Laureta Rryçi



Bashkia e Tiranës ka përcaktuar adresën e banesës së çdo qytetari. Ajo që ka mbetur ende për t’u realizuar dhe që kërkon domosdoshmërish bashkëpunimin e qytetarëve është lidhja e adresës së vendbanimit të gjithkujt me emrin tij dhe të çdo pjesëtari tjetër të familjes, që jeton në këtë njësi banimi. Kjo do të realizohet me të dhënat, që duhet t’i japë vetë qytetari, duke plotësuar formularin e adresës. Punonjës të Bashkisë së Tiranës, të pajisur me dokumentin zyrtar të identifikimit, do të trokasin në një nga këto ditë në derën tuaj dhe do të sjellin formularin.

Duhet të lexoni me kujdes dhe të plotësoni formularin, brenda një jave nga data e marrjes së tij dhe ta mbani atë, deri kur punonjës të Bashkisë së Tiranës të paraqiten sërish pranë banesës suaj. Punonjësit do të mbledhin formularin e plotësuar dhe do të marrin mendimin tuaj. Sipas njoftimit të Bashkisë, duke plotësuar këtë formular me të dhënat për emrin e çdo pjesëtari të familjes suaj, do na ndihmoni të përcaktojmë në cilën njësi banimi banon çdo qytetar. Ndihma juaj është e domosdoshme sepse pa këto të dhëna nuk mund të realizohet një lidhje përfundimtare të

emrit tuaj me adresën e vendbanimit, ku jetoni; emrit dhe adresës së vendbanimit me regjistrin e gjendjes civile. Gazeta “Albania” po boton në numrin e sotëm formularin që tashmë ka mbërritur në shtëpitë tuaja dhe udhëzimin përkatës se si duhet të plotësohet ai.





26 Qershor 2010