjellë nga Burreli, Zani i Vlorës, banues në lagjen “Çole”, ka vendosur të flasë lirshëm. “Unë i kundërshtoj me përbuzje të gjitha akuzat e organit të prokurorisë. Nuk kam kryer krime në vitin 1997, por kam mbrojtur Vlorën nga personat e armatosur. Ishte një vit i mbrapshtë, ashtu siç e dini edhe ju, dhe për këtë qëllim mora përsipër të mbroja qytetin tim. Unë nuk kam vrarë njeri. Të tjerët kanë vrarë në emrin tim dhe tashmë jam unë ai që vuan pasojat e krimeve të kryera me barbarizëm. Të gjithë ata që kanë dëshmuar kundër meje kanë qenë nën presion, pasi unë kurrë nuk kam vrarë njeri dhe nuk kam dhënë urdhër për të vrarë njerëz. Unë nuk kam dhënë urdhër për të vrarë asnjë person në Vlorë. Në emrin tim kanë vrarë persona të tjerë. Armando Grabova është njeriu që ka vrarë në Vlorë shumë djem nënash. Ky ka vrarë në emrin tim dhe tani ndodhet i lirë. Prokuroria dhe policia e dinë shumë mirë se ku ndodhet Grabova dhe për këtë arsye duhet ta arrestojnë. Por ato duket se po bashkëpunojnë me krimin. Unë mund të marr përsipër ato gjëra që kam bërë, por në asnjë mënyrë nuk kam dhënë urdhër për të vrarë”, - përfundoi ai deklarimet e fundit para gjykatës. Zan Caushi dhe shokët e tij janë hetuar dhe gjykuar për veprat penale të kryera gjatë vitit 1997. Vetë kapobanda e Vlorës, Myrteza Caushi, vuan dënimin me burg të përjetshëm për krimin e vrasjes së dy personave në vitin 1999, pak kohë pasi u la i lirë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Gjyqi në ngarkim të ish-kapos së Vlorës, i vetmi në qeli, i akuzuar për ngjarjet e vitit 1997 në qytetin e tij, nisi në vitin 2000, kur Prokuroria e kryeqytetit kishte marrë kompetencën e kësaj dosje për arsye sigurie, ngriti ndaj Zanit dhe pesë shokëve të tij Hair Hiraj, Pëllumb Bajrami, Renato Çerçizi, Skerdian Bajrami dhe Dorian Saliu, akuzat për vrasjen e Bernard Duçkës, Niko Borakut dhe kushërinjve Neritan e Edmond Dedenika, si dhe rrëmbimin e Artur Gjoshit, Pëllumb Petritit, Foto Kolës dhe Sokol Kamberit. Të gjitha këto akuza, Myrteza Caushi, që tashmë ndodhet në qelitë e Burrelit akuzohet t’i ketë kryer në kuadër të organizatës kriminale. Kjo bandë, që pushoi së ekzistuari kur u godit nga shteti në fund të 1997-s, njihej si banda e “Çoles” dhe në krye të saj qëndronte Myrteza Caushi dhe që ishte rivale me bandën tjetër që funksiononte në atë kohë, atë të drejtuar nga Gazmend Brraka (Gaxhai). Procesi gjyqësor u drejtua nga gjyqtari Altin Abdiu, ndërkohë që për afro 8 vjet akuza u mbrojt nga prokurori Elio Mazreku. Gjatë procesit gjyqësor janë thirrur dëshmitarë, janë lexuar thënie të personave që nuk jetojnë më, si dhe janë lexuar deklarime të ndryshme nga familjarët e viktimave të bandës së Caushit.





