Zbardhet lista e plotë e barnave të rimbursueshme për vitin 2010. Në total, lista e re e barnave të rimbursueshme për këtë vit përmban 409 medikamente, midis të cilave janë përfshirë edhe 17 barnat e reja, të miratuara nga qeveria. Gazeta boton sot të plotë listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2010, në të cilën, të interesuarit do të gjejnë edhe çmimin e rimbursimit për çdo medikament. Ende lista e re e barnave të rimbursueshme, nuk ka mbërritur në farmaci, pasi, pas marrjes së vendimit nga Këshilli i Ministrave, ajo duhet të botohet në Fletoren Zyrtare dhe pasi të kalojnë 15 ditë pas këtij akti procedurial, lista hyn zyrtarisht në fuqi. Sipas një përllogaritje të përafërt, përfituesit e barnave me rimbursim duhet të presin më së paku deri në fund të muajit mars, për të marrë ilaçin e ri, për trajtimin e sëmundjes. Midis 17 medikamenteve të futura rishtas në listën e barnave të rimbursueshme, 13 janë alternativa të reja, të cilat parashikohet të përmirësojnë spektrin e trajtimit të sëmundjeve, ndërsa 4 janë principe të reja aktive, të cilat zgjerojnë gamën e sëmundjeve të ndryshme, siç janë medikamentet antimikotikët, insulinat analoge, apo dhe medikamente të tjera, që vijnë në dispozicion të shëndetit të gruas. Lista e re e barnave të rimbursueshme është miratuar me vendim qeverie në datën 24 shkurt 2010. Ajo rinovohet çdo vit po me vendim të Këshillit të Ministrave. Lista e barnave të rimbursueshme ka një shtrirje mjaft të gjerë, pasi mbulon 95% të sëmundshmërisë kronike. Pensionistët përfitojnë 100% alternativat e para të çdo bari.



15 Mars 2010