Gjatë vitit 2010 vlerësohet se situata ekonomike do të mbetet e vështirë
Ekonomia shqiptare do të vuajë gjatë këtij viti nga investimet më të ulëta, prurjet më të pakta valutore nga emigrantët si dhe nga ftohja e kreditimit. Ky është parashikimi i kryer nga Banka e Shqipërisë në Deklaratën e Politikës Monetare.
“Pakësimi i mëtejshëm i prurjeve valutore në formën e remitancave gjatë vitit të ardhshëm do të ndikojë negativisht në kërkesën agregate në ekonomi. Tendenca në rënie e vërejtur gjatë dy viteve të fundit është amortizuar nga prurjet e larta financiare të investimeve të huaja dhe huamarrjes së jashtme. Kontraktimi i vazhdueshëm i tyre tenton të transmetohet në nivelin e konsumit dhe në rritjen e kostos oportune të investimeve në ekonomi, duke u pasqyruar edhe në uljen e potencialit ekonomik në periudhën afatmesme”, thuhet në raport.
Shumë institucione ndërkombëtare vlerësojnë se ekonomia jonë mund të ketë një vit edhe më të vështirë se sa viti i kaluar, kryesisht për shkak se qeveria tashmë e ka konsumuar të gjithë mundësinë e vet për të ndihmuar ekonominë me para të marra borxh.
Remitancat
Paratë e emigrantëve kanë qenë burimi i të gjitha të mirave në ekonominë shqiptare gjatë viteve të fundit. Pagat që 1 milion shqiptarët morën nëpër vendet e Bashkimit Europian gjatë dekadës së fundit, erdhën në atdhe dhe mbushën arkat e bankave në formë depozitash, financuan kreditimin e ekonomisë dhe investimet. Remitancat rritën me shpejtësi konsumin e brendshëm, duke lehtësuar varfërinë dhe duke krijuar vende pune. Por emigrantët shqiptarë po përjetojnë një situatë të vështirë në vendet ku jetojnë, gjë që ka sjellë edhe rënien e valutës së sjellë prej tyre, së bashku me pasojat zinxhir në mosrritjen e depozitave, mungesën e parasë së mjaftueshme për kreditim dhe rënien e kërkesës së brendshme.
“Në prani të këtyre zhvillimeve, gjatë vitit 2010, ekonomia pritet të përballet me mundësi të reduktuara të financimit të kërkesës agregate dhe rrjedhimisht, një ecuri të moderuar të konsumit e investimeve. Në kushtet e kufizimeve të burimeve financuese të konsumit dhe të investimeve, ekonomia reale pritet të qëndrojë nën potencialin e saj afatmesëm. Kjo do të sjellë presione të reduktuara inflacioniste të gjeneruara nga ekonomia e brendshme. Nga ana tjetër, ulja e kërkesës së brendshme do të reflektohet dhe në një përmirësim gradual të bilancit të jashtëm të ekonomisë”, thotë Banka e  Shqipërisë.
Më të varfër, por me stabilitet
Rënia e remitancave dhe investimeve të huaja pritet të sjellë rënie të përgjithshme të fuqisë blerëse të shqiptarëve, por sipas Bankës së Shqipërisë, stabiliteti makroekonomik i Shqipërisë nuk pritet të dëmtohet. Rënia e prurjeve të valutës nga emigrantët vetëkorrigjohet me rënie të konsumit dhe rrjedhimisht edhe të importeve, duke mos ndikuar te kursi i këmbimit. Megjithatë, rënia e konsumit pritet të sjellë edhe vështirësi për një pjesë të bizneseve dhe pasiguri për sa i përket sasisë së kredive të këqija.






#