Kryeministri Sali Berisha vlerësoi se projektligji për falimentimin "është një hap i madh ligjor në drejtim të klimës së biznesit". Duke kërkuar mbështetjen e opozitës për miratimin e këtij projektligji, por edhe atë të procedurave tatimore, Kryeministri theksoi se ato janë hartuar me shkallën më të lartë të ekspertizës ndërkombëtare dhe nuk kanë asnjë lloj interesi partiak. "Ata që paraqesin falimentimin si gogol, tregojnë mendësitë e tyre socialiste, sepse falimentimi është një ligj i pandryshueshëm i sistemit që ndërtojmë, është një pasojë e dobishme e lirisë së tregut, e konkurrencës së lirë, është një kusht pa të cilin nuk mund të bësh fjalë për konkurrencë të ndershme dhe të lirë", theksoi Kryeministri. Duke informuar mbi historikun e projektligjit për falimentimin, Kryeministri u shpreh se "një institucion i Bankës Botërore, i quajtur "doing bussines", ka shprehur pakënaqësi për mungesën e falimentimit në vendin tonë, ndaj dhe kjo rregullohet me një ligj të standardeve ndërkombëtare". "Fatmirësisht e kishim në proces e sipër ligjin", tha Kryeministri, duke shtuar se "ligji i parë i shoqërive tregtare, që në tërësi ka qenë një ligj shumë i mirë, kishte një problem serioz, nuk mbronte në shkallën e duhur aksionerët në minorancë, e cila është një çështje e ndjeshme.