KUJTIM AHMATAJ


Përpara pak kohësh, Kryeshenjtëria e Tij, Haxhi Dede Reshat Bardhi, kaloi nga jeta materiale në amshimin e përjetshëm, duke marrë me vete konsideratën më të lartë jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë rrafshin ndëretnik dhe më gjerë, në mbarë botën e besimit e të predikimit të urtësisë bektashiane. Ai është dëshmi e atij besimi, i cili i dha njerëzimit shpirtin e vet dhe shpresën për ringjalljen e përparimin e mëtejshëm të bektashizmit. Ai do të mbetet prani e paharrueshme nga të gjithë dhe për të gjithë  Ai do të mbetet në historinë e bektashizmit, për seriozitetin e arsyes dhe të vlerësimit. Amshimi i tij është i plotësuar. Ashtu si etërit, ai ka kapërcyer mbi vdekjen

Ne do ta kujtojmë Dede Reshatin në pafundësinë e kohës, me një nderim të ditur. Nderim për klerikun, atdhetarin dhe bektashianin e spikatur.

Besimtarët e dashamirësit e deshën me forcën e zemrës dhe nuk iu ndanë, derisa mbylli ciklin jetësor

Tashmë, porosia e zemrës së Dede Reshatit dhe e etërve dëgjohet e ëmbël, e dashur, duke prekur zemrat tona përjetësisht. Ajo pranohet me kuptueshmërinë e vet, pa paragjykime, por me një përunjësi e devotshmëri shpirtërore të arsyes e të veprimit. Përmes kësaj porosie, bektashizmi shqiptar ka ecur përgjatë historisë, ka perceptuar botën, gjetjen e rrugëve të komunikimit, duke e forcuar besimin pa e zbehur atë aspak edhe kur ligësia rrënoi institucionet materiale. Ai do ta mbante të gjallë institucionin shpirtëror, njeriun.

Historia e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me historinë e bektashizmit. I pari reformator shpirtëror dhe fetar, që e lidh bektashizmin me shqiptarizmin, pa i cenuar karakterin universal bektashizmit, është Naim Frashëri, i cili mund të quhet, pas Pir Hynqar Haxhi Bektashi Veliut, një ndër teoricienët dhe formuluesit e doktrinës së bektashizmit.

Bektashizmi, i lidhur me shqiptarizmin, ka një kontribut themelor për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, pasi bektashinjtë kanë qenë atdhetarë nga më të shkëlqyerit në të gjitha kohët. Besimi i tyre universal, me parime shumë të larta morale, i ka bërë që të jenë shumë të qartë në luftën për ta ringjallur e për ta ndriçuar mendërisht e shpirtërisht Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare. Ata krijojnë rrugë bashkimi për të tërë shqiptarët, edhe pse kanë besime të ndryshme. Bektashinjtë dinë të krijojnë e të respektojnë lidhjet pa as më të voglin paragjykim, në mënyrë të barabartë për të gjitha fetë e tjera.

Në statutin e Komunitetit Bektashian Shqiptar, miratuar në Kuvendin e mbajtuar më 9 korrik  të vitit 1924, në teqenë Hajdarije të Gjirokastrës, në artikullin 71 thuhet: Rrojtja vëllazërore e bektashinjve shqiptarë, me elementët e ndryshëm të racës së përbashkët, është detyra më e shenjtë, detyrë e cila  plotësohet me qëndrimin patriotik të këshillit atnuer.

Historikisht, marrëdhëniet midis elementëve me besime të ndryshme fetare në Shqipëri, nuk janë karakterizuar nga urrejtja dhe fanatizmi fetar. Madje, në momente të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ata janë ndodhur përgjithësisht përkrah njëri-tjetrit. Kjo traditë përkon me konceptin filozofik bektashian, i cili me tolerancën e tij, ka dhënë në këtë fushë ndihmesën e vet të çmuar. Në doktrinën e në praktikën e tyre fetare, thekson prof. Mark Tirta në një nga studimet e tij, bektashinjtë afrojnë shumë me mendësitë e Europës Perëndimore.

Bektashinjtë kanë predikuar dhe predikojnë me pasion vëllazërimin mes shqiptarëve, pavarësisht nga besimet, bindjet, idetë e ndryshme. I madhi Dritëro Agolli, në studimin e tij: Njeriu dhe Bektashizmi, ndër të tjera nënvizon : Udha e veçantë në zbulimin e kozmosit të njeriut, por edhe në përcaktimin e misionit të njeriut në jetë, si qenie e ndërgjegjshme, është udha e bektashinjve dhe e bektashizmit. Bektashizmi në hapësirën e shpirtit të njeriut kërkon jo vetëm harmoninë e vlerave, por dhe harmoninë e këtyre vlerave me detyrat e tij ndaj jetës, shoqërisë dhe atdheut.

Për bektashizmin shqiptar aureola e vlerave dhe e detyrimeve të njeriut mbahet në tri shtylla të fuqishme: në shtyllën e moralit, në shtyllën e diturisë dhe në shtyllën e atdhetarisë.

