Belgjika do të ekstradojë Behar Bajrin, një prej personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare. Zyra Qendrore e Interpol Tiranës u njoftua ditën e djeshme se nga ana e ministrit të Drejtësisë të Belgjikës është firmosur ekstradimi i 28-vjeçarit nga Shkodra. Interpol-Tirana kishte disa kohë që kishte nisur materialet e nevojshme, të cilat shërbenin për të sjellë në Shqipëri Bajrin. Autoritetet belge pas verifikimeve i kanë konsideruar ato të sakta, duke i hapur rrugën kështu ekstradimit të 28-vjeçarit. Pritet që së shpejti ai të sillet në Shqipëri, për t’iu dorëzuar autoriteteve vendase. Arrestimi i tij është kryer në datën 17 dhjetor 2007, pas një ndjekjeje sistematike shumë profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe bashkëpunimit e shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana me Interpolin dhe policinë belge. Shtetasi Behar Bajri është i njohur si kontingjent kriminal, për shkak të kryerjes së disa krimeve të rënda në qytetin e Shkodrës. Sipas policisë shqiptare, ai akuzohet për vrasjen me armë të punonjësit të policisë, Petrit Demiri, krim për të cilin pas arrestimit të tij është dënuar me vetëm dy vjet burgim.


Gjithashtu, ai është dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe dy milionë lekë gjobë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë për kryerjen e veprës penale së “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. 28-vjeçari është autori i dyshuar për disa vrasje të kryera në qytetin e Shkodrës. Kështu, sipas policisë shqiptare, ai dyshohet për disa vepra penale, mes të cilave, grabitje me armë, për vrasje, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç dhe akuza të tjera. Ndërkohë është arrestuar disa herë nga strukturat e policisë dhe për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”. 28-vjeçari kishte arritur që t’i shmangej drejtësisë shqiptare, duke u fshehur jashtë vendit. Megjithatë, në sajë të bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me atë të Belgjikës, u bë i mundur që pas një kërkimi të gjatë të arrihej edhe ndalimi i të kërkuarit shqiptar. Arrestimi i tij u krye në qytetin Genkut, ku ai qëndronte prej disa kohësh. Bajri kishte arritur që të siguronte një identitet të rremë dhe njihej me emrin Mitko Kamenov. Megjithatë, u arrit që të bihej në gjurmët e shqiptarit, duke bërë kështu edhe arrestimin e tij. Policia shqiptare, pas pranimit të kërkesës, pret që shumë shpejt 28-vjeçari të ekstradohet në Shqipëri, për të dalë përballë drejtësisë vendase.


Policia shqiptare njofton se përveç dënimit penal që ai ka marrë dhe që do të kryejë për të gjitha veprat e tjera të kryera prej tij, nga ana e policisë po punohet intensivisht, për të faktuar ngjarjet për të cilat ai akuzohet.





Precedentët penalë të të shumëkërkuarit Behar Bajri





1. Më datë 28.01.2000, në fshatin Dobraç, ka vrarë me armë zjarri Petrit Demirin, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër penale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim.





2. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007, e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2(dy) milionë lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Ngjarja për të cilën shtetasi Behar Bajri është deklaruar fajtor ka ndodhur në datën 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë vepër penale shtetasi Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij, Sead Rustemi.





3. Më datë 18.08.2006, shtetasi Behar Bajri është akuzuar nga drejtësia për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër shtetas. Për këtë ngjarje, Gjykata e Rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, e “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.





Sipas policisë shqiptare, 28-vjeçari është autori i dyshuar i disa krimeve të tjera të rënda dhe konkretisht:





4. Më datë 14.01.1999, në lagjen “Dobraç” të qytetit të Shkodrës, Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin, sipas policisë, dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy shtetasve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip kamion, me targa të Vlorës.





5. Më datë 14.01.1999, në lagjen “Vojo Kushi” janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.





6. Më datë 15.02.2001, në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri Arben Tuzi, 39 vjeç, nga Shkodra. Sipas policisë, autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.





7. Më datë 21.03.1999, shtetasi Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj shtetasit Arben Tuzi dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit, të dyja palët kanë plagosur njëra-tjetrën.





8. Më datë 26.06.2002, në banesën e shtetasit Behar Bajri është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij, Fabiola Bajri, 20 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera nga policia shqiptare rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Hetuesit deklaruan se autor i dyshuar i kësaj vrasjeje është shtetasi Behar Bajri.





Për akuzat e pagjykuara, materialet ndodhen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.