Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso ka thënë se nuk mund të ketë ndryshim të detyrimeve që ka marrë Greqia, në këmbim të paketave të ndihmës, por ka shfaqur dëshirën që Greqia të vazhdojë të mbetet në zonën e euros.

 


“Greqia është pjesë e familjes. Duam që ajo të qëndrojë në familjen e Eurozonës dhe të Bashkimit Evropian… Duam të jemi në anën e Greqisë, por tani i takon popullit grek të vendosë për një gjë të tillë”, ka thënë Barroso në konferencën për gazetarë në Bruksel.

Në pamundësi të formimit të koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të 6 majit, Greqia ka caktuar zgjedhjet e reja për 17 qershor.

Dilema e grekëve “Brenda apo jashtë euros” është kthyer orët e fundit në lajmin kryesor më të diskutueshëm në të gjitha mediat botërore. Athina zyrtare varet nga ndihmat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian në luftën e saj me krizën e borxheve.

 


Ka shumë të ngjarë që nga zgjedhjet e reja të dalë një parlament ku asnjëra prej partive nuk do të ketë vota të mjaftueshme për të formuar një qeveri të re. Por koalicioni i majtë i udhëhequr nga Alexis Tsipras, i cili fuqishëm kundërshton masat shtërnguese ekonomike ka fituar përkrahje të mjaftueshme për të patur ndikim të madh. Kjo mund të çojë Greqinë në një konflikt me Bashkimin Evropian, udhëheqësit e të cilit kanë thënë se Greqia nuk do të merrë fonde të tjera në qoftë se nuk përqafon planin e vështirë për paksimin e borxheve.

 


Ngërçi politik i Greqisë ka prishur tregjet evropiane dhe po kërcnon të minojë eurozonën. Kjo çështje ka qenë në krye të axhendës së bisedimeve zyrtare midis presidentit të ri të Francës Fransua Hollandë dhe kancelarës gjermane, Angela Merkel. Gjatë takimit të tyre dje në Berlin dy udhëheqësit thanë se Greqia duhet të vazhdojë të mbajë monedhën e bashkimit të 17 vendeve europiane.