Bektashinjtë quajnë të moralshëm atë njeri, i cili përqafon vëllazërinë, miqësinë, dashurinë e të vërtetën. Të gjitha këto përbëjnë mirësitë e njeriut dhe brenda këtyre mirësive është vetë perëndia, që përsos harmoninë.

Dinakët, intrigantët, hileqarët, përçarësit, për bektashinjtë quhen të pamoralshëm, ata janë të vetëpërjashtuar nga gjiri dashurisë bektashiane.

Dimensioni tjetër i vlerave të njeriu matet me diturinë. Është dituria që e shpie njeriun drejt përsosjes. Njeriu, nëse ka mendimin për ta kuptuar botën që e rrethon, njohurinë që zgjedh shpirtin, që njeh zemrën, që ka vetëdijen dhe peshon të gjitha punët, i ka të gjitha që i duhen dhe nuk ka përse ti kërkojë ato gjetiu. Dituria e bektashinjve shqiptarë afrohet me filozofinë e iluministëve francezë, të cilët shpëtimin e njerëzimit dhe përparimin e shoqërisë e shihnin tek DIJA.

Bektashinjtë nuk i besojnë qorrazi çdo njeriu, pasi besimin e kanë të vetëdijshëm dhe jo të përciptë.

Morali, dituria dhe atdhetarizmi i kanë bërë bektashinjtë ta duan dhe ta respektojnë njeriun. Duke pasur një vetëdije të lartë, ata kërkojnë që edhe udhërrëfyesi i tyre, dervishi, babai, gjyshi, kryegjyshi të jenë vërtet njerëz të përsosur.

Sipas Naim Frashërit, ata duhet të jenë njerëz me mend e me urtësi të shumtë, me këndime, të mësuar mjaft, se njeriu i pamësuar dhe i paarsyetuar është dru i pagdhendur…

Udhërrëfyesit, vazhdon Naimi, duhet të jenë njerëz të vërtetë, të mos kenë të meta, të kenë veti të mira shumë, të mos kenë lakmim e madhështinë, mëritë e marrëzitë, babëzinë, të rremat e të paudhat, të gjitha të këqijat, që janë jashtë udhës së njerëzisë.

Është detyrë dhe e drejtë e të gjithë bektashinjve ti shtojnë dijet e ti përcjellin ato thellë në shekujt e së ardhmes.

Të gjitha këto mësime të bektashizmit për vlerat dhe detyrat e njeriut në jetë e shoqëri, vlera dhe detyra këto edhe për çdo udhërrëfyes, janë tepër humane dhe njëherazi tepër aktuale për Komunitetin Bektashian, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në veçanti sot, pas kalimit nga jeta të Kryeshenjtërisë së Tij, Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Jeta dhe vepra e tij, si një amanet i fuqishëm e thirrës, troket në ndërgjegjen e arsyet tona plot mirësjellje, për kohën që sot përjetojmë.

Është një e vërtetë, që vështirë se kundërshtohet dot tek shohim, se vlerat morale po sulmohen me mënyrat nga më djallëzoret, ku ndershmëria dhe virtyti përqeshen e filozofia e fitimit po mbizotëron gjithmonë me më shumë me egërsi. Jetë kjo, jo e lehtë, me shqetësime dhe përgjegjësi të mëdha për këdo.

Ndaj, në këtë udhë le të bashkohemi të gjithë së bashku, si vëllezër dhe si krijesa të të njëjtit Zot, e ti japim shoqërisë e mbi të gjitha Shqipërisë, mesazhe të fuqishme të paqes e të virtytit bektashian, duke bërë që pendimi dhe vuajtja e rëndë të mos na godasin pas vdekjes.

Bektashizmi botëror, i qendërzuar në Shqipëri, i ka të gjitha kushtet e premisat e hapura, që të luajë një rol aktiv në të gjithë botën, sidomos sot në kushtet e ndryshimeve kolosale politike të hapjes së kufijve. Bektashizmi u ka dhënë që të gjithëve një atu të pallogaritshme nga vlerat e veta.

Historia do ta provojë në të ardhmen që bektashizmi, i cili i ka rrënjët e thella te kombi shqiptar, do të lulëzojë dhe do të ketë gjithashtu ringjallje të vazhdueshme.

Në realitetin ku jetojmë sot, ku mbizotëron arsyeja, logjika dhe toleranca, ku shkenca ecën drejt majave të larta, është e domosdoshme që njeriu, si pjesë e këtij realiteti, të pajiset me mjete dhe me cilësi të larta, për tu përballur me luftën për jetën, duke i dhënë kuptim të plotë fjalës njeri, duke pranuar në vetveten e tij vërtetësinë e ligjeve dhe të parimeve kuranore, si në idetë shpirtërore dhe në ato lëndore, për të vëllazëruar shpirtin me trupin e vet, duke pajtuar institucionin me intelektin, për të njohur vetveten dhe për të marrë përgjegjësi përpara Gjithëkrijuesit.

*