SHKRUAN: Blerina Hoxha 01-04-2011 13:20

Kompania Kanadeze ‘Bankers Petroleum Ltd’ ka firmosur një marrëveshje prej 34 milionë dollarësh me ‘Albpetrol’, duke u shndërruar kështu në operatorin e vetëm në zonën naftëmbajtëse Patos-Marinëz. Lajmin e ka dhënë dje agjencia ‘Reuters’, sipas së cilës kompania kanadeze do të marrë në administrim 140 puse aktive, duke rritur kështu prodhimin e naftës me 400 fuçi në ditë. Për këtë lajm ‘Reuters’ i është referuar një njoftimi zyrtar të ‘Bankers’. Paralelisht me këtë proces, kompania kanadeze ka nisur pastrimin e fushës nga mbetjet e shkaktuara nga ‘Albeptrol’, për të cilën po punon një ekip i specializuar i ‘Bankers’. Sipas ‘Reuters’, ‘Albpetrol’ nuk do të ketë më akses në Patos-Marinëz, mirëpo nga marrëveshja me ‘Bankers’, kompania shtetërore e shfrytëzimit të naftës ka fituar një vlerë të konsiderueshme monetare prej 32 milionë dollarësh. Nga ana tjetër burimet në Ministrinë e Energjetikës kanë njoftuar dje se kalimi i puseve të naftës nga ‘Albetriol’ te ‘Bankers Petrolium’ është e parashikuar në marrëveshjen koncesionare me kompaninë. Kompania ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ është në pronësi të ‘Bankers Petroleum Ltd’ në Kanada, operon në zhvillimin e industrisë së naftës në zonën Patos, Marinëz dhe Kuçovë. Ajo ka investuar disa qindra milionë euro për nxjerrjen e naftës dhe ka plane për shtrirje edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Me blerjen e 50% të aksioneve, të mbetura në koncesionin e fushës naftëmbajtëse të Kuçovës, nga kompania ‘Sherwood international Petroleum Ltd’, ‘Bankers Petroleum’ është kompania numër një për nxjerrjen e naftës në Shqipëri. Ndërkohë që aksionet e ‘Bankers Petroleum Ltd’, tregtohen në Bursën e Torontos dhe AIM Market në Londër, Angli, nën simbolin e aksionit BNK, ‘Bankers’ ka rritur aftësinë të kontribuojë në mënyrë të ndjeshme, në rritjen e sektorit të energjetikës në Shqipëri. ‘Bankers Albania’ është një punëdhënës kryesor në zonën e Fierit dhe ka qindra të punësuar direkt dhe indirekt përmes nënkontraktorëve. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, këto shifra do të rriten në mënyrë të ndjeshme në vitet e ardhshme, kur ‘Bankers Albania’ të shtrijë zhvillimin e saj më gjerë në Shqipëri. Përmes aktivitetit të saj, ajo mbështet ekonominë shqiptare edhe nëpërmjet kontratave për mallra dhe shërbime, me mbi 100 kompani lokale, ku mbi 40% e shpenzimeve të kapitalit dhe 70% të kostove operative i paguhen kompanive lokale. Si e tillë, ‘Bankers Albania’ synon të jetë kompania me standardet më të larta të sigurisë, shëndetit dhe ambientit në vend.