Afatet e pagesës së taksave dhe penalizimet në rast vonesash. Procedurat që duhet të ndiqen për kryerjen e pagesës


Emanuela Sako



Bashkia e Tiranës bën publike taksat që duhet të paguajnë qytetatët dhe biznesi i vogël gjatë muajit prill. Të gjithë qytetarët duhet të bëjnë shlyerjen e detyrimeve vendore. Në të kundërt, ndaj tyre do të merren masa penalizuese. Brenda datës 20 të muajit prill, duhet të shlyhet kësti i parë i taksave, kështu që një pjesë e qytetarëve kanë ende kohë për të përfunduar procedurat ligjore. Specialistët bëjnë publike procedurat që duhet të ndjekë çdo taksapagues për të bërë shlyerjen e detyrimeve vjetore. Burime pranë Bashkisë shpjeguan se tashmë biznesi i vogël në kryeqytet është njoftuar nëpërmjet postës nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore për detyrimin tatimor. Të interesuarit duhet të paraqiten në një nga bankat e qytetit të Tiranës, duke deklaruar të dhënat e NIPT-it, shumën e paguar për çdo taksë dhe tarifë vendore, të përcaktuara nga Bashkia e Tiranës. Kjo është mënyra se si duhet bërë pagesa e biznesit të vogël, e cila jepet e detajuar nëpërmjet formularit që duhet të plotësojë çdo subjekt për biznesin e vet dhe xhiron vjetore, apo vendndodhjen e saktë të biznesit. Bashkia ka përcaktuar se afati i fundit i shlyerjes së këtyre pagesave do të jetë 20 prilli për pagesën e këstit të parë, 30 qershori për pagesën e këstit të dytë dhe 20 tetori për këstin e tretë.

Mospagimi

Në disa raste, bizneset nuk i paguajnë taksat që i detyrohen Bashkisë. Kështu, sipas ligjit për procedurat tatimore, janë vendosur disa etapa për njoftimin e të gjithë debitorëve, ku u lihet një afat i shkurtër deri në marrjen e masave. Etapat janë këto: njoftimi i detyrimit (30 ditë afat për pagesë); urdhërbllokimi në bankë për llogaritë bankare që mund të kenë (30 ditë afat); bllokim me Policinë Bashkiake (30 ditë) dhe veprimi i fundit që mund të ndërmarrë Bashkia është sekuestrimi i pasurisë, si hap i fundit, ose kallëzim penal në prokurori. Shlyerja e detyrimeve për bizneset është parashikuar në disa afate kohore brenda një viti, ku shlyerja mund të bëhet deri në tri data të caktuara në bazë të rregullores.

Taksat

Nën ethen e taksave janë edhe qytetarët. Paketa fiskale e miratuar një vit më parë jep të detajuar të gjitha kontributet që duhet të paguajnë taksapaguesit brenda këtij viti. Përsa i përket pastrimit të qytetit, taksa e pastrimit do të pësojë një rritje nga viti i kaluar. Kështu, taksa e pastrimit për këtë vit është 4000 lekë dhe do të bëhet 5 000 lekë në vitin 2010. Taksa e gjelbër ndryshon në mënyrë progresive deri në vitin 2010, duke u bërë 400 lekë për 2009-n dhe 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset ato janë pak më të larta. Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, do të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është më e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato duhet të paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi, është 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin të favorizojë bizneset, si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit, si shkollat, kopshtet apo çerdhet dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.



Sanksionet që parashikohen në rastin e tejkalimit të afateve

Mosrespektimi i afateve të përcaktuara, sipas ligjit, parashikon sanksione për të gjithë ata që nuk respektojnë afatet. Bizneset që nuk do të tregohen korrekt me shlyerjen e detyrimeve do të jenë të detyruar të paguajnë më tepër se më parë. Kjo, sepse vlera e parave shtohet në masën 25 për qind të detyrimit të papaguar në afat. Të gjithë pronarëve të bizneseve të mëdha apo të vogla u bie shumë më shtrenjtë në rast se nuk tregohen korrektë me rregullat ligjore të Bashkisë. Nëse një biznes i madh, i vogël, apo edhe bizneset familjare, i paguajnë taksat para afatit të përcaktuar, do të përfitojnë deri në 10 për qind ulje të vlerës së totalit të taksave dhe tarifave vendore. Bashkia e Tiranës ka marrë masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë neglizhuar rregulloren, ku numri i bizneseve nuk ka qenë i paktë. Ndërsa masat për familjarët nuk kanë të bëjnë me shuma parash, por atyre nuk u ofrohet shërbimi në gjendjet civile të njësive bashkiake përkatëse deri në momentin e shlyerjes së detyrimeve.



Subjektet që kërkojnë të pezullojnë biznesin





Të gjitha subjektet e biznesit të vogël që duan të pezullojnë plotësisht veprimtarinë e tyre duhet të paraqitet brenda një afati 30-ditor me fotokopjen e aplikimit pranë QKR-së. Nga çasti i pezullimit të veprimtarisë, taksa vendore e biznesit të vogël do të pezullohet deri në çastin e rifillimit të veprimtarisë. Llogaritja e detyrimeve do të jetë sipas muajve të plotë të pezullimit. Taksat dhe tarifat e tjera vendore do të llogariten dhe përllogariten të plota, pavarësisht pezullimit.







Detyrimi tatimor për biznesin e vogël ndahet në katër këste



Kësti i parë deri më 20 prill 2009

Kësti i dytë deri më 20 korrik 2009

Kësti i tretë deri më 20 tetor 2009

Kësti i katërt deri më 20 janar 2010





Taksa e ndërtesës ndahet në dy këste

Kësti i parë deri më 20 prill

Kësti i dytë deri më 30 qershor



Taksa e tabelës, pagesa e këtij detyrimi kryhet deri më 20 prill

Taksa e gjelbër, pagesa e këtij detyrimi kryhet deri më 20 prill



Taksat



Taksa e pastrimit 4000 lekë

Taksa e gjelbër 400 lekë

Taksat për biznesin e vogël 45 000 lekë

Tabela e reklamave 1 000 lekë/m2

Parkimi 100 lekë





1 Prill 2009