Tiranë, 6 nëntor NOA - Banka Botërore dhe Bashkia e Tiranës firmosën sot një marrëveshje për zbatimin e një Granti prej 1.2 milionë dollarësh të Fondit Social Japonez për Fuqizimin e të Rinjve përmes Zhvillimit të Komunitetit në Shqipëri.



Ky grant do të mbështesë një program pilot në Tiranë dhe në Durrës që synon të rrisë përfshirjen e rinisë së qytetit në zhvillimin e komunitetit dhe pjesëmarrjen qytetare, si dhe të zgjerojë mundësitë e tyre për trajnim, sipërmarrje dhe punësim.

Banka Botërore do ta administrojë grantin në emër të Qeverisë Japoneze.

Marrëveshja u firmos nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Edi Rama dhe znj. Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.

Ceremonia e firmosjes u mbajt në prani të Konsullit të Përgjithshëm të Nderit të Japonisë në Shqipëri z. Avni Ponari, si dhe stafit të projektit.

Ndërsa vendi shkon drejt asocimit dhe integrimit me ekonomitë evropiane dhe globale, të rinjtë e Shqipërisë kanë një rol shumë të rëndësishëm, -deklaroi Camille Nuamah, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.

Ne kemi besim, - shtoi ajo, - se ky grant do të ndihmojë në gjetjen e mekanizmave të rinj për të nxitur interesin e tyre në angazhimin qytetar, politikën publike dhe sipërmarrjen.

Ky grant do t'ju shërbejë jo vetëm të rinjve që do të përfitojnë direkt prej tij, por edhe të gjitha njësive të tjera vendore duke testuar modele që përmirësojnë angazhimin e të rinjve në të ardhmen, tha Konsulli i Përgjithshëm i Nderit të Japonisë në Shqipëri, z. Avni Ponari.

***

Projekti mbështet fuqizimin e të rinjve dhe aktivitete të zhvillimit të komunitetit në bashkitë e Tiranës dhe Durrësit.

Ai synon të arrijë objektivin e tij kryesor përmes disa programeve pilote të cilat synojnë:

të rrisin pjesëmarrjen e të rinjve në çështje të komunitetit përmes granteve të zhvillimit të komunitetit;

të ndihmojnë të rinjtë e qytetit të përfitojnë aftësi, të cilat mund të mbështesin kalimin nga arsimi i mesëm drejt tregut të punës;

të rrisin aksesin e të rinjve në aktivitete biznesi dhe mundësive të punësimit përmes granteve që mbështesin aktivitetet sipërmarrëse të të rinjve.

 

e.l/f.sh/NOA