Akuzat





Sipas organit të akuzës, Myrteza Caushi, i vitlindjes 1969, banor i lagjes “Çole” në Vlorë, para vitit 1997 ka jetuar jashtë vendit, ndërsa pas rrëmujave të atij viti është kthyer në Shqipëri, ku duke përfituar nga gjendja kaotike, si pasojë e rrëzimit të firmave piramidale dhe shkatërrimit të ushtrisë, u pajis me armë. Duke pasur influencë dhe ndikim në rrethin miqësor dhe shoqëror pranë tij janë grumbulluar shumë persona të armatosur, të cilët i kanë qëndruar besnikë dhe e kanë shoqëruar për një kohë të gjatë në aktivitetin e tij kriminal. Pas kësaj, sidomos gjatë muajve maj dhe qershor 1997, anëtarët e kësaj bande, të cilët numëroheshin rreth 20 vetë, kanë kryer krime të ndryshme, duke filluar që nga vrasjet për hakmarrje, pengmarrjet për qëllime përfitimi, torturimin e pengjeve dhe deri djegien e tyre të gjallë në rast se nuk paguheshin gjobat. Për këto akuza, ish-kapoja i Vlorës në vitin 1997 është gjykuar më parë në Tiranë në vitin 1998, por atëherë mundi t’ia hidhte vetëm me kohën e paraburgimit, pasi nuk u vërtetuan akuzat ndaj tij. Po kështu, gjykata vendosi atëherë lirimin nga qelia edhe të gjithë anëtarëve të bandës së tij, të cilët u rikthyen në qytetin e Vlorës pas lirimit. Apeli e la në fuqi këtë vendim, ndërsa Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim, në kohën që Zan Caushi ndodhej i burgosur, pasi u dënua përjetë për një vrasje të trefishtë të kryer në periferi të Vlorës. Tre muaj pas lirimit nga Gjykata e Tiranës, më 7 korrik 1999, Zani u bë protagonist në një ngjarje, ku mbetën të vrarë tre persona. Mes viktimave ishte dhe krahu i djathtë i tij, Afrim Rami, i njohur me nofkën “Luçiano”. Vetë Zani u plagos dhe arriti t’i shpëtonte një operacioni të policisë së Vlorës. Ai u arrestua dy muaj më vonë, në shtator 1999, pas një incidenti me armë në fshatin Mifol. Për ngjarjen e 7 korrikut 1999, Gjykata e Vlorës e dënoi Zanin me burgim të përjetshëm për vrasjen e Robert Shehut dhe dajës së tij, Luan Bedini, çka ishte shkak që ai të qëndrojë në burg. Ndërsa procesi gjyqësor për ngjarjet e ’97-s ka nisur në vitin 2000 dhe për tetë vjet me radhë janë zhvilluar mbi 200 seanca gjyqësore në kryeqytet, ku u pyetën qindra dëshmitarë dhe u administruan mijëra faqe dokumente shkresore.





Krimet e bandës së “Çoles”





• 7 maj 1997, është marrë peng tregtari nga Tepelena Artur Gjoshi dhe miku i tij, Pëllumb Petriti.


• 9 maj 1997, vritet Bernard Duçka me nofkën “Kuqo”, që kishte shkuar për të ndërmjetësuar për lirimin e Gjoshit.


• 8 maj 1997, rrëmbehet tregtari Foto Kola, pas torturave lirohet për 500.000 lekë.


• 9 maj 1997, kundërshtarët për t’u hakmarrë rrëmbejnë vëllanë e ushtarit të Zanit, Avdyl Bajrami, të cilin e vrasin.


• 11 maj 1997, vriten Neritan dhe Edmond Dedenika.


• 19 maj 1997, vritet Arben Latifi dhe Gjergj Cukalla.


• 19 maj 1997, vritet Niko Boraku pasi është torturuar.


• Korrik 1997, rrëmbehet Sokol Kamberi.


• 29 shtator 1997, kapen armët e Zani Caushit.


• 5 gusht 1997, tentohet të vilet një gjobë 10 milionë lireta italiane në Laprakë, Tiranë.


• 23 qershor 1997, rrëmbehet kryetari i Komunës Novoselë, Kanan Shakaj, lirohet i torturuar pasi u paguan 200 milionë lekë.





“Banda e Çoles”, 9 të vdekur


Dy vjet më parë gjykata vendosi të pushonte akuzat për nëntë anëtarë të bandës së Zanit: Afrim Rami, Pëllumb Bajrami, Gjikë e Kastriot Gërdhuqi, Leonard Idrizi, Edison Mamo, Taulant Shyti, Edmond Dule dhe Ferdinand Tafili, të cilët rezultuan të vrarë. Nën akuzë, bashkë me kapon Myrteza Caushi mbetën: Dorian Saliu, Hair Hiraj, Renato Çerçizi e Skerdiljan Bajrami.