Kryeministri, Sali  Berisha priti në një takim të veçantë Marjeta Janaki, Kryetare e Grupit Parlamentar të eurodeputetëve të NEA – Demokracisë, në Parlamentin Evropian. 

Sipas njoftimit për mediat të shpërndarë nga zyra për shtyp e Këshillit të Ministrave thuhet se në takim u diskutua  për marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, zhvillimet respektive në të dy vendet dhe bashkëpunimin mes Partisë Demokratike dhe NEA – Demokracisë. 

Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e tij dhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me interes reciprok. Ai vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria greke dhe shprehu besimin se ato do kenë efekte pozitive për Greqinë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha e njohu znj. Janaki me reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare për përballimin e pasojave të krizës ekonomike globale. 

Një temë tjetër e diskutimeve mes Kryeministrit Berisha dhe znj. Janaki ishte edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë.

Zonja Janaki vlerësoi ndryshimet e thella dhe pozitive që kanë ndodhur këto vitet e fundit në Shqipëri, si dhe garantoi mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të vendit tonë, si dhe për bashkëpunimin e gjithanshëm dypalësh.